Një vit më parë, pasuria e shqiptarëve, për frymë, fiksohej në rreth 28 mijë dollarë, ndërsa sot në 31 mijë dollarë për frymë. Të paktën kjo është ajo që thotë ‘Credit Suisse’ në raportin global të pasurisë, që është edhe raporti më prestigjioz në këtë kategori në nivel global.
Rritja është në masën 11%. Edhe një vit më parë regjistrohej një rritje e ndjeshme, pasi në 2017 pasuria e një shqiptari mesatar vlerësohej në 25 mijë dollarë për frymë.
Pasuria totale e shqiptarëve vlerësohej në 62 miliardë dollarë një vit më parë, ndërsa sot në plot 70 miliardë dollarë, 13% më e lartë. ‘Credit Suisse’ përllogarit si pasuri jo vetëm atë financiare, por edhe pasurinë jo-financiare, e që në vendin tonë në pjesën dërrmuese i referohet pasurive të paluajtshme.
‘Credit Suisse’ thotë se, pasuria financiare e shqiptarëve është rritur nga $4156 për frymë, në $4612 për frymë, ndërsa ajo jo-financiare nga $25.588 për frymë, në $28.396 për frymë.
Kjo do të thotë se, rritja e pasurisë së shqiptarëve me rreth 8 miliardë dollarë në harkun e një viti është kryesisht rrjedhojë e rritjes së çmimit të pronave të paluajtshme.
Për ‘Credit Suisse’, pasuria e një shqiptari të rritur ndahet kështu: $4612 pasuri financiare, $28.396 pasuri jo-financiar.
Por, pasurisë i hiqet edhe borxhi neto i çdo shqiptari, që këtë vit fiksohet në $1.642 për frymë, nga $1480 të vitit të kaluar.
Të dhënat janë të përshtatura me kursin e këmbimit aktual duke i zhveshur nga çdo efekt i mundshëm i kursit të këmbimit.
Në bazë të kursit të këmbimit janë përshtatur edhe shifrat e viteve të kaluara, dhe jo vetëm të dhënat e vitit aktual.