Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi sot takimin përmbyllës “Shqipëria në Këshillin e Sigurimit, kontribut për paqen dhe sigurinë globale gjatë kohërave më sfiduese”.
Shqipëria përfundoi mandatin e saj si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për vitet 2022 – 2023.
Në fjalën e tij, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh se, “Shërbimi ynë i jashtëm ka merituar respektin e brendshëm e të jashtëm për performancën e vet”.
“Për herë të parë, pas thuajse 70 vjetësh si vend anëtar i OKB, vendi ynë pati mundësinë të bëhet pjesë e organit më të lartë dhe më të rëndësishëm të Kombeve të Bashkuara, që ka një përgjegjësi të posaçme për ruajtjen e paqes e sigurisë në botë. Ishte një ngjarje vërtet e veçantë në historinë e Shqipërisë dhe unë sot dua t’u bëj një falënderim të posaçëm të gjithë atyre përfaqësuesve të Shërbimit tonë të Jashtëm që punuan shumë për ta kthyer këtë mandat në një histori suksesi”, u shpreh Hasani, duke falënderuar edhe ambasadorët, partnerët e aleatët për bashkëpunim të shkëlqyer.
“Ka një fushë ku vendet e vogla mund të konkurrojnë edhe me fuqitë më të mëdha të botës si të barabarta nëse u jepet mundësia. Kjo është fusha e ideve dhe parimeve. Aty jemi të gjithë të barabartë të konkurrojmë e të dëgjohemi. Besoj pikërisht kjo zgjedhje strategjike për të kontribuar në Këshillin e Sigurimit me ide e duke mbrojtur fort parimet e së drejtës ndërkombëtare e multilateralizmit, ka qenë çelësi i suksesit të mandatit tonë”, tha Hasani.
“Shqipëria diti të tregojë, që edhe vende të vogla, kanë se çfarë të kontribuojnë në debatet mbi çështjet e mprehta që shqetësojnë sot botën, kur u jepet mundësia ta bëjnë këtë në forume si Këshilli i Sigurimit. Ne patëm mundësinë të punojmë për avancimin e axhendës së grave për paqe dhe siguri, duke ndarë me mbarë botën mësimet e nxjerra nga eksperienca jonë si një vend që ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm në fuqizimin e në përfshirjen e grave në jetën politike dhe publike”, vijoi ai.
“Ne patëm mundësinë të kontribuojmë në debatin për ekstremizmin e dhunshëm duke ndarë me botën mësimet e nxjerra nga eksperienca jonë shekullore si një vend ku besimet e ndryshme, të krishterë e myslimanë jetojnë si vëllezër në paqe e harmoni të plotë. Punuam fort për të theksuar rëndësinë e respektimit të plotë të ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut kudo e gjithmonë, ashtu siç punuam për t’u dhënë zë e jetë përparësive të tjera që lidhen me ndryshimet klimatike, sigurinë kibernetike, llogaridhënien, paqen dhe sigurinë e të rinjve, si dhe avancimin e metodave të punës të Këshillit të Sigurimit”, theksoi Hasani.
Por, vuri në dukje ai, pati një çështje që shënjoi mbi të gjitha punën në Këshill: agresioni i paligjshëm rus kundër Ukrainës.
“Shqipëria e filloi mandatin e saj në një kohë kur një pjesë e botës ende refuzonte të besonte që në shekullin e 21, një vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, e si i tillë me një përgjegjësi të posaçme për ruajtjen e paqes e sigurisë në botë, mund të ndërmerrte një akt të tillë agresioni që bota nuk e kishte njohur që nga koha e Luftës së Dytë Botërore”, theksoi ai.
“Dy muaj pas fillimit të angazhimit tonë në Këshillin e Sigurimit, Federata Ruse, nisi agresionin e saj dhe denoncimi i këtij akti kriminal, izolimi i Rusisë dhe mbështetja diplomatike e Ukrainës u bënë kryefjala e punës tonë. U bënë kryefjala e punës sonë, sepse ky agresion erdhi në shkelje të çdo ligji e të drejte ndërkombëtare. Sepse ai minoi vetë themelet e arkitekturës europiane të sigurisë dhe të sistemit ndërkombëtar të ndërtuar mbi rregulla, mbi ato rregulla që vetë organizata u krijua pas Luftës së Dytë Botërore”, tha Hasani.
“Dhe për një popull si shqiptarët që kujtimet e luftës e masakrave të viteve 1990 i kishim ende të freskëta, ky sulm preku e zgjoi emocione e kujtime të dhimbshme. Padyshim, u bë kryefjala e punës sonë sepse ky agresion kriminal bie ndesh me gjithçka ku ne besojmë, mbi gjithçka për të cilën kemi punuar në gjithë këtë përpjekje të këtyre viteve të fundit”, vuri në dukje Hasani.
Në këtë pikë, Hasani shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e thellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për besimin duke e bërë vendin tonë bashkëpenëmbajtës për dosjen e Ukrainës.
“Çdo përpjekje për paqe është investimi më i mirë për të ardhmen, dhe Shqipëria e ka pasur këtë parasysh çdo ditë gjatë kohës që kemi shërbyer në Këshillin e Sigurimit”, përfundoi Hasani.