Të dielën e 7 korrikut Greqia do të votojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në këto zgjedhje kandidojnë dhe disa shqiptarë që duan të marrin mandatin e deputetit.
Mediat greke raportojnë se kutitë e votimit janë hapur në 21.478 qendra dhe 9.9 milionë grekë do të zgjedhin deputetë nga 20 parti dhe forca politike. Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë mbi 150, 000 emigrantë shqiptarë dhe minoritarë grekë që kanë marrë nënshtetësinë. Vihet re se ndryshe nga zgjedhjet bashkiake, kandidatët shqiptar janë më të pakët në numër.
Kandidatët shqiptarë:
Jorgos Trihas-kandidon me partinë SYRIZA në zonën e dytë të Athinës. Me origjinë nga Saranda, Jorgos Trihas ka kryer fakultetin e infermierisë dhe më pas studimet e larta për menaxhim biznesi. Është aktiv në veprimtarinë për integrimin e homogjenëve dhe të riatdhesuarve. Ka shërbyer si këshilltar i posaçëm në Ministrinë e Jashtme. Është anëtar i sekretariatit të SYRIZA-s për homogjenët.
Anxhela Filo- Kandidon me partinë Nea Dimokratia në zonën e parë të Selanikut. U lind e u rrit në qytetin e Korçës. Në vitin 1991 prindërit e saj emigruan në Greqi dhe u vendosën në qytetin e Selanikut. E diplomuar si Inxhiniere Topografe ka punuar në sektorin privat dhe sot ka zyrën e saj private si sipërmarrëse. Prej viti 2011 është kryetare e organizatës Omonoia në Degën e Selanikut dhe anëtare aktive e partisë Nea Dimokratia, në degën e Maqedonia-Thrakës, në sektorin për çështje të Ballkanit dhe në atë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Fatos Malaj- kandidon me partinë KINAL në zonën e parë të Athinës. U lind në Delvinë dhe emigroi në Greqi në 1997, ku jeton dhe punon. Që në momentin e parë u aktivizua energjikisht për të drejtat e emigrantëve, për integrimin normal të tyre në shoqërinë greke. Është ndërmjetës ndërkulturor i certifikuar në drejtorinë e shërbimit të emigrantëve në administratën e decentralizuar të Atikës. Është kryetar i “Arogji – Përkrahja”, një organizatë joqeveritare, me aktivitet të njohur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Është anëtar i departamentit të të drejtave të njeriut dhe politikës së emigracionit në partinë Lëvizja për Ndryshim (KINAL).
Eda Gemi- kandidon me partinë KINAL në zonën e dytë të Athinës. Eksperte e shkencave politike, e specializuar për çështje të qeverisjes, emigracionit dhe politikave të integrimit. Pasi ka përfunduar studimet në Universitetin Metropolitan të Londrës, Eda Gemi ka marrë masterin për shkenca politike në Universitetin e Athinës. Flet greqisht, anglisht dhe italisht, përveç gjuhës amtare shqipe. Është lektore dhe studiuese në ISR-Institute for Urban and Regional Research (Vienë); EUI- European University Institute (Firence), dhe Universiteti Europian i Tiranës. Shqiptarët e njohin Eda Gemin si një aktiviste të shquar, studiuese, pedagoge.
Kristos Ducis- kandidon me partinë “Elliniki Lysi” në zonën e dytë të Athinës (zonën e dytë të Athinës (Notios Tomeas B Athinon) Ka kryer shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Ka punuar si mësues në rrethin e Tepelenës. Ka shërbyer në poste drejtuese në kooperativën bujqësore të Dropullit të Sipërm dhe në qytetin e Gjirokastrës. Në 1991 emigroi familjarisht në Greqi. Në 1993 u zgjodh kryetar i shoqatës “Digenis Akritas”. Në periudhën 1996-2005 ishte president i federatës “Shën Kozmai”, e cila nën drejtimin e zotit Ducis ishte zëri përfaqësueses i homogjenëve nga Shqipëria dhe luftoi aktivisht e me rezultate konkrete për zgjidhjen e problemeve të tyre. Në periudhën 2011-2015 ishte kryetar i Bashkisë së Dropullit të Sipërm.