Feja si element frike – në studimin e fundit të Pew Reserch Center thuhet se në botë janë shtuar sulmet mbi baza fetare. Në shumë vende të botës shënohet dhunë me motive të tilla – edhe në Gjermani.
Numri i vendeve ku grupe të caktuara fetare ndodhen në shënjestër të sulmeve fetare është shtuar gjithandej në botë. Ky është rezultati i studimit të fundit të Pew Research Center, ku janë përfshirë 198 vende të ndryshme. Në studim thuhet se është shtuar numri i vendeve, ku personat kanë qenë në shënjestër të sulmeve vetëm për shkak të përkatësisë së ndryshme fetare. Dhuna është shtuar prej vitit 2007 deri më 2017 nga 39 në 56 vende të ndryshme.
Edhe në Gjermani sulmet e tilla ndodhein rëndom. Zyra për Mbrojtjen Kushtetuese pohon, se gjatë vitit 2018 janë regjistruar 453 vepra penale me sfond fetar apo ideologjik. Krahasuar me një vit më parë numri i sulmeve megjithatë është zvogluar, sepse në vitin 2017 ka pasur 907 sulme me motiv besimin fetar.
Sulmet ndaj refugjatëve
Vendet ku ndodhin më së shumti sulme me sfond fetar janë vendstrehimet për refugjatë dhe azilkërkues. “Dhuna në vendstrehime për refugjatë është ekstreme”, thotë Dittmar Steiner, nga organizata për ndihma “Atheist Refugee”. “Burrat që thonë hapur se nuk besojnë në Zot, rrihen gjithmonë.”
Steiner kujton edhe një rast shokues. “Ne kemi trajtuar një azilkërkues nga Mauritania, ndaj të cilin në vendin e tij është aplikuar Fatva. Ai ka postuar në Facebook një fatkeqësi me tren në Kairo. “Si mund të lejojë Zoti që të vdesin kaq shumë myslimanë?”, shkruante ai, që si pasojë ka pasur dhunën ndaj tij.
Në vitin 2007, sipas raporteve të Pew Research Centre, në dhunën fetare kanë qenë të përfshira vetëm katër vende evropiane. Ndërsa në vitin 2017 përfshihen 15.
Rritja e antisemitizmit
Ndër viktimat e dhunës fetare nuk janë vetëm ateistët por edhe pjesëtarët e të gjitha feve – myslimanët, të krishterët, hebrejtë… Florian Eisheuer nga Foncadioni Amadeu-Antonio thotë: “Prej vitesh kemi një tendencë të përkeqësimit të gjendjes së hebrejve në Gjermani. Shumica mendon, se gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë.”
Eisheuer nënvizon një studim të Universitetit të Bielefeldit nga viti 2017, me titull “Perspektiva hebreje dhe Antisemitizmi në Gjermani”. Sipas këtij studimi, 70% e hebrejve të anketuar besojnë se antisemitizmi do të shtohet në radhët e refugjatëve. Por 84 % e të anketuarve pohon, se antisemitizmi në Gjermani është një problem serioz, pavarësisht fenomenit të refugjatëve.
Shtetet i kanë shtuar dënimet ndaj peronave që kryejnë vepra të tilla. Pew-Center ve në dukje, se numri i vendeve ku janë shtuar denimet është rritur nga 40 në 52. Në radhën e këtyre vendeve janë tani edhe Kina, Rusia, Indonezia dhe Arabia Saudite.
Gjendja në veçanti e keqe paraqitet në vendet e Lindjes së Mesme, Afrikës së Veriut dhe disa rajone të tjera. Me përjashtim të Libanit, sipas Pew Research Center, në 20 vende të rajonit të atjeshëm i jepet përparësi vetëm një feje të caktuar. Në 17 vende feja islame është fe shtetërore.
Shtohet numri i ateistëve
Por ndërkohë është shtuar dyshimi edhe ndaj udhëheqësve fetarë. Në një sondazh ne titull “Arab Barometer”, të bërë në Princeton University, thuhet se në botën arabe janë shtuar tendencat e sekularizmit. Ky sondazh është bërë me 25.000 banorë të vendeve arabe. Përveç Jemenit, në të gjitha vendet e tjera është shtuar numri i pesonave që deklarohen si “jo fetarë”. Numri i ateistëve është shtuar prej vitit 2013 deri 2018, në të gjitha 11 vendet që janë përfshirë në sondazh.
Numri i atesitëve është rritur më së shumti në Tunizi, ku tani një e treta pohon se nuk është fetare. Me 2013 atje vetëm 10% janë deklaruar ateistë. Në Marok kjo përqindje është rritur nga katër në 10 %, Në Libi nga 10 në 25 %, në Algjeri nga shtatë në 12%. Në Irak, Jordani dhe rajonet palestizene është rritur numri i ateistëve, por me përqindje shumë më të vogël.
Por ka dhe tendenca pozitive. Në studimin e Qendrës Pew thuhet, se një prej tendencave pozitive në periudhën prej 2007 – 2017 është “zvoglimi i konflikteve fetare”. Në vitin 2017 ka pasur konflikte fetare në 57 vende, që do të thotë 34 vende më pak se në vitin 2007. DW