Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç është vendosur publikisht në listën e zezë të personave që nuk do t’u lejohet hyrja në Kosovës.
Kështu është zotuar ministrit i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili përmes rrjeteve sociale ka shkruar pas disa deklaratave të kryeministres serbe.
“E them me përgjegjësi që sa të jem unë ministër i jashtëm i Republikës së Kosovës, nuk do të lejoj që Kryeministrja serbe të hyjë në Kosovë, për sa kohë që ajo të ndjek një ideologji raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës dhe ndërmjet etnive që jetojnë këtu”, shkruan Pacolli.
Reagimi i tij mbërriti pas deklaratave raciste të Ana Brnabiç, e cila në prani të ambasadorit të Bashkimit Europian në Beograd i cilësoi shqiptarët si “njerëz mali e të trashë”.
Pacolli e cilëson të pështirë këtë koment, aq më tepër në sy të ambasadorit të BE-së, Sem Fabrizi.
“Ky racizëm i institucionalizuar në Serbi e ka brumin në ideologjinë ultranacionaliste të sëmurë që promovon Qeveria e Ana Brnabicit. Shpresoj që Europa sot të kuptojë se me çfarë lloj njerëzish kemi të bëjmë, me ata që kanë mbështetur vrasjet masive dhe mohojnë krimet e luftës të kryera nga Beogradi në ish-Jugosllavi”, thotë ministri i Jashtëm i Kosovës.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë përshkallëzuar që prej vendosjes së taksës mbi produktet serbe nga ana e Qeverisë së Prishtinës. Taksa mbrohet me argumentimin se Serbia nuk po respekton marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel dhe po minon vazhdimisht me aksionet e saj shtetin e Kosovës.
Përplasjet kanë ndërprerë pa afat dialogun e nisur në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve, ndërkohë aksioni i fundit i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës kundër disa grupeve kriminale në fushën e kontrabandës u interpretua në Beograd si “spastrim etnik”.
Nderkohe nuk ka vonuar dhe reagimi i Bashkimit Evropian pas deklaratave të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, se në Kosovë, sipas ka zyrtarë shtetërorë “që vërtet kanë dalë prej malit”, duke konsideruar se secila retorikë që është fyese, konfrontuese dhe ndarëse, është kundër frymës së bashkëpunimit dhe pajtimit që i duhet rajonit për të ecur përpara.
Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, Maja Kocijançiq, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, ka thënë se “ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet të rezultojë me një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë për normalizim të marrëdhënieve” dhe se status-quoja nuk është mundësi.
Pas deklaratës së kryeministres serbe gjatë ditës ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në një përgjigjje për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, është “edhe një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës”.
Bërnabiq i ka bërë këto komente në prani të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, andaj Thaçi i ka kërkuar BE-së që sa më shpejt ta dënojë dhe të distancohet nga kjo “gjuhë raciste” e zyrtarëve të Serbisë, e cila, sipas tij, nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim.
Kosova dhe Serbia, kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e BE-së në vitin 2011.
Procesi i bisedimeve aktualisht ka ngecur, për shkak të, siç është thënë, taksës prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.