Tallja me ndjenjat e shqiptarëve në FYROM vazhdon. Referendumi në këtë vend nxori frustrimet e qytetarëve sllavomaqedonas të cilët e kanë humbur rrugën drejt Perëndimit.
Një nga shkaqet është keqpërdorimi i mjeteve i dedikuar për kampanjë, grantet dhënë OJQ-ve pa peshë nga jashtë e brenda dhe vetë kënaqësia me egon e liderit. Te shqiptarët u pa vetëm spoti me Ali Ahmetin që irritoi dhe dekurajoi votuesin shqiptar pasi që në kontinuitet ka pasur premtime dhe realizime për të mos u dëshiruar. E kur kampanjën e drejtojnë njerëz qe ia puthnin dorën Putinit sllavomaqedonas Gruevski, s’do mend se numri i votuesve duhet të thuhet se ishte i madh. Biçikleta me goma të plasura si model perëndimor nuk i ndihmoi njerëzve të deridjeshëm të zhytur në korrupsion të ia hedhin tutje. Ajo masa kritike shqiptare nga dëshpërimi se në pushtet mbet mentaliteti i deridjeshëm me trastën nën dorë ia ka mësy Perëndimit në kërkim të një jete më të mirë. Elementi i vendosjes brenda qeverisjes së shqiptarëve pa peshë politike është edhe një argument shtesë se pse referendumi dështoi.
Opozita shqiptare nuk arriti të komunikojë me elektoratin pasi që mediat nuk u dhanë hapësirën minimale për ta mobilizuar elektoratin. Mediat kanë nevojë të demokratizohen dhe lirohen nga redaktorë partiakë. Pamë analiza boshe por nuk u shtjellua realiteti, problemet, çështjet etj. Një element tjetër që po anashkalohet ishte diaspora posaçërisht ajo shqiptare që zakonisht e mbush arkën e shtetit e në rastin konkret iu kohua e drejta e votimit. Kur ju ia kushtëzoni votën diasporës, e cila është motor atëherë nuk mund të pritni rezultat konkret. Diaspora shqiptare alarmoi se çështja shqiptare po anashkalohet dhe se shteti i riemëruar vazhdon me avazin e vjetër, por kjo nuk u dëgjua nga ndërkombëtarët.
Ndërsa partitë shqiptare me lazdrinë e zakonshme e shtynë çështjen shqiptare pa e përdorur Badinterin pa të cilin nuk kalon asnjë ligj pa u votuar nga shumica shqiptare. Por inati i një lideri, të cilit po i fundoset anija e shtyu më tutje zgjidhjen e çështjes shqiptare. Pa e harruar atë se shqiptarët këtë herë votuan për Perëndimin e jo për marrëveshjen, e cila ishte thjeshtë kontiunitet, i cili njeh vetëm njërën etni dhe ndërton shtet mbi kurrizin e shqiptarëve. Por identiteti shqiptar në FYROM është i fortë dhe imun ndaj sulmeve por virusi i brendshëm është i paparashikuar.
Shqiptarët në IRJM nuk kanë filozofi politike kjo është çështja dhe nuk është ndërtuar strategji e veprimit. Ideja e fragmentarizimit të faktorit shqiptar fatkeqësisht do vazhdojë me ritme të shpejta në FYROM. Disa janë faktorët e kësaj: mospërgjegjësia, mungesa e kulturës demokratike, inatet e pakuptimta, mospasja doktrinë, niveli i ulët i shkollimit, dobësimi i fuqisë politike si rezultat i ndikimit të faktorit sllavomaqedon dhe bajraktarizmi pafund i liderëve etj. Marrëveshja e Prizrenit u zhbë, Marrëveshja e Ohrit nuk u zbatua, Marrëveshja e Tiranës u shkel, këshilli koordinues u prish, tryeza u shpërfill. Këto janë fakte drithëruese se kah po shkojnë shqiptarët në FYROM. Ndërsa në taborrin sllavomaqedonas situata paraqitet mjaft problematike
Shoqatat ruse dhe investimet kapitale deri në media tregoi se ishin efektive në rastin e FYROMIT. Lëvizja pansllaviste e papenguar lëvizi në zobat më të thella duke propaganduar tezën se sllavët marrin fund nëse kyçen me Perëndimin. Këtu rol primar lozi edhe agjentura serbe, e cila me gjithë arsenalin e saj ndikoi në bojkotin e qytetarit sllav. Ndërsa partia VMRO me njerëzit e saj u besua se a do ndikojë, por u pa se taktika me Gruevskin pas grilave ishte bllof. Kjo strukturë e ndihmuar nga këto forca arriti ta bllokojë procesin dhe tregoi se e do martir liderin e vet të zhytur në krim gjatë qeverisjes. VMRO mbetet e fuqishme në biznes, media, strukturat e sigurisë dhe te një pjesë e fortë e BDI-së sepse u lidhen bizneset e punët që i kanë realizuar bashkë. Krahu serb e rus është i fortë brenda VMRO ndërsa krahu bullgar mbetet i dobët fatkeqësisht, por edhe ai me perëndimin. Problemi tjetër është se partia e Zaevit me shumë lehtësi iu fut referendumit pa punuar seriozisht.
Partia e Zaevit nuk punoi seriozisht duke menduar se ardhja e Merkel, Mogerini, ShBA e tërë botës demokratike është çështje e mbyllur. Por e harroi qytetarin e varfëruar të cilit nuk iu shpjegua çështja dhe ai mbeti i izoluar me barkun bosh e xhepat e zbrazët. Mendjelehtësia në këtë proces e lejoi që situata të mbetet si para referendumit, nuk shihen reforma. Pasi e tjetërsoi rënien e Gruevskit Partia e Zaevit parapëlqeu t’i merrte disa shqiptarë pa influencë dhe t’i përdorë për nevoja shtetërore duke harruar se ka parti shqiptare me të cilat qeveris. Zaevi është meritor në fitoren e vjedhur që ia bëri opozitës shqiptare duke i mbajtur në pushtet kryetarët e harxhuar të partisë së Ali Ahmetit. Ky ishte devijim dhe nënçmin i votës shqiptare nga ana e Zaevit. Harroi ky Zaevi se ishte ky mentalitet që ia dha shkelmin paraardhësit të tij, i cili falë kësaj vote iku nga pushteti. Zaevi do ishte mirë të konsolidojë elektoratin sllavomaqedonas, i cili u pa se ka probleme të brendshme kur bëhet fjalë për integrimin e Perëndimin.
Tabloja është më komplekse se kaq, por kur gomerët merren me shkencë devalvohet procesi. Perëndimi lipset t’i shikojë me kujdes njerëzve që analizat ua merr për bazë, sepse nuk dihet se ku mund ta kenë kërthizën, e lidhur litarin. 7 gabimet e Zaevit janë të riparueshme, por ai duhet ta kuptojë se shqiptarët e mbajtën kursin e Perëndimit e ai t’i kthehet elektoratit të vet që me elegancë e në mënyrë të pakuptueshme devijoi deri 7% anti NATO e BE. Realisht shqiptarët është e çuditshme, por kanë një durim pasi e dinë se sllavomaqedonasit kanë nevojë ta ndryshojnë mentalitetin, i cili e mban peng vendin./gsh