Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shprehin mbështetje për Ukrainën, në kohën kur tensionet ndërmjet këtij shteti dhe Rusisë kanë arritur kulmin.
Vendet perëndimore paralajmërojnë se situata mund të përshkallëzohet shpejt në një sulm të Rusisë kundër Ukrainës, edhe pse Moska e mohon një gjë të tillë.
Shteti rus ka javë që ka pozicionuar trupa në kufi me fqinjin e tij, si dhe në gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin e ka aneksuar në vitin 2014.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës shpreh gatishmërinë që komponentët e caktuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i vendosë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rast se kjo i kërkohet për ndonjë mision.
Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Sefer Isufi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Forca e Sigurisë e Kosovës, gjithçka që ka arritur deri më tash – në secilin dimension të zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të saj operative – e ka arritur falë “mbështetjes së pazëvendësueshme” të SHBA-së.
“Duke pasur parasysh që aleanca jonë me SHBA-në është e natyrshme dhe shumë e fuqishme, jemi plotësisht të gatshëm që të jemi përkrah SHBA-së dhe forcave të saj në secilin mision, ku ata vlerësojnë se mund t’i angazhojnë komponentët tonë profesionalë ushtarakë”, thotë Isufi.
“Ajo [SHBA-ja] e di më së miri se cilët komponentë të FSK-së mund t’i angazhojë në task-forcën e saj, apo t’i integrojë në kuadër të forcave të NATO-s, në operacionet eventuale në mbrojtje të vlerave euro-atlantike – gjë që është edhe vizion dhe aspiratë e Kosovës”, shton Isufi.
Vitin e kaluar, Forca e Sigurisë e Kosovës ka qenë për herë të parë pjesë e misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kuvajt, së bashku me trupat amerikane.
Presidenca: Kosova qëndron përkrah Ukrainës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e Kosovës për Ukrainën përmes një shkrimi në Twitter, më 22 janar.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Zyra e Presidentes së Kosovës konfirmon se “Republika e Kosovës qëndron përkrah Ukrainës, duke e mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, pas agresionit të Rusisë të vitit 2014 dhe grumbullimit të forcave ushtarake ruse në afërsi të kufirit të saj me Rusinë”.
Në përgjigjen e Zyrës së Presidentes së Kosovës thuhet se lëvizjet e fundit ushtarake të Rusisë janë kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për gjithë kontinentin evropian dhe se çdo shkelje e sovranitetit të Ukrainës “paraqet sulm të drejtpërdrejtë ndaj një shteti të pavarur, sulm ndaj demokracisë në kontinentin tonë dhe vazhdimësi të fushatës agresive të Rusisë”.
“Ne nuk jemi të vetëm në mbështetje të Ukrainës, por përkrah aleatëve tanë, SHBA-së dhe NATO-s, si dhe me shtetet, të cilat dëshirojnë avancimin e vlerave demokratike në kontinentin tonë dhe në mbarë botën”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Presidentes së Kosovës.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë përmes një postimi në Facebook më 24 janar, se i bashkohet shqetësimit të partnerëve të NATO-s për rritjen e numrit të trupave dhe mjeteve ushtarake ruse në kufijtë me Ukrainën, duke theksuar se “kërcënimi dhe eventualisht agresioni ushtarak ndaj Ukrainës përbëjnë kërcënim direkt ndaj sigurisë evropiane dhe shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare”.
“Shqipëria mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe apelon për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe mjeteve diplomatike”, ka shkruar Meta në Facebook.
Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, ka thënë se ky vend mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Ajo ka thënë se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, do t’i ndjekë vendimet e aleancës, duke mos përjashtuar përfshirjen në konflikt.
“Është e mundur që Ushtria e Maqedonisë së Veriut të përfshihet në një konflikt të mundshëm ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, por vetëm nëse këtë e kërkon NATO-ja”, ka thënë Petrovska për televizionin maqedonas, Telma, duke theksuar se një veprim i tillë do të ishte i mundur vetëm me pëlqimin e komandantit suprem, përkatësisht presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski.
Ambasada e Rusisë në Shkup ka reaguar ndaj deklaratës së ministres Petrovska, duke e cilësuar atë si “befasuese”.
“Ne u kushtojmë vëmendje deklaratave absolutisht të qarta të udhëheqjes ruse. Rusia kurrë nuk e ka kërcënuar popullin ukrainas askund dhe nuk ka ndërmend të ndërmarrë ndonjë veprim agresiv. Me fjalë të tjera, ne nuk do të sulmojmë, pushtojmë apo godasim Ukrainën. Sa u përket trupave ruse, ato lëvizin nëpër territorin e tyre dhe kanë çdo të drejtë ta bëjnë këtë”, thuhet në reagim.
Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, deri më tash, nuk kanë reaguar për tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës.
Mali i Zi, ashtu sikurse Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut, është anëtar i NATO-s./Rel- Argumentum.al