Në kuadër të aktivitetit “Javët Kulturore Ndërkombëtare”, në datat 31 gusht deri në 3 shtator Shqipëria do të mikpresë Azerbajxhanin.
Me moton “Shqipëria mikpret botën”, Azerbajxhani vjen për herë të parë në edicionin e dytë të këtij eventi të madh kulturor.
Argumentum.al sjell kalendarin e aktiviteteve të Azerjbajxhanit për publikun shqiptarë.
Shfletoni programin për të qenë pjesë e këtyre eventeve. Hyrjet për të gjitha eventet janë falas.
Java e Kulturës së Azerbajxhanit nis prej 31 gushtit me një mori ekspozitash, shfaqje filmi dhe koncerte ku shpalosen më së miri tradita dhe shpirti azerbajxhanas.
Jeta e Heydar Aliyev, liderit kombëtar azerbajxhanas si dhe figurë themeltare për progresin dhe zhvillimin e Azerbajxhanit, vjen përmes një ekspozite në Muzeun Kombëtar në Tiranë.
Kjo ekspozitë sjell paraqitje vizuale të momenteve të ndryshme në jetën e Aliyev, prej takimeve të rëndësishme politike dhe ndërkombëtare tek momente të ndryshme personale në jetën e tij.
Gjithashtu do të ketë punime mbreslënëse nga artistë të mirënjohur azerbajxhanas duke vënë fokusin tek elementet artistike që na bashkojnë si dhe rëndësinë e marrëdhënieve e komunikimeve ndërkulturore dhe ruajtjen e trashëgimisë.
Këtë ekspozitë mund ta vizitioni prej 31 gushtit deri më 3 shtator, në Tiranë.
Në çdo javë kulturore, ushqimi është pjesë kyçe e të paraqiturit të kulturës së një vendi, e çfarë më mirë se ëmbëlsirat mund të na bëjnë bashkë! Kuzhina azerbajxhanase ka një larmi embëlsirash tradicionale dhe ne mezi presim t’i shijojmë.
Ndaj ejani pranë Muzeun Historik Kombëtar, çdo ditë prej 31 gushtit deri më 3 shtator prej orës 18:30.
E emëruar sipas kompozitorit të njohur azerbajxhanas Gara Garayev, Orkestra Shtetërore të Dhomës së Azerbajxhanit sjell muzikën e dhomës të ndërthurur me elementë tradicionalë të Azerbajxhanit. Historia e kësaj orkestre lidhet ngushtësisht me veprimtarinë e Gara Garayev që njihet për sjelljen një modeli të emancipuar muzikor në Azerbajxhan e më gjërë. Repertori i programuar sjell më të mirën e muzikës azerbajxhanase, një vend i cili sipas Garayev, është i bërë për muzikë qoftë në mëngjese me diell apo në ditë me shi.
Muzika është gjithmonë emocionuese, ndaj ejani në shesh të ndjejmë së bashku!
Ky koncert do të mbahet më 31 gusht prej orës 20:00 në sheshin “Skënderbej”
Gati të provoni ushqime tradicionale të Azerbajxhanit?
Më 31 gusht dhe 1 shtator mundeni, duke vizituar sheshin “Skënderbej” ku do të njiheni dhe eksploroni shijet e kuzhinës azerbajxhanase!
“Javët Kulturore Ndërkombëtare” është konceptuar si një mozaik aktivitetesh kulturore, ku çdo javë do t’i dedikohet një shteti. Pas një shkëputje gjatë sezonit veror, tashmë ky aktivitet nis sërish dhe në fokus të tij është promovimi i vlerave dhe shkëmbimi i eksperiencave.
Mbi 700 artistë janë pjesë e programit e këtij vitit, ku ndër ta do të jenë dhe emra të njohur të arenës ndërkombëtare.
Edicioni i dytë i këtij viti përfundon më 30 nëntor 2023.
/Argumentum.al