Intervistë Ekskluzive për ARGUMENTUM.al me Znj. Almira Xhembulla, Zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit
“Ndryshimet klimatike po përbëjnë një kërcënim të madh për shumë vende të botës, dhe Shqipëria nuk është përjashtim. Rritja e temperaturave, reshjet intensive dhe periudhat e thatësirës janë duke ndikuar ndjeshëm në sektorë kyçë si bujqësia, pyjet dhe blegtoria. Për të përballuar këto sfida të mëdha, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash dhe ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike. Kjo strategji përfshin investime në energji të rinovueshme, mbrojtjen e vijës bregdetare dhe përmirësimin e menaxhimit të ujit dhe pyjeve”, thekson në këtë intervistë për Argumentum.al, Znj. Almira Xhembulla, Zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit.
Znj. Xhembulla bën të ditur gjithshtu se qeveria shqiptare është e angazhuar në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. “Kjo përfshin integrimin e parimeve mjedisore në politikat e saj dhe miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm. Ka pasur përpjekje për të reduktuar ndotjen dhe për të menaxhuar mbetjet përmes ligjeve të riciklimit dhe trajtimit të mbetjeve të rrezikshme. Investimet në energji të rinovueshme janë rritur, dhe është rritur sipërfaqja e zonave të mbrojtura për të mbrojtur biodiversitetin dhe për të inkurajuar turizmin e qëndrueshëm”.
Sa i përket Samitit Botëror të Klimës COP29, që këtë vit mbahet në Baku-Azerbajxhan, ku Shqipëria do të marrë pjesë, zëvëndësminsitrja e Turzimit thotë se në Samitin Botëror të Klimës COP29, Shqipëria ka angazhuar të reduktojë emetimet e gazeve serë me 20.9% deri në vitin 2030. “Pjesëmarrja e Shqipërisë në Samitin Botëror të Klimës COP29 është një mundësi për të ndarë përvojat dhe për të mësuar nga praktikat më të mira ndërkombëtare. Përmes këtij angazhimi, Shqipëria synon të kontribuojë në përpjekjet globale për të ndaluar ndryshimet klimatike dhe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm”, thekson ndër të tjera në intervistën e mëposhtme Znj. Almira XHembulla, Zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit.
-Ndryshimet klimatike shfaqen si një sfidë e rëndësishme për mbarë botën por si po ndikojnë ndryshimet klimatike në Shqipëri dhe çfarë hapash po ndërmerr qeveria shqiptare për adresimin e tyre?
Ndryshimet klimatike janë një sfidë globale me ndikime të rëndësishme edhe në Shqipëri. Efektet e këtyre ndryshimeve janë të dukshme në disa fusha kryesore. Temperaturat mesatare në Shqipëri kanë shfaqur një trend rritës gjatë dekadave të fundit, gjë që ndikon negativisht në bujqësi, pyje dhe blegtori, duke rritur nevojën për ujitje dhe duke shtuar stresin mbi ekosistemet natyrore. Shqipëria ka përjetuar periudha të gjata të reshjeve intensive që kanë shkaktuar përmbytje të mëdha, duke dëmtuar infrastrukturën, bujqësinë dhe duke rrezikuar jetën e njerëzve. Në të njëjtën kohë, periudha të zgjatura thatësire kanë ndikuar negativisht në furnizimin me ujë. Rritja e nivelit të detit dhe valët më të forta për shkak të ndryshimeve klimatike kanë përshpejtuar erozionin e vijës bregdetare, duke dëmtuar habitatet natyrore dhe duke kërcënuar zonat e banuara dhe turizmin.
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa hapa për të adresuar këto sfida. Një nga këto masa është miratimi i Strategjisë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike, e cila përfshin masa për reduktimin e emetimeve të gazeve serë dhe masa për përmirësimin e kapacitetit të vendit për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike. Po ashtu, janë bërë investime në energji të rinovueshme si hidrocentralet, parqet eolike dhe panelet diellore. Në këtë drejtim, qeveria po nxit gjithashtu efikasitetin energjetik në ndërtesa dhe industri përmes standardeve dhe stimujve financiar.
Një tjetër masë e rëndësishme është mbrojtja e vijës bregdetare dhe menaxhimi i ujit. Projekte të shumta janë nisur për mbrojtjen e vijës bregdetare nga erozioni dhe për përmirësimin e infrastrukturës së ujit, përfshirë ndërtimin e digave dhe përmirësimin e kanalizimeve. Në të njëjtën kohë, janë ndërmarrë iniciativa për pyllëzimin dhe mbrojtjen e pyjeve ekzistuese, si dhe për ruajtjen e biodiversitetit, duke rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura dhe duke përmirësuar menaxhimin e parqeve natyrore.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka organizuar fushata edukimi dhe ndërgjegjësimi për qytetarët dhe bizneset lidhur me ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit. Për më tepër, Shqipëria është angazhuar në marrëveshje ndërkombëtare si Marrëveshja e Parisit, ku vendi ka paraqitur kontributet e veta të përcaktuara (NDC) për reduktimin e emetimeve të gazeve serë.
Këto masa janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të trajtuar sfidat që paraqesin ndryshimet klimatike dhe për të mbrojtur ambientin dhe shëndetin e qytetarëve të Shqipërisë.
– Cilat janë angazhimet e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm?
Qeveria shqiptare është angazhuar nëpërmjet një sërë iniciativash dhe politikash për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Një nga angazhimet kryesore është integrimi i parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm në të gjitha politikat dhe programet e qeverisë, duke siguruar që zhvillimi ekonomik të jetë në harmoni me mbrojtjen e mjedisit. Për këtë qëllim, qeveria ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm, e cila synon të balancojë zhvillimin ekonomik, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mbrojtjen e burimeve natyrore.
Një tjetër angazhim i rëndësishëm i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është reduktimi i ndotjes dhe menaxhimi i mbetjeve nëpërmjet miratimit të kuadrit ligjor që synon përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve, duke përfshirë riciklimin dhe trajtimin e mbetjeve të rrezikshme. Janë ndërmarrë gjithashtu masa për reduktimin e ndotjes së ajrit dhe ujit, përfshirë investimet në teknologji më të pastër dhe përmirësimin e infrastrukturës së ujit dhe kanalizimeve.
Në fushën e mbrojtjes së biodiversitetit, është rritur sipërfaqia e zonave të mbrojtura, duke përfshirë parqe kombëtare dhe zona të mbrojtura detare. Këto masa synojnë ruajtjen e habitateve natyrore dhe llojeve të rrezikuara, duke promovuar njëkohësisht turizmin e qëndrueshëm.
Për të nxitur energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin energjetik, qeveria ka promovuar investimet në burime të qëndrueshme energjie, si hidrocentralet, parqet eolike dhe panelet diellore. Janë vendosur gjithashtu stimuj financiarë për të inkurajuar përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe për të përmirësuar efikasitetin energjetik në ndërtesa dhe industri.
Këto janë vetëm disa nga masat që përfaqësojnë përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare për të mbrojtur mjedisin dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen.
-Azerbajxhani do të jetë vendi pritës i Samitit Botëror të Klimës COP29 këtë vit, nën temën “Financat e Gjelbra”, dhe Shqipëria do të jetë pjesë e Samitit Botëror të Klimës. Cili është kontributi i palës shqiptare për klimën?
Edhe pse jemi një vend me shkarkime të Gazeve me Efekt Serrë të papërfillshme në kontekstin global, Shqipëria ka ndërmarrë një sërë masash dhe ka kontribuar në mënyrë aktive në përpjekjet globale për të adresuar ndryshimet klimatike.
Një nga kontributet kryesore të Shqipërisë është angazhimi për reduktimin e emetimeve të gazeve serë. Në kuadër të Marrëveshjes së Parisit, Shqipëria ka paraqitur Kontributet e Përcaktuara Kombëtarisht (NDC), ku në dokumentin e rishikuar për vitet 2021-2030 synohet reduktimi i emetimeve të gazeve serë me 20.9% deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 2016. Ky angazhim përfshin masa për përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe rritjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë, si hidrocentralet, parqet eolike dhe panelet diellore, rritjen e sipërfaqeve të pyllëzuara etj.
Një tjetër kontribut i rëndësishëm është mbështetja për projekte dhe iniciativa të gjelbra, të cilat synojnë të zhvillojnë ekonominë e gjelbër dhe të përmirësojnë menaxhimin e burimeve natyrore. Shqipëria ka promovuar politika dhe stimuj financiarë për të inkurajuar investimet në teknologji të pastër dhe projekte të qëndrueshme mjedisore, duke përfshirë nisma për pyllëzim dhe mbrojtjen e biodiversitetit.
Në kontekstin e temës së këtij viti, “Financat e Gjelbra”, Shqipëria ka bërë përpjekje për të mobilizuar financime për projekte që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe përballjen me ndryshimet klimatike. Bashkëpunimi me mekanizmat financiar ndërkombëtar dhe donatorë ka qenë kyç për sigurimin e fondeve për projektet mjedisore dhe klimatike.
Më lejoni të përmend një nga sukseset e fundit, ku pas një rrugëtimi të gjatë, të koordinuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe GIZ, gjithëpërfshirës, plot sfida, vështirësi, emocione, me përkushtim dhe punë nga të gjithë aktorët e përfshirë, me një mori analizash e dokumentash, ja dolëm të sjellim në Shqipëri dhe në rajon të parin program bilateral të financuar nga Green Climate Fund “ALBAdapt – Climate Services for a Resilient Albania”
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Samitin Botëror të Klimës COP29 është një mundësi për të ndarë përvojat dhe për të mësuar nga praktikat më të mira ndërkombëtare. Përmes këtij angazhimi, Shqipëria synon të kontribuojë në përpjekjet globale për të ndaluar ndryshimet klimatike dhe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.
-Cilat janë ato nisma apo politika që janë ndërmarrë për ndërgjegjësimin e mbrojtjes së mjedisit, mbajtjes paster të tij? Njëkohësisht cilat janë masat administrative për ndëshkimin e atyre që e shkatërrojnë mjedisin dhe bëhen shkak për ndotjen e tij. Flas këtu per zjarrvënien, përfshirë trajtimin e mbeturinave etj.
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë nismash dhe politikash për ndërgjegjësimin e publikut lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe mbajtjen e tij të pastër. Një nga nismat kryesore është organizimi i fushatave të ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit, të cilat përfshijnë aktivitete edukative në shkolla, media dhe komunitete. Këto fushata synojnë të edukojnë qytetarët për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe për pasojat negative të ndotjes.
Një tjetër iniciativë e rëndësishme është përfshirja e mësimeve për mbrojtjen e mjedisit në programet shkollore. Nëpërmjet këtyre programeve, nxënësit mësojnë për mbrojtjen e natyrës, menaxhimin e mbetjeve dhe rëndësinë e një jete të qëndrueshme. Gjithashtu, janë zhvilluar aktivitete komunitare si ditët e pastrimit, ku qytetarët mobilizohen për të pastruar hapësirat publike dhe për të promovuar kujdesin për mjedisin.
Ne vitin 2023 ne bashkepunim me MAS, Bashkine Tirane dhe UNICEF u lancua nisma “Miku I Mjedisit”, ne 27 shkolla 9 vjeçare dhe te mesme te Tiranes, gjate te cilit u zhvilluan fushata ndergjegjesuese ne çdo shkolle dhe u siguruan me mbeshtetjen e UNICEF kosha per ndarjen e mbetjeve dhe promovimin e riciklimit.
Për të ndëshkuar ata që shkelin rregullat dhe shkaktojnë ndotjen e mjedisit, qeveria shqiptare ka vendosur masa të rrepta administrative dhe ligjore. Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit dhe legjislacioni sectorial ku parashikohen gjoba të rënda dhe masa ndëshkuese për ata që kryejnë veprime si zjarrvënia e qëllimshme, ndotja e ujërave, ajrit dhe tokës, dhe hedhja e paligjshme e mbetjeve.
Prej Nentorit 2022 MTM ka lancuar programin kombetar te pastrimit ne shkalle vendi, ne kuader te te cilit organizohen aksione pastrimi ne shkalle Prefekture dhe per te cilet 12 Prefektet raportojne rregullisht ne baze javore per aktivitetet e kryera dhe zonat respective.
Dua të sjell në vëmendje një nga iniciativat pas përfundimit të procesit të Këshillimit Kombëtar, menjëherë Kryeministria nisi punën për të jetësuar iniciativat me përparësi të evidentuara. Bazuar në rezultatet e këshillimit kombëtar, rezultoi se qytetarët vlerësuan se, për të parandaluar veprimet e individëve apo subjekteve të cilët shkatojnë ndotjen e mjedisit dhe hapësirave publike, nevojitet që të ashpërsohen masat ndëshkuese.
Konkretisht, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si institucioni përgjegjës ndërmorri hapin për rishikimin e legjislacionit sektorial me qëllim ashpërsimin e kundravajtjeve administrative në legjislacionin në fuqi për mjedisin me 30% të vlerës së gjobave,
Për zjarrvënien, legjislacioni penal parashikon dënime të ashpra për ata që shkaktojnë zjarre në mënyrë të qëllimshme ose nga pakujdesia, duke rrezikuar kështu jetën e njerëzve dhe mjedisit natyror. Për rastet e trajtimit të paligjshëm të mbeturinave, përfshirë hedhjen e mbetjeve në hapësira publike dhe natyrore, janë vendosur gjoba të konsiderueshme dhe masa ndëshkuese që përfshijnë edhe ndjekjen penale.
Struktura përgjegjëse për mjedisin luan një rol kyç në monitorimin dhe zbatimin e këtyre ligjeve. Inspektorët kryejnë kontrolle të rregullta dhe marrin masa të menjëhershme ndaj shkelësve. Në raste të rënda, ata bashkëpunojnë me organet e rendit dhe drejtësisë për të ndjekur penalisht ata që kryejnë veprime të dëmshme për mjedisin.
Gjithashtu, qeveria ka ndërmarrë nisma për të përmirësuar menaxhimin e mbetjeve, nepermjet amendimit te ligjit per menaxhimin e integruar te mbetjeve per rritjen e mases se gjobave per te gjitha kundervajtjet qe lidhen me hedhjen, groposjen, djegjen, braktisjen, depozitimin apo asgjësimin e pakontrolluar te mbetjeve. Edhe ne keto raste masa e gjobave te parashikuara eshte rritur ne masen 30 %.
Këto masa dhe politika përbëjnë përpjekjet e qeverisë shqiptare për të mbrojtur mjedisin dhe për të ndëshkuar ata që e ndotin, duke krijuar një ambient më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët.
-Cilat janë sfidat e vërteta të turizmit shqiptar? Duke qene se Shqipëria ofron mundësi për turizëm në katër stinët e vitit, ç’ka kërkon dhe një përkujdesje të madhe për mjedisin. Si ndikojnë ndryshimet klimatike në turizmin shqiptar dhe përkujdesja për ruajtjen e atraksioneve natyrore në kushte të ndryshimeve klimatike?
Vitet e fundit ndryshimet klimatike po ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme në turizmin shqiptar, pozitivisht në zgjatjen e sezonit turistik gjatë verës por negativisht në infrastrukturën turistike. Efektet kryesore përfshijnë temperaturat e larta gjatë verës, ndryshimet në sasinë e reshjeve, përmbytjet dhe erozionin e bregdetit.
Rritja e temperaturave dhe ndryshimet në reshje kanë ndikuar negativisht në ekosistemet natyrore, si parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura, të cilat janë atraksione të rëndësishme për turistët. Thatësira dhe temperaturat e larta mund të reduktojnë biodiversitetin dhe bukurinë natyrore, duke ndikuar negativisht në përvojën e turistëve dhe atraktivitetin e destinacioneve.
Projeksionet e fundit tregojnë në vijën bregdetare, rritje të nivelit të detit dhe erozion që kërcënon plazhet dhe zonat bregdetare, të cilat janë atraksionet kryesore për turistët. Këto efekte mund të zvogëlojnë hapësirën e plazheve dhe të dëmtojnë infrastrukturën turistike si hotelet dhe resortet.
Për të përballuar sfidat e ndryshimeve klimatike dhe për të ruajtur atraksionet natyrore, Shqipëria ka ndërmarrë disa masa të rëndësishme. Miratimi i Strategjisë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike, i cili përfshin planin për përshtatjen ndaj ndryshimet klimatike, duke përmirësuar menaxhimin e burimeve natyrore dhe mbrojtjen e ekosistemeve,duke zbatuar projekte për mbrojtjen e bregdetit dhe menaxhimin e ujit në zonat turistike. Po ashtu, janë bërë investime në infrastrukturë të qëndrueshme, si ndërtimi i rrugëve dhe strukturave që përballojnë përmbytjet dhe ngjarjet ekstreme të motit, dhe përmirësimi i sistemeve të kanalizimeve dhe furnizimit me ujë për të siguruar aksesueshmëri në zonat turistike. Nxitja e turizmit të qëndrueshëm është gjithashtu në fokus, duke promovuar praktikat e mira mjedisore mes bizneseve turistike dhe edukimin e turistëve për ruajtjen e mjedisit. Nëpërmjet bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare dhe përdorimi i fondeve të financimit të gjelbër janë zbatuar projekte që mbrojnë mjedisin dhe nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Përmes këtyre përpjekjeve, Shqipëria synon të mbrojë atraksionet natyrore dhe të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme për industrinë e turizmit në vend.
Sikundër e përmendëm në krye të herës, Azerbajxhani do të jetë vendi pritës i Samitit Botëror të Klimës COP29, cilat janë pritshmëritë nga ky samit në lidhje me financimin e gjelbër dhe veprimet konkrete për të luftuar ndryshimet klimatike?
Samiti Botëror i Klimës COP29 që do të mbahet në Azerbajxhan është një ngjarje e rëndësishme në përpjekjet globale për të adresuar ndryshimet klimatike, dhe pritshmëritë për këtë samit janë të larta, veçanërisht për vendet në Zhvillim si Shqipëria në lidhje me financimin e gjelbër dhe veprimet konkrete për të luftuar ndryshimet klimatike.
Një nga pritshmëritë kryesore nga COP29 është rritja e angazhimeve financiare për financimin e gjelbër. Financimi i gjelbër përfshin investimet në projekte dhe teknologji që kontribuojnë në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë, përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe promovimin e burimeve të rinovueshme të energjisë. Vendet pjesëmarrëse pritet të rrisin kontributet e tyre në Fondin e Gjelbër të Klimës dhe të tjera iniciativa ndërkombëtare që mbështesin vendet në zhvillim në përballjen me ndryshimet klimatike.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është përmirësimi i qasjes në financimin e gjelbër për vendet në zhvillim dhe komunitetet e prekura. COP29 pritet të trajtojë çështjen e barazisë në financimin e klimës, duke siguruar që vendet më të varfra dhe më të prekura nga ndryshimet klimatike të kenë akses në fondet dhe teknologjitë e nevojshme për adaptimin dhe reduktimin e emetimeve.
Në përfundim, pritshmëritë nga COP29 janë të larta, jo vetëm për financimin e gjelbërt por edhe për angazhimet e reja financiare, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, përfshirjen e sektorit privat, dhe përmirësimin e qasjes në financimin e gjelbër për vendet në zhvillim, nxitja e inovacionit dhe transferimi i teknologjive të pastra janë disa nga pritshmëritë kryesore nga ky samit.
© 2024 Argumentum