Banorë shqiptarë nga Lugina e Preshevës në jug të Serbisë kanë protestuar të hënën për “identitet dhe dinjitet”, duke e akuzuar Qeverinë serbe për diskriminim ndaj tyre.
Ata protestuan në Bujanoc duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë shqiptarë dhe amerikanë, si dhe pankarta me mbishkrimin “Stop pasivizmit selektiv”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo” dhe “kthema adresën”, si dhe të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”.
Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, e akuzoi Qeverinë serbe për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare, duke thënë se ajo “nuk dëshiron integrimin e tyre në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”.
Protesta u thirr të shtunën nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, nëpërmjet një postimi në Facebook, nën sloganin “Për identitet dhe dinjitet”.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janëpakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.
“Beogradi vazhdon me avazin e vjetër, t’i trajtojë shqiptarët si armiq, si popull të rendit të dytë, i cili nuk meriton pjesëmarrje institucionale. Ka vazhduar me diskriminim duke mos i njohur diplomat, dhe me mosintegrimin dhe me pasivizimin”, tha Kamberi.
Protestës i është bashkuar deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, Nevzat Lutfiu kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi PDSH, Shqiprim Musliu,LPD e shumë personalitete të tjera nga jeta politike dhe shoqërore në Luginë.
Protestuesve u është drejtuar deputeti Shaip Kamberi i cili ka thënë se diskriminimi si dukuri është i ndaluar për shoqëritë demokratike, siç ka thënë ai, sidomos për një shoqëri që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
Kamberi ka thënë se Beogradi zyrtar po diskriminon serbët lokalë për inate të shqiptarëve.
“Jemi këtu sepse Qeveria në Beograd po refuzon të respektojë të drejtat tona, po refuzon të na integrojë në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”, është shprehur Kamberi. Sipas tij, Serbia po shkelë çdo normë ndërkombëtare, duke ua mohuar shqiptarëve çdo të drejtë”, ka theksuar ai.
Kamberi, i cili e fitoi edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet serbe të 17 dhjetorit, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për, siç tha, ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë.