Presidenti i Republikës Ilir Meta ka vendosur të kthejë në Kuvend ligjin për krijimin e Bursës shqiptare (Për tregjet e kapitalit).
Në një shpjegim prej 18 faqesh Presidenti Meta sqaron arsyet e kthimit të ligjit, ku arsyeja kryesore qëndron se, aktualisht nuk janë përmbushur parakushtet për një zhvillim të suksesshëm të tregjeve të kapitalit.
Nga pikëpamja financiare, argumenton Presidenti, parakushtet për një zhvillim të suksesshëm të tregut të kapitalit privat, janë: Politika e shëndoshë makroekonomike: Politika monetare racionale dhe politika të qarta të administrimit të borxhit për të siguruar lëvizjet e parashikueshme të normës së interesit;
Një kornizë e përshtatshme ligjore për të mbrojtur investitorët, thotë ai, një strukturë solide rregullatore dhe mbikëqyrëse për letrat me vlerë, miratimi i standardeve më të larta për cilësinë e informacionit dhe zbulimin publik, kontabiliteti i besueshëm, proceset e auditimit dhe qeverisja e shëndoshë e korporatave, si elementë të nevojshëm për të ndërtuar besimin;
Po ashtu arsyeton Kreu I shtetit, duhet të ekzistojnë ekonomi të shkallës që nevojiten për të zhvilluar një treg privat të kapitalit që ka nevojë për likuiditet dhe kërkon një vëllim të konsiderueshëm të investitorëve;
Investitorët vendas luajnë një rol kryesor për zhvillimin, dhe ekzistenca e fondeve të mëdha pensionale dhe fondeve të investimeve shoqërohet me tregjet e suksesshme të kapitalit privat.
Presidenti, duke sjellë në vëmendje përvojën e vendeve anëtare të BE-së, tregon se reformat institucionale dhe ato të tregut ishin faktorët kryesorë që nxitën zhvillimin e tregjeve të kapitalit në vitet 2000. Reformat kryesore përfshijnë privatizimet që kërkonin listim të detyrueshëm të kompanive, reformat e fondeve të pensioneve dhe hyrjet e kapitalit të nxitur nga anëtarësimet në BE, pasi vendet harmonizuan shpejt kornizat ligjore dhe rregullatore. Por, thotë Z. Meta, zbatimi në praktikë ishte i dobët për shkak të: Mungesës së qeverisjes së fortë të korporatave, që minoi zhvillimin financiar duke kërkuar standarde më relaksuese të listimit të korporatave;Likuiditeti i kufizuar ka qenë një pengesë e rëndësishme për investitorët dhe zhvillimin e tregut; Standarde të papërshtatshme të raportimit, mungesë e vlerësimeve të rating-ut të besueshëm të korporatave dhe strukturave të pronësisë.
Meta thekson se miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit në këto momente dhe me këto parashikime që paraqesin problematika si më sipër, bëjnë që nga njëra anë vendi të përballet me riskun që bursa të jetë spekulative dhe jo funksionale, ndërsa nga ana tjetër, dhe aksesi i operatorëve në këtë treg të jetë i cenueshëm, duke mos ofruar garancitë e nevojshme ligjore./h.e