Regjistrimi i popullsisë në terren do të shtyhet për në shtator. Dy liderët e partive politike maqedonase Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski në takim ranë dakord që prioritet duhet t’i jepet imunizimit të popullsisë.
Kërkesa që regjistrimi i qytetarëve të shtyhet për në muajin shtator ishte e VMRO-DPMNE-së.
Arsyeja e shtyrjes së regjistrimit sipas liderëve ishte se deri atëherë do të vijnë doza të mjaftueshme vaksinash që do të mundësojnë vaksinimin e regjistruesve që do të dalin në terren por edhe ndërkohë do zhvillohet edhe vaksinimi i popullatës tjetër, gjë që do ta bënte procesin më të sigurt për shëndetin e qytetarëve.
Në mënyrë plotësuese u arrit marrëveshje për ndryshim edhe të datës së zgjedhjeve lokale që do të mbahen në pjesën e dytë të tetorit, dhe risi gjatë këtyre zgjedhjeve do të jetë edhe votimi me shenjat e gishtërinjve.
Kryeministri i vendit fqinj, Zoran Zaev njoftoi se ka gjetur dakordësinë me kryetarin e opozitës maqedonase që t’i mbështesin edhe disa ligje me rëndësi në Parlament.
Kryeministri, Zoran Zaev sot pas takimit me liderin e VMRO-DPMNE-së opozitare ka njoftuar se është arritur marrëveshje për shtyrjen e procesit të regjistrimit për në muajin shtator. Zaev ka komentuar edhe personat pa shtetësi në vendin tonë, duke thënë se përfshirja e tyre në procesin e regjistrimit është e pamundur.
“Unë nuk besoj që dikush mund ta parandalojë këtë regjistrim, por nuk është i vlefshëm, sepse ne në bazën e të dhënave kemi njerëzit që kanë shtetësi maqedonase. Në regjistrimin në Maqedoninë e Veriut regjistrohen të gjithë qytetarët që janë shtetas. Kjo do të thotë që kushdo që nuk ka shtetësi, nuk mund të regjistrohet. Kjo do të thotë që ndonjë amerikan, as një zviceran, as një gjerman, nuk mund të regjistrohen sepse nuk kanë shtetësi”, tha mes tjerash Zaev, duke shtuar se edhe nëse dikush nga personat pa shtetësi tenton të regjistrohet, i njëjti do të merret si i pavlefshëm.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka reaguar pas takimit të sotëm të liderëve Zaev dhe Mickoski, ku u tha se është arritur marrëveshje për anulimin e procesit të regjistrimit. Sipas tyre, “BDI, që shtiret si përfaqësues i shqiptarëve në Qeveri, sot edhe njëherë e nënçmoi elektoratin e vetë dhe të gjithë shqiptarët.
Zoran Zaev vetë e konfirmoi se vendimin për anulimin e regjistrimit ia ka kumtuar Ahmetit vetëm përmes telefonit dhe se nuk e ka pyetur për qëndrim. BDI sot u shndërrua në parti që u bën dëm tjetër shqiptarëve, kësaj radhe përmes shtyrjes së regjistrimit”, thonë ata.
Nga koalicioni opozitar bëjnë me dije se do të vazhdojnë të ndjekin aktivitetet e regjistrimit, kurdo që ai të mbahet. Sidoqoft, thonë ata, “Zaevi dhe Mickoski u dorëzuan para një teme të vetme – problemit me shtetësinë… Fillimisht na lutën të ulemi, ndërsa së shpejti do të detyrohen edhe ta zgjidhin këtë problem, sepse ata e dinë që ne nuk janë të gjithë shqiptarët BDI dhe Ahmeti”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.