Numri i individëve që krijojnë familje në kryeqytet ka ardhur në rritje nga vitit në vit. Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë Tiranë, gjatë 2018, numri arriti në 288.325 familje.
Bazuar dhe në numrin e popullsisë rezulton që një familje përbëhet nga 3 banorë. Kjo vjen kryesisht për shkak të gjendjes ekonomike, pasigurisë për punën apo edhe për shkak të orientimit drejt karrierës. Nga vitit 2013 deri në vitin 2018, në kryeqytet rezulton të jenë shtuar 72.677 familje të reja.
Shifra lidhet drejtpërdrejt edhe më numrin e martesave dhe divorceve. Pasi rezulton se lidhje të zhdrejtë, ku në vitet që kemi rritje të martesave ka edhe ulje të divorceve. Gjatë 2018 kishte rreth 1 691 divorce duke u ulur me 2.37% ndërsa numri i martesave u rrit me 2.27% dhe arriti në 4.406 martesa.
Ndërkaq, Popullsia e Bashkisë Tiranë është në rritje të vazhdueshme. Ajo që vihet re nga të dhënat është shtimi i ritmit të rritjes vitet e fundit. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në 2018 numri i banorëve arriti 828.403 banorë duke u rritur me 14.501 banorë ose 1.78%.