Ceremonia shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije në Manastirin e Cetinës u mbajt mes tensionesh dhe u zhvillua në praninë e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirio. Kjo gjë u prit plot tension nga kundërshtarët e Kishës Serbe në Malin e Zi të cilët ditën e djeshme organizuan një protestë.
Me thirrjen “Kjo nuk është Serbi!” dhe “Ky është Mali i Zi!”, shumë nga protestuesit e kaluan natën në barriera mes raporteve se policia po dërgonte përforcime për të thyer bllokadën. Protestuesit, disa duke qëlluar me pistoleta në ajër, i vunë zjarrin gomave të makinave në njërën prej bllokadave, duke u përpjekur të parandalonin policinë të depërtonte.
Të paktën 20 persona u plagosën të dielën në Malin e Zi gjatë përleshjeve midis policisë dhe demonstruesve që përpiqeshin të parandalonin përurimin e kreut të ri të Kishës Ortodokse Serbe.
Policia njoftoi gjithashtu tetë arrestime pas dhunës që prishi ceremoninë e shkurtër të kurorëzimit në Cetinje, ish -qyteti mbretëror në jug të vendit.
Policia turmës përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve që qëlluan me armë në ajër dhe hodhën shishe dhe gurë herët të dielën në Mal të Zi. Policia malazeze, tha se janë arrestuar 14 protestues ndër ta këshilltari për siguri i presidentit Milo Gjukanoviç dhe ish Drejtori i Drejtorisë së Policisë, Veselin Veloviç, që ishte në mesin e protestuesve.
Ambasada amerikane në Mal të Zi u bëri thirrje të gjitha palëve që të punojnë për qetësimin e situatës.
“Liritë fetare dhe liria e shprehjes, përfshirë edhe të drejtën për tubime paqësore duhet të respektohen. Edhe pse ka pasur shumë drejtime të gishtave drejtë fajtorëve, në fund janë individët që do të mbajnë përgjegjësinë për veprimet e tyre”, thuhet në reagimin e ambasadës.
“Sot në Cetinje, ishim dëshmitarë të turpit të madh të Kishës Ortodokse Serbe dhe Qeverisë së Malit të Zi, një turp i paparë në historinë e gjatë të shtetit malazez, dhe njëlloj në historinë e ortodoksisë së përgjithshme”.
Kështu ka thënë presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq në një fjalim të tij drejtuar publikut, shkruajnë mediat vendase, përcjell Telegrafi.
“Duke abuzuar brutalisht me burimet shtetërore, kryesisht ushtrinë dhe policinë, dhe përdorimin krejtësisht të papërshtatshëm të forcës kundër qytetarëve të mbledhur paqësisht në kryeqytetin malazez, qeveria malazeze siguroi fronëzimin e dhunshëm të Mitropolitit Joanikije, kundër vullnetit të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Cetinjes dhe një numri të konsiderueshëm i qytetarëve malazezë”, ka thënë më tej Gjukanoviq.
Ish-mitropoliti Amfilohije Radoviq, për të cilin priftërinjtë serbë sot në Cetinje të Malit të Zi kënduan për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, ishte idhulli i nacionalistëve e kriminelëve serbë.
Një pjesë e mirë e popullit malazez e kujton atë si nxitës të luftës. Amfilohije mbahet mend gjithashtu për mikpritjen që ia kishte bërë kriminelit të luftës Zheljko Raznatoviq – Arkan në manastirin në Cetinje, ku sot mes kaosit u shugurua kreu i ri serb i Kishës Ortodokse, raporton agjencia kroate e lajmeve, Index.hr, transmeton Gazeta Express.
Mitropoliti Amfilohije ishte gjithashtu i njohur për mallkimet e tij. Në një nga më të cituarat, në prag të pranimit të Malit të Zi në NATO, ai tha: “Kushdo qoftë kundër Rusisë dhe Ortodoksisë me një gjak, një besim dhe një gjuhë, mishi i gjallë i rëntë nga trupi! Mallkuar qoftë ai tre herë, dhe tre mijë herë!”.
Ndikimi i Amfilohije në Malin e Zi ishte aq i madh sa besohet se ai bashkoi koalicionin pro-serb “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, ku bën pjesë edhe shqiptari Dritan Abazoviq në pozitën e zëvendëskryeministrit. Thuhet se ishte po ai që në krye të këtij koalicioni e caktoi Zdravko Krivokapiqin, i cili sot është kryeministër i Malit të Zi.
Në fund të shtatorit, në prag të seancës konstituive të parlamentit malazez, Amfilohije mblodhi drejtuesit e qeverisë së re në manastirin e Ostrogut, duke u kërkuar atyre ta mbështesin Krivokapiqin si kryeministër.
Siç vërehet në një video të “Vecernji novostit” serb, priftërinjtë në manastirin e Certinjes kënduan këngën “Ječam žela”, tekstet e së cilës përmbajnë pjesë ku thuhet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Shqiptari Dritan Abazoviq, zëvendëskryeministër i Malit të Zi, e ka përkrahur shefin e tij proserb në qasjen ndaj protestave të qytetarëve malazezë kundër shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Cetinje.
Derisa malazezët që kundërshtojnë ndikimin serb dhe mbrojnë identitetin e tyre kombëtar protestonin, brenda Manastirit në Cetinje po mbahej ceremonia ku, ndër të tjera, po këndohej “kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Para kësaj ceremonie, dolën pamjet ku Abazoviqi ishte takuar me krerët e Kishës Serbe.
Abazoviq, përmes një postimi në Twitter ka thënë se njerëz të afërt të presidentit malazez, Milo Gjukoniviqi qëndrojnë prapa protestës, duke shtuar se “gjithçka është e qartë për këdo”.
Para dy ditësh, ai tha se është krijuar atmosferë e tillë, pra kundër ceremonisë së shugurimit të kreut të Kishës Serbe, “vetëm që të ngadalësohet luftimi i krimit të organizuar”, raportonte Vijesti.me.
Mitropoliti Joanikije u shugurua të dielën në mëngjes në kryeqytetin historik fetar të Malit të Zi, pavarësisht kundërshtimit nga mijëra protestues që i mbajtën rrugët e bllokuara për në Cetinje për dy ditë rresht.
Mitropoliti Joanikije dhe Patriarku serb, Porfirije arritën në Cetinje me helikopter dhe të shoqëruar nga një njësi speciale e policisë, ndërsa forcat e policisë thyen barrikadat dhe protesta u përshkallëzua në zemër të kryeqytetit malazez dhe në rrugë.
Protestat e fundit tregojnë qartë tensionet në Malin e Zi midis banorëve që mbrojnë lidhjet e ngushta me Beogradin dhe malazezët patriotë që e kundërshtojnë këtë, trasmeton Express.
Ceremonia u parapri nga incidentet në të cilat, sipas të dhënave zyrtare, shtatë policë u plagosën dhe dhjetëra protestues kërkuan ndihmë mjekësore. Po ashtu, 14 persona u arrestuan, në mesin e të ciëve edhe këshilltari i sigurisë i presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviq, Veselin Veljoviq.
Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq tha se sulmi ndaj policisë ishte sulm ndaj shtetit.
Në një reagim të jashtëzakonshëm pas situatës kaotike në Cetinje dhe shugurimit të mitropolitit të ri të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije II, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq tha se “vetëm një njeri pa dinjitet do ta lejonte veten të futej në manastirin e Cetinjes me helikopter”.
Madje, sipas tij, vetëm një njeri pa dinjitet do të lejonte që të sillej në manastirin e Cetinjes në një mënyrë të tillë me helikopter dhe nën mbrojtjen e “batanijeve të blinduara”, dhe në atë mënyrë të turpëronte fronin e Shën Petar Cetinjski.
“Cetinje ishte edhe një herë në detyrë, siç ka qenë shumë herë në historinë e Malit të Zi”, ka thënë ndër tjerash ai.
Sipas tij, qytetarët e mbledhur në mënyrë paqësore të Cetinjes në një mënyrë vendimtare dhe të përgjegjshme mbrojtën nderin dhe dinjitetin e qytetit të tyre dhe vendit të tyre.
Ndryshe, në një situatë të tensionuar, në Cetinje të Malit të Zi është mbajtur ceremonia e shugurimit të Kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije.
Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije dhe Patriarku Porfirije kanë arritur përmes helikopterit në qytetin e Cetinjës, pasi protestuesit që kundërshtojnë shugurimin e Joanikijes kanë bllokuar rrugën në hyrje të qytetit duke vendosur barrikada.
Kundërshtimet për mbajtjen e ceremonisë së shugurimit janë shfaqur disa javë më parë mirëpo më 4 shtator protestuesit filluan të dalin në rrugët e Cetinjës si dhe të vendosin barrikada.
Pse po kundërshtohet ceremonia e shugurimit?
Kisha Ortodokse e Malit të Zi është nën nën Kishën Autoqefale të Serbisë. Ajo synon pavarësimin nga Kisha Ortodokse Serbe.
Qyteti Cetinje, dikur ka qenë kryeqendra e Malit të Zi ndërsa sot konsiderohet si kryeqyteti kulturor dhe historik i këtij vendi.
Vlladimir Veljkoviq një historian nga Serbia që merret me studimet e fesë i tha Radios Evropa e Lirë se pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kishës Ortodokse Malazeze kryqëzohen në Cetinje.
“Në radhë të parë Cetinje është kryeqyteti i vjetër i Malit të Zi dhe nga ana tjetër është gjithashtu selia e peshkopëve malazezë, gjegjësisht Mitropolia e Malit të Zi, dhe tani padyshim që kemi dy koncepte të ndryshme lidhur me simbolikën e Cetinjës”, thotë Veljkoviq.
Kjo nuk është hera e parë që ka pasur tensione në këtë qytet.
Më 1992, Mitropoliti i atëhershëm Amfilohije dërgoi anëtarë të armatosur të formacioneve paramilitare nga Serbia, të udhëhequra nga Zheljko Raznatoviq (i njohur si Arkan), në ambientet e Manastirit të Cetinjës, me arsyetimin se duhet të mbrohet nga “separatistët malazezë”.
Në 30 vjetët e fundit, festat fetare në atë qytet, shënohen në praninë e forcave të shumta policore, pasi përkrahësit e Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj malazeze jo-kanonike festojnë të ndarë.
Në fillim të marsit, një grup qytetarësh qëndruan në rrugë derisa delegacioni i Qeverisë së Malit të Zi, vendosi një kurorë me lule mbi varrin e mbretit Nikolla, sovranit të fundit malazez. Qytetarët thërrisnin “çetnikë!” dhe “Mali i Zi nuk do të jetë kurrë bregdeti i detit serb”.
Sesioni i parë pranveror i Parlamentit të Malit të Zi më 25 mars, i cili zakonisht mbahet në Cetinje, u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Derisa zyrtarët po mbërrinin në qytet, rreth dyqind qytetarë u mblodhën dhe brohoritën “Kjo nuk është qeveria jonë” dhe “Tradhti”.
Cetinja ishte i vetmi qytet në Malin e Zi me shumicë ortodokse, në të cilin nuk u organizuan tubime protestuese të Kishës Ortodokse Serbe kundër Ligjit për Liritë Fetare gjatë vitit 2020.
Miratimi i këtij ligji pati shkaktuar tensione të larta në Mal të Zi.
Kisha Ortodokse Serbe ka mbështetjen e një pjese të elitës politike në Mal të Zi dhe pretendon pronësinë e shumë kishave dhe manastireve të cilat i konsideron si të vetat.
Ligji për liritë fetare, ishte miratuar në vitin 2019, në kohën kur në pushtet ishte partia e Gjukanoviqit, dhe kërkonte nga komunitetet fetare të dëshmojnë se janë pronarë të pronave para vitit 1918.
Qeveria e re – që doli pas zgjedhjeve të gushtit 2020 – e ndryshoi ligjin me qëllim që të sigurohet se pronat do të mbeten në dorën e Kishës, që selinë e ka në shtetin fqinj, Serbi.
Kush po e kundërshton ceremoninë në Cetinje?
Shoqatat kombëtare malazeze, pothuajse e gjithë opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviq dhe përfaqësuesit e komunës së Cetinjës po e kundërshtojnë ceremoninë e marrjes së detyrës së mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.
Ata e shohin ceremoninë si një simbol të “pushtimit” të Malit të Zi dhe një përpjekje për ta futur Malin e Zi në të ashtuquajturën “botë serbe”.
Këtë ide e shfaqi për herë të parë ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.
Vulin tha në një tubim të partisë së tij më 18 korrik, se “detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë botën serbe” dhe “t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”.
Kundërshtuesit e ceremonisë kanë kërkuar që ajo të mbahet në çdo qytet tjetër malazez, përveç Cetinjës.
Ky qytet nga malazezët konsiderohet si qendër kulturore dhe historike.
Mitropoliti Joanikije i tha Radios Svetigora se “Mali i Zi nuk është vetëm Cetinje”.
“Ata ende nuk kanë krijuar shtetin e tyre të quajtur Cetinje”, tha Joanikije.
Më 3 shtator, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Malit të Zi ka shprehur shqetësim për situatën e sigurisë para ceremonisë së planifikuar më 5 shtator.
Pas një takimi pesë orësh, Këshilli, i kryesuar nga kryeministri Zdravko Krivokapiq, përgatiti udhëzime për organet e sektorit të inteligjencës dhe sigurisë të Malit të Zi për t’u ballafaquar me tubime të qytetarëve të planifikuara në Podgoricë dhe Cetinje.
Krivokapiq iu drejtua qytetarëve duke u thënë “të mos bien pre e provokimeve” sepse shteti “do të garantojë sigurinë personale të secilit”.
Siç tha ai, struktura të caktuara politiko-kriminale, të cilat kanë frikë nga reformat në gjyqësor, nuk zgjedhin mjetet për të nxitur tensione, vetëm sa për të ruajtur pozitat dhe përfitimet materiale.
Paraardhësi i tij deputeti i DPS-së, Dushko Markoviq, vlerësoi se Këshilli “nuk mori parasysh vlerësimet për rrezikun nga ngjarjet në Cetinje”.
Ai kërkoi që ceremonia të mos mbahet në këtë qytet.
“Mali i Zi u krijua në Cetinje, ne nuk duhet të lejojmë që ky Mal i Zi aktual të vdesë në Cetinje,”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Sergej Sekuloviq.
Komuniteti Ndërkombëtar kërkon uljen e tensioneve
Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve, veçanërisht udhëheqësve politikë në Malin e Zi, që të ndihmojnë në uljen e tensioneve.
Kështu është thënë në një përgjigje të Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.
“Të gjithë, veçanërisht udhëheqësit politikë, duhet të bëjnë pjesën e tyre për të ulur dhe jo për të tensionet pasi siguria publike është thelbësore”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Më parë, Zyra e Kombeve të Bashkuara në Malin e Zi dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësim sa i takon tensioneve në rritje, retorikës përçarëse dhe mungesës së tolerancës.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve, veçanërisht atyre që mbajnë pozita me autoritet dhe ndikim, të ofrojnë kontribut të drejtpërdrejtë në qetësimin e tensioneve dhe ndërtimin e besimit”, ka thënë koordinatori i Përhershëm i OKB-së, Peter Lundberg, në emër të ekipit të OKB -së në Mal të Zi.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE) Ana Pisonero tha se nxitja e ndarjeve etnike dhe fetare dhe mungesa e tolerancës janë “të rrezikshme për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve”.
Çfarë thonë ekspertët?
Paul McCarthy, nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, fajëson të gjitha palët për përshkallëzimin e tensioneve në prag të ceremonisë së organizuar nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila, siç thotë ai, duhet të zbusë retorikën, shkruan Zëri i Amerikës.
Ndërsa Edward Joseph, nga Universiteti Johns Hopkins, e sheh situatën aktuale si vazhdim të përpjekjeve për të ndryshuar orientimin pro-perëndimor të qeverisë malazeze, me mbështetjen e Beogradit dhe Moskës.
Serbia dhe Mali i Zi kanë qenë pjesë e një federate deri më 2006, kur Mali i Zi shpalli pavarësinë.
Mali i Zi është pjesë e NATO-s dhe aspiron që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.
Mali i Zi u shkëput nga Serbia në vitin 2006, por kisha e saj nuk është bërë autoqefale dhe është nën kujdesin e Kishës Ortodokse Serbe, të cilën kundërshtarët e shohin si simbol të ndikimit të Serbisë në Malin e Zi të pavarur./ Rel- Argumentum.al