Kryetari i Partisë Republikane dhe deputeti i opozitës, Fatmir Mediu ka reaguar sot në lidhje me vendosjen e mbi 500 trupave serbe në kufi me Kosovën.
Në një postim në rrjetet sociale, Mediu bën thirrje të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
“Të thirret sa më parë Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Shqipëria nuk mund të mbaj këtë pozicion të papranueshëm në lidhje me situatën në Kosovë. Vendosja e mbi 5000 trupave serbe në kufi me Kosovën me gjithë mjetet luftarake është qartësisht agresioni ushtarak, është e njëjta sjellje si e Rusisë me Ukrainën. Çfarë duhet të ndodh më që të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare”, shkruan Mediu.
Mediu fton krerët e lartë të shtetit që të shtrojnë çështjen urgjentisht në NATO.
“Presidenti pavarësisht se Këshill ka kohë që ka dalë nga funksioni i tij Kushtetues duhet ta thërras urgjent atë dhe të përcaktojë detyrimet e qeverisë, shërbimeve inteligjente dhe atyre diplomatike për këtë situatë Çfarë duhet të presi Kryeministri, që ta shtrojmë këtë çështje dhe situatë urgjentisht në NATO? Konsultimi dhe koordinimi me vendet e tjera të NATO-s në Ballkan është domosdoshmëri, sepse jo vetëm situata në Kosovë, por dhe ajo në BiH, në Malin e Zi dhe shpenzimet ushtarake të Serbisë me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, janë tashmë një shqetësim real për vendet e Ballkanit, por dhe për aleatët tanë. Në bashkëpunim me SHBA dhe vendet e tjera partnere duhet kjo çështje të shtrohet në Këshillin e Sigurisë së OKB. Serbia dhe Vuçiç po ndjekin qartësisht udhëzimet e Rusisë dhe Putinit për të realizuar qëllimet e tyre në Ballkan si dhe për të krijuar një konflikt në rajon, pjesë e strategjisë të deklaruar të Rusisë”, shprehet Mediu.