Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi sot pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Pro votuan 171 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan. Politikanët shqiptarë kanë përshëndetur këtë votim që sjell dhe më afër anëtarësimin zyrtar të Kosovës në KE.
Në një postim në rrjetet sociale Rama tha se “një hap historik sapo u hodh në asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës për pranimin e Kosovës si anëtar i komunitetit të shteteve të KiE”.
“Urime, urime, urime nga zemra Kosovës dhe faleminderit të gjithë miqve e partnerëve në Asamblenë Parlamentare, që na mbështetën në hedhjen e këtij hapi të drejtë, i cili i dha Kosovës çka i takonte dhe i bëri nder vetë Këshillit të Europës”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “tani hapi i fundit historik në maj, në Komitetin e Ministrave, ku të gjithë duhet të bëjnë të vetmen gjë të duhur: vulosjen e këtij anëtarësimi pa të cilin mozaikut europian të Këshillit të Europës i mungon një gur i pamohueshëm dhe i pazëvendësueshëm”.
Ndërsa Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, e ka cilësuar votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si një hap tjetër historikë për Kosovën.
“Një tjetër moment historik për Kosovën. Rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës është një njohje e progresit dhe potencialit të saj. Është një hap vendimtar drejt rritjes së bashkëpunimit, stabilitetit dhe prosperitetit për popullin e Kosovës. Është një dëshmi e përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave evropiane.Hapi tjetër: Komiteti i Ministrave”, shkruan Hasani.
Presidenti Begaj: Pritet vetëm hapi final në maj
Presidenti Bajram Begaj përshëndeti sot vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Në një postim në rrjetet sociale Begaj tha se “falënderoj të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë mbështetur kërkesën e drejtë të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”.
“Tashmë pritet vetëm hapi final në maj, i cili shënon edhe momentin e merituar për të festuar”, theksoi Begaj.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi sot pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Pro votuan 171 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.
Bardhi: Moment historik për Kosovën dhe popullin e saj
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi përshëndeti sot vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi tha se ky vendim i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nuk është vetëm një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe proceset integruese të saj, por edhe një vlerësim për demokracinë e brendshme dhe paqen rajonale
“Urime Kosovë!”, shkruan Bardhi. “Moment historik për Kosovën dhe popullin e saj që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës votoi pro rekomandimit për anëtarësimin e Kosoves ne KE
Nikolla: Sukseset e Kosovës janë edhe të Shqipërisë
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përshëndet votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për pranimin e Kosovës në KiE, duke e cilësuar si një lajm të gëzueshëm për një sukses të merituar
“Votimi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i pranimit të Kosovës në KiE dhe përcjellja e Komitetit të Ministrave për vendimmarrjen përfundimtare është një lajm i gëzueshëm për një sukses të merituar”, thekson Nikolla.
“Prej aplikimit të Kosovës dhe deri sot, Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet delegacionit në AP të KiE dhe diplomacisë parlamentare intensive, ka lobuar fort për arritjen e këtij objektivi politik kombëtar. Sukseset e Kosovës janë edhe të Shqipërisë dhe anasjelltas”, përfundon reagimi i Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.
Basha: Moment historik, i’a dolëm që Kosova të triumfojë sot
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi sot anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës një ditë të madhe për Kosovën dhe shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.
“Të gjithë së bashku në udhëheqjen e Kosovës i’a dolëm që Kosova të triumfojë sot”, tha Basha në një postim në rrjetet sociale.
Basha falënderoi Dora Bakojanis për kontributin e jashtëzakonshëm për të arritur në këtë moment historik.
Gjylameti në Asamblenë e KiE: Vota për Kosovën, votë për stabilitet në Ballkan
Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku u diskutua dhe u votua mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE), deputetja shqiptare Blerina Gjylameti, njëherësh dhe Zv. Presidente e Asamblesë bëri thirrje për mbështetjen e kërkesës se Kosovës për anëtarësim.
“Le t’i tregojmë botës se përkushtimi ynë ndaj vlerave tona themelore është i palëkundur dhe se jemi të gatshëm të mbështesim të gjitha kombet që aspirojnë këto ideale. Ju bëj thirrje, anëtarë të nderuar, të votoni në favor të këtij projekt-opinioni që Komiteti i Ministrave të shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim.Le të përqafojmë këtë mundësi historike për të forcuar strukturën e unitetit evropian dhe për të ndërtuar një të ardhme ku çdo komb mund të lulëzojë në paqe dhe harmoni”, theksoi Gjylameti.
Zv. Presidentja e Asamblesë së Këshillit të Europës nënvizoi se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është vetëm një gjest simbolik, por dhe një dëshmi e njohjes së progresit të bërë nga njerëzit e saj.
“Sot, ne qëndrojmë në një moment kyç të historisë, jo vetëm për Kosovën, por për vetë idealet që mbështet Këshilli i Evropës. Duke e konsideruar këtë kërkesë të Kosovës, ne nuk po vendosim vetëm për një opinion për aplikim për anëtarësim, ne po afirmojmë përkushtimin tonë ndaj parimeve të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është vetëm një gjest simbolik.
Është një dëshmi e njohjes së progresit të bërë nga njerëzit e saj drejt ndërtimit të një shoqërie që pasqyron vlerat tona të përbashkëta evropiane”, tha ajo.
Gjylamenti u shpreh se një votë në favor të këtij opinioni është një votë për forcimin e shtetit të së drejtës në një rajon që ka parë shkatërrimet e konfliktit dhe sfidat e rindërtimit.
“Është një votë për forcimin e demokracisë në një komb të ri që ka treguar qëndrueshmëri dhe vendosmëri në rrugëtimin e tij demokratik. Dhe është një votë për avancimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke siguruar që çdo individ pavarësisht kombësisë të jetojë me dinjitet dhe liri nën çadrën e kësaj organizate”, tha Gjylameti.
Deputetja socialiste deklaroi në Asamblenë e KiE-së se vota pro Kosovës është një mesazh i qartë se, “Evropa qëndron e bashkuar, se ne jemi më të fortë së bashku dhe se nuk do të lëkundemi në mbështetjen tonë për ata që kërkojnë t’i bashkohen komunitetit tonë të kombeve, një komuniteti vlerash të përbashkëta”.
Gjylameti tha se “të mos harrojmë se Këshilli i Evropës u themelua mbi hirin e luftës, me vizionin e një kontinenti të bashkuar në paqe dhe solidaritet. Sot, ndërsa përballemi me sfida të reja, le ta ringjallim atë vizion duke e mirëpritur Kosovën në gjirin tonë”.
/Argumentum.al