Këshilli i Ministrave shpalli të shtunën, 26 prill, ditë zie kombëtare, në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, papa Françesku, i cili ndërroi jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare.
Sipas vendimit të qeverisë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
Ftohen të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private që gjatë ditës së zisë kombëtare të transmetojnë muzikë funebër.
Për zbatimin e këtij vendimit ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Papa Françesku u shfaq për herë fundit në publik më 20 prill në Bazilikën e Shën Pjetrit për bekimin tradicional ”Urbi et Orbi”, në fund të meshës së Pashkëve, të kremtuar në sheshin e Shën Pjetrit nga kardinali Angelo Comastri.
Në 12 vitet e pontifikatit, Papa i parë jezuit dhe i Amerikës së Jugut në histori është angazhuar pa u lodhur për mbrojtjen e emigrantëve, mjedisin dhe drejtësinë sociale pa vënë në dyshim pozicionet e Kishës për abortin apo beqarinë e priftërinjve.
Papa Françesku do të varroset të shtunën më 26 prill në bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë.