Të dhënat e Institutit të Paqes së Stockholmit tregojnë se, Shqipëria ka rritur në mënyrë modeste shpenzimet ushtarake gjatë vitit të kaluar, në terma të peshës ndaj prodhimit të brendshëm bruto. Në Shqipëri rritja fiksohet në 0.1 pikë përqindje, nga 1.2% në 1.3%. Pavarësisht rritjes, norma mbetet ende shumë larg objektivit të Natos. Vendet anëtare të Natos janë ta angazhuara për shpenzimet në 2% të PBB-së për mbrojtjen.
Në terma absolutë, shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen gjatë vitit të kaluar, u ngjitën në 198 milionë dollarë, nga 197 milionë të një viti më parë. Në raport me shpenzimet totale të qeverisë, ato për mbrojtjen në 2019-ën, u ngjitën në 4.3%, nga 3.9% që ishin vitin paraardhës. Pra, tendenca e përgjithshme flet për rritje. Por, kjo tendencë duket se nuk është vetëm e Shqipërisë, madje vende të ndryshme të botës, me në krye Gjermaninë, kanë rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake gjatë vitit të kaluar.
Sipas Institutit të Stockholmit, shpenzimet globale për mbrojtjen kanë prekur nivelin më të lartë që prej krizës së vitit 2008. Në nivel global, rritja e shpenzimeve fiksohet në masën 3.6%. Pesë shtetet me shpenzimet më të mëdha për mbrojtjen në botë, sipas të dhënave të vitit 2019 janë: SHBA, Kina, India, Rusia, Arabia Saudite. Kjo është hera e parë që në tre vendet e para janë dy vende aziatike. Gjatë të gjithë vitit 2019, bota ka shpenzuar 2.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto global, ose $249 për person, vetëm për mbrojtjen. Në vendin tonë, shpenzimet për mbrojtjen, për frymë, fiksohen në rreth 70 dollarë, tregojnë të dhënat.