Partia Demokratike e Shqipërisë e drejtuar nga Lulzim Basha dhe Lëvizja Sociaiste për Integrim, me drejtuese Monika Kryemadhin, kanë firmosur marrëveshjen e koalicionit më të madh në historinë e 30 viteve.
Marrëveshja e tyre u firmos nën sloganin “Shqipëria, shtëpia që fiton”.
Ajo që bie në sy është se ky është një slogan i shkrirë mes atij të PD-së dhe LSI-së.
Kjo marrëveshje përmban 13 pika dhe fokusi kryesor është nxjerrja e vendit nga kriza.
MARRËVESHJE KOALICIONI MIDIS PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË DHE LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim,
Me angazhimin solemn për të zgjidhur problemet kritike kushtetuese, institucionale, politike, ekonomike, sociale si dhe ato të shëndetit publik, me të cilat përballet vendi dhe që e kanë çuar situatën në Shqipëri në një udhëkryq tepër të rrezikshëm;
Mbështetur dhe në vijim të marrëveshjes së krijimit të Opozitës së Bashkuar, të datës 23/04/2019;
Në përgjigje të ndryshimeve arbitrare, antikushtetuese të Kodit Zgjedhor dhe të Kushtetutës së Shqipërisë të datës 30 Korrik, 2020;
Me synimin për t’i dhënë Shqipërisë një qeverisje të re, ‘nga njerëzit – për njerëzit’, e cila do t’i japë fund polarizimit të tejskajshëm, politik, ekonomik dhe social, që ka vendi, t’i kthejë atyre besimin për ndërtimin e Shqipërisë si gjithë Europa, duke krijuar mundësi për punësim të mirëpaguar, duke çliruar ekonominë dhe duke i ofruar çdo qytetari, të rinjve dhe grave, sipërmarrësve dhe pensionistëve, mundësi reale për mirëqenie dhe prosperitet.
Vendosin:
Përballimi dhe zgjidhja e problemeve kritike të vendit do të jenë objektivi themelor i programeve elektorale në zgjedhjet e 25 prillit dhe shtyllat e Programit Qeverisës të përbashkët pas fitores së zgjedhjeve.
Si Opozitë e Bashkuar, PD dhe LSI do të konkurojnë në zgjedhje me dy lista (PD-AN + LSI), për të realizuar një përfaqësim të plotë dhe sa më gjithëpërfshirës politiko-elektoral dhe kurorëzimin e fitores së Opozitës në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.
Të respektojnë shtyllat themelore programore të të dy partive respektive në qeverisjen e ardhshme.
Përfaqësimi në të gjithë nivelet e qeverisjes së ardhshme do të realizohet proporcionalisht mbi bazën e rezultatit zgjedhor.
Opozita e Bashkuar do të jetë unanime në angazhimin e tyre në qeverisje për t’i dhënë përgjigje dhe zgjidhje të mënjëhershme për sa më poshtë vijon:
1. Nxjerrjen e vendit nga kriza shumë e rëndë ekonomike e shkaktuar nga qeverisja klienteliste dhe bashkëpunëtore e oligarkisë dhe e krimit. Rikthimi i ekonomisë në funksion të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve, duke i dhënë fund grabitjes më të madhe të ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, përmes konçesioneve, oligarkëve, korrupsionit me paratë publike, që ka pushtuar çdo nivel të qeverisjes. Ky transformim ekonomik do të realizohet me një program të qartë dhe të diskutuar gjerësisht me qytetarët dhe grupet e interesit.
2. Përmbushjen e të gjitha kushteve për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe dhënien fund të çdo pengese të krijuar nga qeverisja aktuale për këtë proces jetik për të gjithë shqiptarët si dhe për mobilizimin e të gjithë faktorëve politikë dhe të shoqërisë civile për realizimin e këtij objektivi.
3. Rivendosja e shtetit të së drejtës dhe e sundimit të ligjit, çlirimin e shtetit nga kapja, rikthimin e llogaridhënies, duke i dhënë fund abuzimit dhe shkeljes flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve, pandëshkueshmërisë së zyrtarëve publikë dhe fenomeneve shkatërruese si korrupsioni dhe uzurpimi i pushtetit për përfitime dhe interesa vetjake.
4. Ndërtimin e një aksioni qeveritar intensiv për të frenuar shpopullimin masiv.
5. Prioritarizimin e krijimit të punësimit të mirëpaguar, si rruga kryesore për të përmirësuar jetën e shqiptarëve.
6. Realizimin e një programi qeverisës me prioritet rininë, për një arsimim cilësor dhe mundësi të gjera punësimi të saj, për të eleminuar tragjedinë e shpopullimit dhe largimit masiv të të rinjve dhe për integrimin e mëtejshëm në drejtim, në politikëbërje dhe në shoqëri.
7. Për të garantuar mundësi të barabarta për përfaqësimin e gruas në vendimmarrje, për emancipimin dhe fuqizimin e saj në shoqëri dhe politikëbërje.
8. Për të realizuar një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar, trafiqeve të çdo lloji dhe pastrimit të parave të pista, si shkaqe penguese kryesore për zhvillimin e vendit dhe sigurinë publike të qytetarëve.
9. Për të zgjidhur në mënyrë prioritare problemin e rindërtimit të banesave të dëmtuara dhe të shkatërruara nga tërmetet. Për një proçes shumë të shpejtë, jokorruptiv e selektiv dhe me garanci juridike për pronën e tyre, që u mundëson qytetarëve të kenë në kohën më të shpejtë të mundshme njësitë e banimit apo të shërbimit.
10. Për t’i dhënë fund problemit kritik të pandemisë COVID-19, duke zbatuar një plan shëndetësor-social, i cili i jep përgjigje kufizimit të përhapjes, realizimin e testimeve, gjurmimeve dhe trajtimeve mjekësore, rimbursimin e shpenzimeve për pacientët, që trajtohen në banesë, vaksinimin e gjerë të popullatës larg trajtimit diskriminues. Për të realizuar planin e rimëkëmbjes së ekonomisë dhe mbështetjes së qytetarëve dhe biznesit të prekur nga pandemia.
11. Për zhvillimin real dhe të qenësishëm të kulturës dhe sportit.
12. Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe për t’i dhënë fund dëmtimit, tjetërsimit dhe asgjësimit të saj.
13. Për garantimin e rikthimit të pronave për komunitetet fetare në vendin tonë.
Pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje e para që foli në një konferencë për mediat ishte kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Ajo sqaroi edhe marrëveshjen me PD-në, ndërsa theksoi se ndryshimi i pushtetit do të vijë, për një të ardhme më të mirë. Ajo e cilësoi ditën e sotme një ditë historike.
“Sot është një ditë historike do ta quaja për LSI, dhe PD. Por më e rëndësishme do të ishte për të gjithë shqiptarët,. Pasi bashkimi dhe konsolidimi i një koalicioni përballë një sekti kriminal dot të jetë i domosdoshëm për shqiptarët. Sot LSI dhe PD janë bërë bashkë si aleatë kundër dështimeve të qeverisë Rama. Sot dakordësohemi për të bashkuar forcat në shërbim të shqiptarëve. Partneriteti ynë tregon qartë se ndryshimi po vjen. Ditë më të mira ka për shqiptarët dhe për të gjithë kudo ku jetojnë.
E di se do të ketë shumë prej atyre që do të thonë se LSI është nëj aprti që rrriten nga elektorali I së majtës. Por një parti si ne, LSI, ku në thelb të saj ka socialdemokracinë dhe së bashku me PD që është parti e djathtë dua të adresoj këtë gjë:
Ne si LSI dhe PD do të vijojmë të jemi dy entitete me identitetin e tyre, do të vijojmë që në kohëra mund të kemi edhe kundërshtime për politika të caktuara, por zotohemi se do të gjejmë gjuhën e përbashkët të bashkëpunimit dhe të punojmë fort me njeri tjetrin duke vendosur përpara interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!”,- tha Kryemadhi.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pasi firmosi marrëveshjen me LSI-në, deklaroi se ka ardhur çasti që të bashkohen të gjithë për një të ardhme më të mirë për vendin.
“Të dashur bashkëkombës, sot nis me një hap para, Udhëtimi ynë i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot, koalicioni ynë. Ndaj gjatë javëve të fundit të Shqipërisë, në çdo drejtim me ane të të cilit fiton Shqipëria. Gjatë javëve të fundit kam prezantuar planet tona të punës në të gjitha drejtimet. Për ekonominë, arsimin, turizmin, shëndetësinë, dhe luftën dhe krimin e organizuar. Me këtë ndryshim fillon ndryshimi, fiton Shqipëria. Këto janë plane pune që do të ndryshojnë jetën e gjithsecilit prej jush. Ka ardhur çasti që të bashkohemi. Të shkojmë shtëpi më shtëpi, rrugë me rrugë dhe të garantojmë fitoren e 25 prillit, fitoren e zgjedhjeve.”, tha Basha.
http://dokumenti i plotë i marrëveshjes
© Argumentum.