REALPOLITIK FLASH NR. 79
18 – 31 TETOR 2023
Mbi tre komponentët me 10 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i madh
Dr. JORGJI KOTE
1.Shumë zhurmë por asgjë! Nuk është fjala për “shumë zhurmë për asgjë“ të Shekspirit, por për ngërçin e trishtë në dialogun Prishtinë -Beograd. Pavarësisht nga dy konfliktet e tjera të njohura, ky dialog dhe pozicionet e të dy palëve ishin në qendër të vëmendjes së politikës ndërkombëtare, sidomos të BE-së. Më 20 Tetor, ajo dërgoi në Prishtinë dhe në Beograd “pesëshen e madhe“ diplomatike, e cila dorëzoi një projekt të ri modern europian për daljen nga qerthulli i krizës. Kjo çështje u diskutua me përparësi më 23 tetor në Luksemburg në Takimin e Ministrave të Jashtëm dhe në Samitin e saj në Bruksel më 26 tetor. Ajo ishte dhe në qendër të Samitit SHBA – BE më 19 tetor në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit e diskutoi më 25 tetor në prani të Presidentes së Kosovës dhe Kryeministres së Serbisë. Shumë takime intensive, zhurmë dhe bujë, por asgjë. Ndërsa Kryeministri Kurti me një lëvizje fine diplomatike i “kapi gafil“ perendimorët dhe Presidentin Vuçiç, duke pranuar nënshkrimin e Marrëveshjes dhe pranimin në parim të draftit të Asociacionit, me kushtin e pranuar nga BE-ja për vlerësimin e tij dhe nga Gjykata Kushtetuese. Presidenti Vuçiç i qëndroi besnik pozicioneve të mëparshme refraktare edhe ndaj Letrës së datës 27 tetor të treshes Scholz-Macron dhe Meloni, duke kundërshtuar kategorikisht njohjen ”de fakto” dhe pranimin e Kosovës në OKB.
ARGUMENTUM në rubrikat e Realpolitik të muajve të fundit ka paralajmëruar se ngërçi në dialogun Prishtinë – Beograd nuk mund të zgjidhet për shkak të qëndrimeve serbe, politikave të gabuara të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë dhe qëndrimeve të tyre më favorizuese ndaj Serbisë, edhe pse ajo vazhdon “të shkelë me të dyja këmbët“ çdo marrëveshje!
Demarshet do vijojnë sipas parimit “tërhiq e mos e këput“ deri në përfundimin e zgjedhjeve europiane dhe atyre presidenciale amerikane 2024. Me shpresën se mbas tyre, BE dhe SHBA do të “korrigjojnë shinjestrën“, ato do të dalin jo vetëm me njerëz dhe struktura të reja, por mbi të gjitha me një paradigmë të re cilësore strategjike, sidomos ndaj Serbisë, të cilës ka ardhur koha “t‘i vihet kufiri te thana“!
2. Pesë ” B-të” me Greqinë dmth Busti, Beleri, Burgu, Betimi dhe Brukseli! Këto 5 ’B’ të vinin ndërmend më 26 Tetor duke ndjekur ceremoninë e zbulimit të bustit të ish Kryeministrit Kostantinos Mitsotakis, babait të kreut aktual të qeverisë greke në Derviçan, qarku i Gjirokastrës. Ishte mbajtja e premtimit të Kryeministrit Rama dhjetorin e kaluar në atë fshat në prani të homologut grek. Një gjest i vullnetit të mirë për një figurë madhore të Greqisë. Mirëpo askush nuk e kishte menduar se busti do të inaugurohej në rrethana tërësisht të ndryshme nga ai dhjetor plot muzikë që tashmë duket shumë i largët. Arrestimi dy ditë përpara zgjedhjeve të 14 Majit 2023 dhe mbajtja në burg për mbi 5 muaj e Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri i ka tendosur si rrallë herë marrëdhëniet dypalëshe. Ecejaket dhe demarshet e deritanishme kanë dështuar. Pala jonë këmbëngul se kjo është çështje e drejtësisë së pavarur dhe të reformuar. Por pala greke jep një argument për të cilin pala jonë ”bën veshin e shurdhët”. Sipas saj, drejtësia le të vazhdojë të bëjë punën e vet si në çdo vend perendimor demokratik; por deri në gjykimin e tij, mbi bazën e Kushtetutës sonë dhe Konventës Europiane mbi të Drejtat e Njeriut, siç u shpreh më 28 tetor në Bularat zv.ministri i jashtëm grek Kotsiras, Beleri duhet të lejohet të bëjë betimin si Kryetar Bashkie. Për pasojë, mosreagimi ndaj këtyre tri ” B-ve” të fundit, rrezikojnë ”B-në” e BE-së, dmth Brukselin dhe më konkretisht çeljen praktike të negociatave në dhjetor.
Gjithsesi, Mitsotakis nuk mund të vinte në Dropull sepse ishte në Bruksel, në Samitin e BE–së. Këtë mund ta thoshte Kryeministri Rama për të zbutur mungesën e Mitsotakis. Veç kësaj, liderët perendimorë nuk e kanë zakon të vijnë në ceremoni të tilla, ca më pak për etërit e tyre biologjikë. Por kryesorja, Mitsotakis nuk mund të vinte në Derviçan kur ne nuk ka asnjë sinjal dhe shprese për kërkesën greke. Për pasojë, ’B’-ja e Bustit nuk mund të kompensojë apo të zëvendësojë tri ”B” -të e tjera. Kjo nuk ndodh në diplomaci, ca më pak me atë greke.
3. Hamasi po ndan botën mbas sulmeve terroriste kundër Izraelit më 7 Tetor; brenda vendeve perendimore dhe në marrëdhëniet ndërmjet tyre në forumet botërore. Në Gjermani, Francë, Britaninë e Madhe dhe gjetkë po organizohen manifestime të mëdha proteste pro-palestineze dhe pro-izraelite, por të parat janë më të shumta, më masive dhe më të dhunshme ndaj policisë. Gjendja është bërë aq shqetësuese sa gazeta më e madhe gjermane BILD më 29 tetor botoi Manifestin me 50 pika që bën thirje për qetësi, tolerancë fetare, moderacion, respekt ndaj grave dhe vajzave, lirisë së shprehjes, etj. Ndërkohë, BE-ja në Samitin e saj më 27 tetor në Bruksel pati debate të ashpra lidhur me komunikatën përfundimtare; u deshën shumë diskutime për kompromisin e rastit, ”krijimin e pauzave dhe korridoreve për qëllime humanitare” por jo armëpushim, mbasi ai do t’i shërbente Hamasit. Kjo frymë u pasqyrua dhe në OKB, ku më 27 tetor, 120 vende të Jugut Global global miratuan një rezolutë, e cila shprehet më shumë në favor të Palestinës, pa përmendur aktin terrorist të Hamasit. Votuan kundër SHBA-të dhe 15 shtete të tjera. Gjithsesi, edhe pse pa forcë detyruese ligjore, kjo rezolutë ishte minus për Perëndimin, ndaj dhe u përshëndet nga Hamasi.
Ndërkohë, Turqia ka marrë hapur në mbrojtje Palestinën, duke denoncuar Perëndimin dhe Izraelin si shkaktarët e gjendjes atje. Kjo ndarje qëndrimesh është pasojë e politikave të dështuara perendimore në 30 vitet e fundit; prirjet për stabilitet në Lindjen e Mesme duke lënë pas dore Palestinën, nëpërmjet tratatitave me vendet e tjera; ” kusuret” demokratike të Netianahut të cilat, në vend ta zbusin, e kanë acaruar gjendjen dhe për fajet e lidershipit palestinez që ka qëndruar pasiv dhe jashtë realiteteve të reja historike, duke i lënë hapësirë Hamasit. Edhe thirja e Presidentit Macron për një koalicion ndërkombëtar kundër Hamasit është ”pritur me këmbët e para” nga shumica e vendeve, përfshirë dhe ato perendimore. Kjo përçarje brenda kampit perendimor është shqetësuese për SHBA-të dhe BE-në, sidomos tani në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe europiane 2024; vetëkuptohet se ajo tingëllon ” muzikë” për Hamasin, Iranin dhe shtete të tjera me qëndrime anti-semitiste dhe anti-perendimore.
© 2023 Argumentum