Për situatën e fundit në Rusi kanë reaguar liderët e vendeve perëndimore të cilët kanë thënë se po e vëzhgojnë situatën me kujdes.
Situata e fundit në Rusi ka nxitur reagimin e zyrtarëve amerikanë dhe evropianë. Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ka thënë se pas marrjes nën kontroll të disa objekteve ushtarake nga grupi paramilitar rus Wagner në jug të Rusisë, ka biseduar me ministrat e jashtëm të vendeve të G-7s dhe Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për çështje të jashtme.
“Shtetet e Bashkuara do të jenë në bashkëpunim të afërt me aleatët dhe partnerët në kohën kur situata është në zhvillim e sipër”, kashkruar Blinken.
Ndërsa kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak ka thënë se kjo është një situatë në zhvillim dhe gjëja e duhur në këtë moment është që ne të sigurohemi se jemi të përqendruar, të jemi në kontakt me aleatët, dhe me të cilët do të flas në ndërkohë më vonë.
E kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau ka thënë se Otava do të vazhdojë ta vëzhgon situatën në Rusi nga afër pasi forca paramilitare ushtarake Wagner ka marrë nën kontroll disa objekte ushtarake në jug të Rusisë. Trudeau gjithashtu ka bërë të ditur se Grupi i Reagimit ndaj Incidenteve për te diskutuar rreth zhvillimeve të fundit.
E ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius ka thënë se po i vëzhgojmë dhe analizojmë zhvillimet aktuale. Askush nuk e ka pritur këtë, të paktën duhet thënë jo tani, ka thënë ministri gjerman.
Ndërsa kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka thënë se situata në Rusi është kaotike. Ajo ka thënë se po e vëzhgojnë situatën në Rusi dhe me sa duket propaganda ruse për forcën dhe fuqinë e saj nuk përkon me realitetin.
Grupi paramilitar ushtarak i njohur si Wagner ka marrë nën kontroll disa objekte ushtarake në jug të vendit dhe lideri i këtij grupi Yevgeniy Prigozhin i ka shpallur luftë qeverisë ruse dhe ka kërcënuar se do të lufton kundër secilit që do të përpiqet ta ndalojë.