Sulmet amerikane në Sirinë lindore pranë kufirit me Irakun, vranë të paktën pesë luftëtarë të milicisë të mbështetur nga Irani.
Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër, thanë se disa pjesëtarë të milicisë së mbështetur nga Irani janë plagosur po ashtu, gjatë sulmit të avionëve amerikanë në pjesën siriane të kufirit.
Vëzhguesit e kësaj organizate që mbështeten në një rrjet burimesh brenda Sirisë për të mbledhur informacion, thanë se në mesin e objektivave të goditura ishin edhe pozicionet ushtarake.
Agjencia shtetërore e lajmeve SANA e Sirisë tha se një fëmijë u vra dhe të paktën tre persona të tjerë u plagosën.
Sulmet, të konfirmuara me një deklaratë nga Pentagoni, shënojnë sulmin e dytë të tillë të Shteteve të Bashkuara ndaj milicive të mbështetura nga Irani në Siri, që kur presidenti Joe Biden mori detyrën
Pentagoni tha se sulmet vunë në shënjestër caqe operacionale dhe depo armatimesh në Siri dhe Irak.
Sipas Pentagonit, objektet përdoreshin nga grupet e milicisë, duke përfshirë Kataeb Hezbollahun dhe Kataeb Sayyid al-Shuhada, dy fraksione ushtarake irakiane me lidhje të ngushta me Teheranin.
“Këto objekte përdoren nga milicitë e mbështetura nga Irani të cilat janë të përfshira në sulme me mjete ajrore pa pilot kundër personelit dhe strukturave amerikane në Irak”, tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.
Interesat amerikane në Irak janë vënë nën sulme të përsëritura muajt e fundit, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdimisht fajësojnë fraksionet Irakiane të lidhura me Iranin.
Në muajin shkurt, sulmet amerikane në Sirinë lindore ndaj objekteve të përdorura nga grupet e milicisë të mbështetura nga Irani lanë pas vetes më shumë se 20 luftëtarë të vrarë.
Pentagoni tha se sulmet ishin hakmarrje për një sulm me raketa në Irak që vrau një kontraktor civil dhe plagosi një pjesëtar të shërbimit amerikan dhe trupa të tjerë të koalicionit.