Presidenti Ilir Meta lëshoi një deklaratë befasuese të mërkurën. “Kriza nuk zgjidhet as me retorikë, as me metoda policore, por me dialog dhe përpjekje serioze. Pasojat e krizës mund të jenë të rënda për Shqipërinë. Si president kam bërë çdo përpjekje për të parandaluar krizën. Jam i përgatitur të lë mandatin dhe deri të sakrifikohem si Salvador Aljende, për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake”, tha Meta.
Kreu i shtetit përdori si ilustrim historinë e politikanit kilian, Aljende, duke lënë shteg për shumë interpretime. Më 11 shtator të vitit 1973, ushtria vendosi ta rrëzojë Aljenden me një grusht shteti, që thuhet se u mbështet nga CIA amerikane. Trupat rrethuan pallatin presidencial dhe Aljende mbajti një fjalim duke theksuar se nuk do të tërhiqet. Më vonë atë ditë, Aljende kreu vetëvrasje. Pas vdekjes së tij, pushtetin e mori junta ushtarake e gjeneralit Augusto Pinoçet. Krimet e tij janë tashmë të njohura.
Por përse e përdori Meta këtë shembull? Teksa ai po fliste, në Lushnje po organizohej një protestë e pazakontë. Fermerët po derdhnin qumështin në rrugë, të revoltuar me qeverinë. Por vendi nxinte nga prania e forcave speciale. A ka lidhje deklarata e Metës me faktin që ‘gjenerali’ në krye të Ministrisë së Brendshme po përdor dorë të hekurt ndaj protestuesve? A është Shqipëria në një situatë kaq të rrezikshme, aq sa kryeministri, kryebashkiaku i Tiranës e deri tek Sandër Lleshaj të ruhen me një duzinë truprojash dhe nga forcat speciale?
Ndonjë ndërkombëtar mund të thotë se komentet e Metës bien ndesh me faktin se ‘Zonja e parë’ është drejtuese e opozitës. Por duket se me deklaratën e sotme, Meta u ka dërguar një sinjal të fortë edhe të huajve.
Të mos harrojmë se dy ditë më parë, Meta ‘shigjetoi’ nga larg kur tha se “mendoj se klasa politike shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e saj dhe nuk duhet të fshihet pas asnjë ndërkombëtari, siç ka ndodhur deri tani, dhe çështjet duhet të zgjidhen me dialog në mënyrë transparente, në mënyrë parimore, larg pazareve dhe keqpërdorimeve, qoftë edhe të ndonjë ndërkombëtari”.
I pyetur për rrezikun e ndikimit rus në Shqipëri, presidenti mendon:
“Ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike, për fat të keq, të Rusisë në rajonin tonë, por nuk besoj se ky është një problem në rastin e Shqipërisë. Ne do të donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e të gjithë popujve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO, por është e drejta e saj të reagojë ndryshe. Gjithsesi, nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun angloamerikan në periudhën e së kaluarës, për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale, përfaqësimi, të cilat janë të krijuara nga ne dhe kërkojnë reflektim nga të gjithë”, tha Meta.
Komentet e Metës vijnë një ditë përpara protestës opozitare dhe janë një sinjal i qartë se nuk mund të mbyllen sytë para situatës, me shpresën se gjithçka do zgjidhet me gaz lotsjellës./mapo.al