Shqiprim Arifi ka njoftuar se është shkarkuar nga pozita e kryetarit të Preshevës.
Arifi ka thënë se shkarkimi i tij është bërë nga Beograd në mesnatën e mbrëshme.
Ai shton se ‘ky regjim antishqiptar dhunshëm instaloi një organ të përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme’.
“Dje në mesnatë, pushteti autoritar i Beogradit, në mënyrë arbitrare dhe duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar, regjimi serb dhe antishqiptar duke vazhduar traditën e Millosheviqit të viteve të 90ta, në mënyrë të dhunshme më SHKARKUAN nga posti i Kryetarit të Komunës së Preshevës. Njëkohësisht, ky regjim antishqiptar dhunshëm instaloi një organ të përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Arifi.
Arifi dhe partia e tij, Alternativa për Ndryshim, u dënuan nga një gjykatë në Vranjë të Serbisë me një gjobë prej 470 eurosh për vendosjen e flamurit të Shqipërisë në zyrat e partisë në Bujanoc më 27 nëntor 2022, një ditë para përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Në vendim u tha se ai dhe partia e tij u gjetën fajtorë pasi në orën 21:05 të 27 nëntorit të vitit 2022 “kanë shfaqur flamurin e një shteti të huaj, Shqipërisë, pa e shfaqur flamurin e Serbisë”. Me këtë, tha gjykata, Arifi dhe partia e tij, kanë shkelur ligjin që rregullon përdorimin e flamurit dhe simboleve të tjera kombëtare të Serbisë.
Arifi për shkarkimin e tij fajësoi edhe eksponentë politikë shqiptarë në Luginë të Preshevës – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – të cilët i akuzoi se janë bërë “vegël e lehtë për Vuçiqin dhe Serbinë për të realizuar agjendën e tij antishqiptare në Luginë të Preshevës”.
/INA