Në Tiranë çelet sot cikli i Javës Kulturore Ndërkombëtare, i cili do të nisë me Francën.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë një konference për shtyp me ministren e Kulturës Elva Margariti për nisjen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, tha se synohet që të jetë një program ku të gjitha moshat të mund të gjejnë arsye për t’i frekuentuar.
Sipas Ramës, kjo nismë do të rrisë eksponencialisht intensitetin e aktiviteteve kulturore me natyrë socializuese jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera.
“Cikli i ri i aktiviteteve kulturore dhe argëtuese vjen në kuadrin e një nisme të re të qeverisë shqiptare, që e kemi quajtur “Shqipëria mikpret Botën” dhe që zhvillohet në bashkëpunim me vende të tjera mike, partnere apo prezente në Shqipëri përmes përfaqësive të tyre dhe është organizuar përmes një serie javësh kulturore ndërkombëtare. Këto javë synojmë të jenë traditë e përvitshme për të shpalosur tradita e kultura të ndryshme dhe për të shpalosur forma dhe shprehje nga më të larmishmet të aktivitetit të çdo qytetërimi dhe patjetër për të krijuar hapësira të reja të ndërveprimit me kultura të tjera dhe argëtimit të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve që mund të gjenden në vendin tonë përgjatë zhvillimit të një jave kulturore ndërkombëtare”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Rama shprehu bindjen se ky program i ri që është i gjithi në një fazë nisjeje do të pasurohet në vitet e ardhshme.
“Është një eksperiencë e re prej së cilës reciprokisht do të mësojmë e kuptojmë më shumë. Fillojmë me javën e Francës dhe më pas vazhdojnë sipas një kalendari. Ndërkohë dua të theksoj se disa prej vendeve të përfshira janë të angazhuara prej kohësh në organizimin e javëve të tyre kuturore si Italia, Gjermania apo Franca, por në njëfarë mënyre ky angazhim i përbashkët i nxjerr këto javë nga suaza e tyre përgjithësisht e mbyllur dhe i bën më të aksesueshme për publikun e gjerë duke përfshirë, jo vetëm aktivitetet ngushtësisht artistike, por duke përfshirë edhe aktivitetet që janë, le të themi, më popullore, aktivitete në rrugë, ose edhe drejtpërdrejtë kulturën dhe traditën e gatimit të vendeve të tjera. Është një program që ne synojmë të jetë një program ku të gjitha moshat të mund të gjejnë arsye për ti frekuentuar Javët Ndërkombëtare të Kulturës. Kjo do të rrisë eksponencialisht intensitetin e aktiviteteve kulturore me natyrë socializuese jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se qëllimi i këtij programi është të shtrijë këtë përzierje kulturash në të gjithë hartën e Shqipërisë, por, kuptohet, hap pas hapi, pasi edhe palët e angazhuara nga vendet e tjera kanë nevojë të shikojnë ecurinë e progamit.
“Pastaj vetvetiu disa shkëndija të shpirtit të konkurrencës mes vendeve që kemi vënë re që tani do të vazhdojnë“, tha Rama.
Nga data 27 prill nis në Shqipëri programi i Javëve Kulturore, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 18 vende të botës.
Javët Kulturore Ndërkombëtare do të sjellin për 17 javë në vendin tonë një larmishmëri kulturash, duke filluar me javën e Francës e për ta përfunduar me Kosovën./ata