Shqipëria është sot në zi kombëtare në nder të majorit Klodian Tanushi i rënë në krye të detyrës gjatë një misioni në Letoni.
Në nder të major Tanushit, komandant i kontingjentit shqiptar në Letoni, ditën e sotme në të gjitha institucionet publike e private, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë.
Prej orës 10:00-12:00, në Muzeun Historik Kombëtar u mbajt ceremonia e homazheve për major Klodian Tanushin.
Të parët që u përkulën mbi arkivolin e mbuluar me flamurin kuqezi ishin familjarët, ndërsa moment prekës ishte parakalimi para fotos së Tanushit i bashkëshortes me të bijën 1 vjeç e gjysmë.
Veç miqve dhe të afërmve, homazhe në nder të majorit zhvilluan edhe kolegë të tij ushtarakë shqiptarë dhe të huaj, ish-ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli, ish-deputetët demokratë Edmond Spaho dhe Edi Paloka, Presidenti Ilir Meta, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i shoqëruar nga deputeti Taulant Balla, zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, Ministrja e Mbojtjes Olta Xhaçka.