Samiti i Ballkanit Perëndimor në Berlin nuk u dha përgjigje asnjë prej dy çështjeve kryesore që mundonin liderët e rajonit: Negociatat dhe marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Sipas mediave gjermane, vendimi për negociatat ka të ngjarë të shtyhet për në shtator, pasi Brukseli kërkon shumë kohë për shqyrtimin e progres-raportit të Komisionit Europian.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron e ndërmorën këtë përpjekje për të zhbllokuar bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, por as Beogradi dhe as Prishtina nuk janë zotuar të kthehen në tryezën e dialogut.
Në draft-deklaratën e përbashkët të samitit, e cila u publikua nga mediat gjermane, tetë liderët e Ballkanit dhe Macron e Merkel theksuan”rëndësinë e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve për stabilitetin në rajon dhe për perspektivën europiane të të dyja vendeve.
Edhe pse në konferencën e përbashkët për shtyp, Merkel dhe Macron e cilësuan marrëveshjen e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut si shembull për Beogradin dhe Prishtinën, presidenti francez nguroi të fliste për hapjen e negociatave, si një shpërblim për Shkupin. Madje as zgjerimi dhe as negociatat nuk u përmendën në deklaratën e përbashkët të samitit.
Franca po mundohet të ngadalësojë procesin e zgjerimit, sepse Presidenti Macron në përgjithësi kërkon reformimin e BE-së. Edhe në Berlin, ai theksoi se ky takim nuk ka të bëjë me “politikën e zgjerimit”. Çështja e hapjes së bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë u zhvendos në bisedime dypalëshe, mes Merkelit, kryeministrit Zoran Zaev dhe kryeminstrit Edi Rama.
Negociatat ishin një nga temat e diskutimit Merkel-Rama por sipas raporteve të mediave gjermane, Shqipëria duket se ka mbetur sërish në klasë.
Qarqet diplomatike nga Berlini rikonfirmojnë për DW se Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në fund të majit. Merkel megjithatë nuk mund të marrë asnjë vendim pa miratimin e Bundestagut.
Siç mësoi DW nga qarqet politike pranë CDU-së, afati kohor që nga publikimi i raportit të progresit të BE-së, më 29 maj deri në samitin e BE-së në qershor nuk mjafton për të marrë një vendim për çeljen e negociatave. Burime nga CDU/CSU i thanë gazetës gjermane se vendimi i tyre do të shtyhet në shtator.
Vetë Kryeministria është treguar e rezervuar rreth qëndrimeve të Kancelares Merkel për sa i përket pozicionit që do të mbajë Gjermania ndaj raportit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave.
Mediat franceze thonë se diskutimet u përqendruan tek marrëdhëniet ekonomike, dialogu Kosovë-Serbi dhe bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të armëve.
Gazeta “Currieur de Balkans”, shkruan se mes procesit të Brexit, zgjerimi europian duket më i largët se kurrë.
“Ashtu si për shumë çështje të tjera, edhe kur bie fjala tek zgjerimi, qendrimi i Angela Merkelit dhe Emmanuel Macron nuk është i njëjtë”, thekson gazeta.
Më pas në takimin e përbashkët dhe darkën e punës, vëmendja u kthye tek çështjet specifike midis Serbisë dhe Kosovës, si tarifat ndaj mallrave serbe. Merkel e quajti këtë një shembull të “zhvillimeve negative”. Deklarata përfundimtare i bën thirrje të dyja palëve që t’i rikthehen “dialogut konstruktiv”.
Megjithatë, pozicionet e dy krerëve të Kosovës, në lidhje me bisedimet me Serbinë ishin të ndryshme nga njëri-tjetri.
Presidenti Hashim Thaçi ishte pesimist dhe shpërtheu me kritika kundër Bashkimit Europian, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj vlerësoi rolin e Gjermanisë dhe Kancelares gjermane Angela Merkel.
Presidenti Thaçi u tha gazetarëve pas takimit se “Bashkimi Europian është i dobët dhe nuk është në gjendje të ndërmarrë hapa të mëdha në Ballkan dhe për këtë arsye nevojitet përfshirja e SHBA”.
Presidenti i Kosovës i kërkoi Gjermanisë dhe Francës të bënim më shumë presion Serbisë në mënyrë që ta njohin Kosovën. Ai kërkoi gjithashtu liberalizimin e vizave dhe shtoi se udhëheqësit serbë duhet të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë.
Për Haradinajn, Franca dhe Gjermania duhet të shprehin mbështetjen e tyre për liberalizimin e vizave të Kosovës dhe duhet të bëjnë të qartë se asnjë ndryshim kufitar nuk mund të diskutohet në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë.
“Gjatë takimit me ambasadorin e SHBA në Gjermani, Richard Grenell, gjithashtu theksova se qeveria jonë është kundër idesë së shkëmbimeve të tokës, duke e konsideruar këtë si një mundësi të rrezikshme e cila jo vetëm që do të shkaktonte paqëndrueshmëri për vendin, por edhe për rajonin” , tha Haradinaj.
Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi pas një takimi të zhvilluar me shefen e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, se duhet të arrihet një marrëveshje që të pranohet nga të gjitha palët.
“Nëse askush nuk dëshiron kompromis dhe mendon se zgjidhja do të vijë duke brnë më shumë presion mbi Serbinë, atëherë nuk ka asgjë më për të tjetër”, tha presidenti. I pyetur për çështjen e ndryshimit të kufijve, Vuçiç tha se “kur bëhet fjalë për çështjen e ndryshimit të kufijve, pyetja ime është cilët kufij: ata që njohin Kombet e Bashkuara, Spanja apo Italia. Gjermania e njeh Kosovën si shtet, ndërsa Serbia nuk e njeh sikurse nuk e njohin Kina, Rusia, India. Pikërisht për këtë unë them se duhet gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha ai.