Ambasador i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt ka zhvilluar mesditen e sotme një takim me partitë e vogla, kryefjalë e së cilës kanë qenë zhvillimet e fundit politike.
Borchardt ka përsëritur deklaratën e tij, se ndërkombëtarët nuk do të ndërhyjnë që palët të gjejnë një zgjidhje, pasi sipas tij, janë partitë politike që duhet të gjejnë zgjidhjen më të mirë.
Në fjalën e tij, ambasador i OSBE ka theksuar se ndërkombëtarët kanë dhënë disa propozime, por “fjalën e fundit” do e thonë vetë partitë.
Duke bërë një analogji me situatën politike në vitin 2007, ku u shtynë zgjedhjet, Borchardt u shpreh se një proces i tillë është komplikuar që të realizohet, e ndërsa ngriti pyetjen se “çfarë të mire, mund të sillte ky vendim”.
“Zgjidhja nuk na takon ne, Ne i inkurajojmë partitë politike që të gjejnë një zgjidhje. Japim propozime, por fjala e fundit i takon atyre. Politikanët duhet të marrin vendimin, se çfarë është më e mira për popullin e tyre.
Për momentin ne kemi një datë zgjedhjeje. Ndryshimi i datës është një proces i komplikuar. Sigurisht shtyrja është një mundësi, por a është një mundësi e mirë. Çfarë të mire mund të sjellë sot”, tha Borchardt.
Takimi me Borchardt, erdhi pak pasi këto parti nënshkruan marrëveshjen e koalicionit opozitar zgjedhor, me qëllim krijimin e një qeverie tranzitore pa Ramën kryeministër, që sipas tyre do të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira.