Genc Mlloja
Opinioni publik ndërkombëtar e ka akoma të freskët zhurmën e madhe që bëri administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me një mjet ajror shkencor kinez, që rrymat e ajrit e futën në mënyrë të pakontrolluar në hapësirën ajrore të këtij vendi. Të dukej si një garë në të gjitha nivelet administrative e shprehur në rrjetet mediatike për ta paraqitur balonën në një mijë e një mënyra si pjesë e një ‘programi të gjerë’mbikëqyrjeje të drejtuar nga ushtria kineze. Në atë furi hamendësimesh të pashoqe vetë presidenti amerikan Joe Biden pretendoi madje se balona mbante në bord “dy vagona plot me pajisje spiunazhi”. Duke i vënë ‘vulën e spiunazhit’ ngjarjes në hapësirë Pentagoni deklaroi pa pikë përgjegjësie pa pritur të bëheshin ekspertizat e rastit se ajo mbante sensorë dhe pajisje vëzhgimi, ishte e manovrueshme dhe se mund të ndryshonte drejtimin.
Megjithë këmbënguljen e autoriteteve përkatëse kineze se balona ishte thjesht një mjet ajror civil i përdorur kryesisht për kërkime meteorologjike, i cili doli nga kursi i fluturimit për shkak të erërave dhe kishte vetëm aftësi të kufizuara vetëdrejtuese, kreu i Shtëpisë së Bardhë Joe Biden urdhëroi forcat ushtarake që ta rrëzonin. Dhe meqë nuk kanë kaluar shumë kohë nga ajo ditë në shkurt të këtij viti të gjithë e kanë akoma të freskët në mendje angazhimin mediatik, që të transmetohej direkt rrëzimi i balonës (4 shkurt 2023) në një shfaqje teatrale avionësh ushtarakë e luftanijesh që të kujtonte betejat me mullinjt e erës të të famshmit Don Kishoti i Mançes, personazh i shkrimtarit spanjoll me famë botërore Miguel de Cervantes Saavedra.
Sot pas pesë muajsh propagandë të ekzagjeruar lidhur me ‘rrezikshmërinë’ e mjetit ajror ndaj interesave amerikane të pretenduar nga specialistët amerikane Pentagoni pranoi më 29 qershor se mjeti ajror kinez nuk kishte mbledhur asnjë informacion dhe as bëhej fjalë që ai të kishte dërguar të dhëna në Kinë.
Analizat e mbeturinave të gjetura nga balona kineze kanë treguar se “ajo nuk mblodhi asnjë informacion ndërsa ishte duke kaluar tranzit në SHBA”, tha zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Pat Ryder për mediat më 29 qershor.
Ky pranim gabimi duhet vlerësuar se rrallë herë ndodh një gjë e tillë në diplomacinë amerikane, por çështja është nëse është i mjaftueshëm ‘mea culpa’ për të korrigjuar dëmin që shkaktoi ai incident jo vetëm material, por në përkeqësimin e mëtejshëm të mirëbesimit midis dy vendeve, duke bërë që komunikimi midis Kinës dhe SHBA të ndryshojë totalisht, duke humbur një rast të mirë për rikthimin në nivel normal të bashkëpunimit kino-amerikan.
Pikërisht në atë kohë Sekretari i Shtetit Antony Blinken kishte planifikuar një udhëtim diplomatik në Kinë, por sikurse rrodhën ngjarjet plani u shty nga pala amerikane dhe udhëtimi u riplanifikua dhe sikurse dihet Blinken vizitoi Pekinin në qershor.
Duke iu përmbajtur qëndrimit parimor në mbrojtje të integritetit dhe dinjitetit si shtet sovran, si një ndër fuqitë më të mëdha në botë, por edhe sepse kishte te drejtën në anën e saj, Kina ishte e prerë në qëndrimin e vet duke e dënuar këtë veprim amerikan menjëherë pas rrëzimit të balonës dhe kësisoj Ministria e Punëve të Jashtme deklaroi se përdorimi i forcës nga SHBA ishte “një reagim i dukshëm i tepruar dhe një shkelje serioze e praktikës ndërkombëtare”. Deklarata theksoi ndër të tjera: “Kina do të mbështesë me vendosmëri të drejtat dhe interesat legjitime të kompanisë përkatëse, dhe në të njëjtën kohë do të rezervojë të drejtën për të ndërmarrë veprime të mëtejshme në përgjigje”.
Nëqoftëse në rastin e incidentit në shkurt SHBA, por në mënyrë të veçantë qarqet ushtarake dhe të zbulimit ishin aktiv në përhapjen e trillimeve nga më të ndryshme lidhur me misionin e balonës, se ajo madje po drejtohej të fluturonte mbi baza sensitive ushtarake amerikane, tani po mundohen të minimizojnë daljet në publik, duke u mjaftuar me njoftimin e shkurtër të Pentagonit të 29 qershorit.
Ndërsa Uashingtoni reagoi në mënyrën më arrogante në shkurt ndaj një mjeti ajror shkencor kinez dhe po përpiqet ta mbyllë atë kapitull, administrata amerikane nuk heq dorë nga qëndrimet e saj provokuese ndaj Kinës, duke vazhduar furnizimin me armatime të Tajvanit, provincë e pandarë e territorit të Republikës Popullore të Kinës. Ndër veprimet më të fundit bie në sy njoftimi se Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së miratoi më 20 qershor shitje të reja armësh në Tajvan me vlerë 440 milionë dollarë. Sipas të dhënave, paketa e armëve do të përfshijë municion 30 mm, pjesë rezervë për automjete me rrota dhe sende të tjera, sipas raporteve të mediave. Kjo është paketa e 10-të e shitjes së armëve për Tajvanin e bërë në presidencen e SHBA të Joe Biden.
Kina i ka kërkuar SHBA-së të respektojë parimin e një Kine dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta Kinë-SHBA, të ndalojë shitjen e armëve në ishullin e Tajvanit, të ndalojë krijimin e faktorëve që çojnë në tensione në ngushticat e Tajvanit dhe të ndalojë dëmtimin e paqes dhe stabilitetit në rajoni, tha Mao Ning në përgjigje të marrëveshjes në konferencën për shtyp më 30 qershor.
SHBA po e kthen ishullin e Tajvanit në një fuçi baruti dhe depo municioni. Kjo nuk është “mbrojtje” e ishullit, por dëmtim dhe shkatërrim i tij, tha Zyra e Çështjeve të Tajvanit në Këshillin e Shtetit të Kinës, duke kritikuar marrëveshjen.
Ndërkohë ditët e fundit, një delegacion dypartiak i Kongresit të SHBA, i kryesuar nga Kryetari i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Rogers, ishte në Tajvan për një vizitë tre-ditore.
Këto veprime në fakt janë vazhdim i kursit të pandryshueshëm të politikës amerikane ndaj Kinës sa i përket Tajvanit dhe askush nuk e vë në dyshim karakterin e tyre provokues, që mbart rreziqe të paparashikuara në ngushticat e Tajvanit dhe Detin e Kinës Jugore. Por tullumbacja amerikane e shkurtit të këtij viti që plasi pas pak muajsh me turp risjell në vëmendje karakterin me dy fytyra të politikës amerikane, që nuk heziton të ndërmarrë veprime të rrezikshme si rrëzimi i balonës shkencore kineze dhe ndërkohë provokon në mënyrë arrogante në ishullin e Tajvanit dhe ujërat përreth Kinës.
Sekretari i Shtetit Amerikan Antony Blinken
“Ne duhet të përballemi me faktin se diplomacia amerikane do të vazhdojë të tregojë karakterin e të qenit me dy fytyra, pasi e sheh Kinën si një kundërshtar kryesor strategjik dhe nuk do të ndryshojë strategjinë e saj të frenimit të Kinës përpara se të rifitojë një avantazh absolut ndaj Kinës”, Lü Xiang, një studiues. në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale, tha për Global Times më 30 qershor. Sipas tij, qeveria qendrore kineze duhet të jetë e vetëdijshme për këtë dhe po bën rregullime në strategjinë e saj në ngushticat e Tajvanit dhe Detin e Kinës Jugore për të mbajtur kontrollin praktik të Kinës mbi rajonet përkundrejt provokimeve të SHBA-së.
Dhe në fakt janë domethënëse veprimet e vendosura të Kinës në Ngushticat e Tajvanit që nga viti i kaluar, duke përfshirë stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë dhe fluturimin e avionëve luftarakë nëpër të ashtuquajturën vijë mesatare të ngushticave të Tajvanit, të cilën Republika Popullore e Kinës e ka shpallur një koncept inekzistent.
Ndërsa bota po përjeton një situatë dramatike si në ekonomi ashtu edhe në aspekte të tjera sociale kur edhe vendet më të zhvilluara janë në një krizë të thellë të gjithanshme gjendje që po bëhet edhe më shpërthyese si pasojë e përkeqësimit të luftës në Ukrainë ndalimin e të cilës angazhimi ushtarak i disa vendeve perëndimore të kryesuara nga SHBA po e bën më të pamundur, askush nuk do të donte një acarim të mëtejshëm të marrëdhënieve kino-amerikane. Përkundrazi opinioni publik ndërkombëtar por edhe qarqet politike konstruktive në SHBA presin me shpresë që arsyeja të dominojë mbi arrogancën, mirëkuptimi dhe vetëpërmbajtja të mposhtin impulsivitetin agresiv të disa qarqeve militariste amerikane.
Sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen
Vizita e Sekretarit të Shtetit Blinken ishte fillimi i një shkrirje të akujve politikë, por vizita e parashikuar e Sekretares amerikane të Thesarit Janet Yellen mund të jetë një rivitalizim i marrëdhënieve në fushën ekonomike, tregtare e financiare në të mirë të të dy vendeve por edhe të mbarë botës.
“E rëndësishme është se ata po flasin”, David Loevinger, i cili ndihmoi në koordinimin e bisedimeve ekonomike SHBA-Kinë për administratën Obama, tani drejtor menaxhues për Grupin TCW në Los Anxhelos, i tha Washington Post më 2 korrik. “Është e habitshme sa pak komunikim po ndodh në të gjitha nivelet e qeverisë së SHBA dhe Kinës. Ne duhet të jemi në gjendje të flasim dhe të kemi marrëdhënie ku njerëzit mund ti përgjigjen telefonit”.
ish-ambasadori kinez në Uashington Cui Tiankai
Kurse ish-ambasadori kinez në Uashington Cui Tiankai i pyetur nga Global Times më 29 qershor se a ka ende një dritare mundësie për të riparuar lidhjet Kinë-SHBA përpara zgjedhjeve amerikane, ai deklaroi se nuk është kurrë tepër vonë nëse ka vullnet politik. “Kina ka treguar angazhimin e saj politik për përmirësimin e marrëdhënieve”, tha diplomati i lartë kinez.
Janë të gjitha mundësitë që marrëdhëniet kino-amerikane të kthehen në normalitet dhe të mos përsëriten incidente si ai i ‘balonës’, por mbi të gjitha SHBA duhet të heqin dorë nga synimi për të frenuar Kinën dhe këtë duhet ta bëjnë me vepra jo me fjalë se vetëm kështu mund të rivendoset mirëbesimi midis dy fuqive më të mëdha në botë në të mirë të dy popujve kinez e amerikan por edhe të mbarë njerëzimit.
Genc Mlloja