Qeveria shqiptare nënshkroi sot marrëveshjen e mirëkuptimit me kompaninë 4iG, për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit.
Ky projekt strategjik e inovativ e kthen Shqipërinë në një nyje të ndërlidhjes ndërkontinentale. Rrjetet kabllore me fibër optike janë autostradat e komunikimit digjital dhe falë zbatimit të këtij projekti do të bëhet e mundur një lidhje ndërkontinentale nënujore, ku Shqipëria do të ketë një pozicion kyç në mundësimin e kësaj lidhjeje strategjike
Kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes falënderoi kompaninë 4iG, e cila u shpreh ai, “është kompania që në Shqipëri aktualisht zotëron dhe administron kompaninë e telefonisë celulare One dhe që sot vjen si një partner i qeverisë shqiptare për të ndërtuar këtë lidhje të parë ndërkontinentale të Shqipërisë që do të kthehet në një pikë kyçe për transportin e shpejtë dhe të sigurt të të dhënave përmes një fibre optike lidhëse midis Egjiptit dhe Shqipërisë, duke i dhënë mundësi vendit tonë që të garantojë një akses në këtë rrugë të re, në këtë autostradë të re digjitale të Mesdheut për një sërë vendesh të Evropës qendrorë”.
“Mendoj që nga njëra anë ky është një projekt i mirëseardhur sepse rrit në mënyrë domethënëse masën e mozaikut të projekteve që ne po bëjmë për ta transformuar Shqipërinë në një vend kampion në rajon për inovacionin”, tha Rama.
Por nga ana tjetër, shtoi kreu i qeverisë, “ky është një projekt i rëndësishëm edhe për besimin e sipërmarrjes në tërësi. Një besim që rritet vit pas viti dhe që gjen shprehje në këtë rast përmes kompanisë 4iG, e cila zgjodhi Shqipërinë si një pikë referimi për këtë projekt shumë ambicioz”.
“Në pamje të parë projekti nuk ka shifra marramendëse, por në thelbin e vetë projekti është një projekt marramendës për nga impakti dhe për nga vlera që do të krijojë.
Rama u shpreh, “besimplotë se pala jonë do të jetë në lartësinë e duhur në të gjithë procesin e zbatimit të këtij projekti dhe pastaj të jetësimit të tij përmes vënies në funksion të kësaj autostrade.
Kreu i qeverisë u shpreh i bindur që “ky projekt shënon një gur kilometrik në rrugën tonë drejt Shqipërisë 2030 dhe pa diskutim do të pasohet nga të tjerë projekte të përmasave dhe ambicies së këtij niveli që tanimë përkon me nivelin e ri në të cilin ndodhet vendi ynë”.
Balluku: Shqipëria, nyje e ndërlidhjes ndërkontinentale
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se ky është një tjetër projekt strategjik e inovativ që e kthen Shqipërinë në një nyje të ndërlidhjes ndërkontinentale dhe e vendos Shqipërinë në një rankim tjetër të dixhitalizimit.
“Si sistem i parë që lidh dy vendet, rruga e planifikuar e linjave nënujore në Mesdhe do të jetë unike duke shtuar diversitetin e rrugëve dixhitale, që lidhin Mesdheun në mënyrë tradicionale që janë ato që lidhin Egjiptin me Francën dhe Italinë duke dhënë kështu një mundësi të tretë“, tha Balluku.
Sipas saj, ky sistem do të zotërojë një pjesë të konsiderueshme të tregut të madh dhe zhvillimit të trafikut të të dhënave mes Azisë, Lindjes së Afërt dhe Europës.
“Në anën e Egjiptit do të ofrohet akses në shumë kabuj nënujor të Juglindjes, përmes Detit të Kuq dhe Azisë dhe Afrikës, të cilat i shtohen 10 rrugëve tokësore trans-egjiptiane, që bashkojnë segmentin lidhës të Mesdheut dhe opsionet e tjera të zgjatura të Detit Mesdhe”, u shpreh zv/kryeministrja Balluku.
Egjipti, vijoi Balluku, luan rolin e një nyjeje ndërkombëtare të të gjitha autostradave dixhitale.
“Duhet të kemi parasysh se për Shqipërinë, sistemi do të ofrojë rrugën më të shkurtër për në Frankfurt dhe destinacione të rëndësishme për trafikun dixhital europian, duke lidhur Europën Lindore dhe atë të pjesës së Ballkanit me nyjet kryesore si Vjena, Budapesti apo dhe Sofia”, tha Balluku.
Investimi i cili vlerësohet nga 100 deri në 115 milionë euro, vuri në dukje Balluku, shkon në të njëjtën linjë me politikat e hartuara për zhvillimin e teknologjisë dhe dixhitalizimit.
“Ky projekt bëhet pjesë dhe shtyllë mbështetëse edhe për strategjinë kombëtare që ka të bëjë me integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë për tu futur në BE, ku një nga prioritet kryesore të kësaj strategjie, pa dyshim mbetet dixhitalizimi”, deklaroi zv/kryeministrja
Rrjetet kabllore me fibër optike janë autostradat e komunikimit digjital dhe falë zbatimit të këtij projekti do të bëhet e mundur një lidhje ndërkontinentale nënujore, ku Shqipëria do të ketë një pozicion kyç në mundësimin e kësaj lidhjeje strategjike.
Shqipëria ka aktualisht 3 linja nënujore të ndërtuara në vitin 1996, në vitin 1997 dhe në vitin 2023.
/Argumentum.al