Në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër është nënshkruar dje një komunikatë e përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Komonuelthit të Dominikës.
Dokumenti u firmos nga ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, dhe Komisionerja e Lartë në Detyrë e Komisionit të Lartë të Komonuelthit të Dominikës në Mbretërinë e Bashkuar, Janet Charles.
Kjo ngjarje historike shënon fillimin e një bashkëpunimi të ri diplomatik, të bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë, interesave të përbashkëta dhe angazhimit për normat ndërkombëtare.
Marrëdhëniet diplomatike do të përforcojnë lidhjet mes dy vendeve në fusha të tilla si ekonomia, kultura, arsimi dhe mbrojtja e vlerave demokratike.
Ky hap reflekton përpjekjet e palodhura të Shqipërisë për të zgjeruar praninë e saj globale dhe për të ndërtuar partneritete me vende që ndajnë synime të përbashkëta.