Shqipëria ka nisur punën për të pritur sërish një nga stërvitjet më të mëdha “Defender 2023”.
Për këtë u organizua edhe konferenca koordinuese, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Bajram Begaj, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim si dhe përfaqësues të lartë ushtarakë të SHBA dhe Shqipërisë.
Në fjalën e tij, ministri Peleshi e cilësoi një histori suksesi stërvitjen “Defender 2021”, e cila u zhvillua disa muaj më parë.
“Kjo stërvitje shkon përtej gjithë dimensionit ushtarak dhe konfirmoi përfshirjen dhe gatishmërinë e të gjithë qeverisë për të ndihmuar dhe lehtësuar të gjitha kërkesat specifike dhe të përgjithshme për ekzekutimin e saj të shpejtë. Stërvitje të tilla me shikueshmëri të lartë tregojnë rëndësinë strategjike të Politikës së Zgjeruar të Parandalimit të SHBA-së për NATO-n dhe aleatët dhe partnerët e saj evropianë si dhe rithekson angazhimin e fortë që Aleanca, dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara, i kushtojnë rajonit tonë. “Defender Europe” për ne, mbetet një mjet i fuqishëm i komunikimit strategjik i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe garancisë për qytetarët tanë, vendet e rajonit dhe mbarë Evropën”, – theksoi Peleshi.
Teksa siguroi mbështetjen dhe ndihmën maksimale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA për stërvitjen e radhës “Defender – 23”, ministri Peleshi tha se Shqipëria konfirmoi gatishmërinë të shërbejë sërish si vend pritës për serinë e “Defender”.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim vlerësoi gatishmërinë e Shqipërisë si për “Defender 2021” ashtu edhe për angazhimin e shprehur për “Defender 2023”. Ambasadorja Kim tha se “Shqipëria, ashtu si kombet e përfaqësuara në këtë vend, është e përkushtuar ndaj aleatëve të saj në NATO dhe ka treguar vazhdimisht se është një mike dhe aleate e vërtetë dhe guximtare e Shteteve të Bashkuara”.
“Dita e sotme përfaqëson një zgjerim të atij angazhimi dhe ne do t’i çojmë përpara qëllimet tona të përbashkëta për gatishmëri dhe ndërveprim. Fjala “historike” përmendet shpesh, por është me të vërtetë fjala e vetme që mund të përdorim për të përshkruar stërvitjen që kemi në plan të ndërmarrim, që kemi ndërmarrë këtë vit. Kjo përfshin një grup stërvitjesh jashtëzakonisht ambicioze. Fakti që kemi mbi 30 vende pjesëmarrëse këtu këtë javë, tregon se qëllimi ynë për të vepruar së bashku në tokë, në det ose në ajër, nuk është vetëm dobiprurës, por është edhe i arritshëm. Të shohësh flamujt e vendeve tona në uniformat e atyre që stërviten krah për krah, dërgon një mesazh të fuqishëm për miqtë tanë, ashtu edhe për kundërshtarët tanë, se kombet tona nuk do të prapësohen së mbrojturi miqtë dhe aleatët tanë”, nënvizoi Kim.
Ambasadorja amerikane u shpreh se, “shpresoj që çdo ushtar, detar dhe pilot të mos harrojë se të gjithë ju jeni si unë në këto çaste, ambasadorë të vendit tonë. Shpresoj se do të përfitoni nga këto çaste për të parë vendin, për të përfaqësuar më të mirën e Amerikës dhe për të përfaqësuar më të mirën e Shqipërisë kur të largoheni për t’u kthyer në vendin tonë”.
Ndërsa në fjalën e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Bajram Begaj u shpreh i sigurt se “’Defender Europe 23′, përmes aktiviteteve dhe demonstrimit të aftësive të saj do t’u japë kundërshtarëve një mesazh të qartë dhe të fortë parandalimi dhe mbrojtjeje”.