Kushdo që ka akses në të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë dhe për më tepër të gjitha këto të dhëna, në mënyrë të paligjshme, mund të përdoren për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve në zgjedhjet e ardhshme.
Kështu shprehet juristi Ledio Braho për Gazetën MAPO, duke e cilësuar këtë fenomen si hapja e Kutisë së Pandorës për zgjedhjet e ardhshme.
“Së pari, ky fenomen është vërtet një skandal i përmasave të tilla që prek çdo qytetar shqiptar dhe tashmë duket se është në fazën që po përfshihen në konflikt “të patronazhuarit” me “patronazhistët”. Me keqardhje më duhet të them se përveç të dhënave personale, në databazë kishte mjaft komente denigruese për individë të ndryshëm, sidomos për shtresat e margjinalizuara, çka e rëndon akoma më shumë situatën në lidhje me pritshmërinë për zgjedhjet. Fakti që në komente gjendeshin të dhëna të tipit “do takohet nga oficeri i policisë” apo “duhet t’i jepet leja e legalizimit” tregon qartësisht se po tentohet të cenohet e drejta e votës, që është e drejtë kushtetuese. Së dyti, nga pikëpamja ligjore ka shkelje të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut që garantohen nga Kushtetuta, por edhe nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, po ashtu ka shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale” si dhe elemente të disa veprave penale të sanksionuara në K.Penal. Më konkretisht, nëpërmjet këtij përpunimi të paligjshëm të të dhënave personale cenohet neni 35 i Kushtetutës që ndër të tjera parashikon se “1. Askush nuk mund të detyrohet, përveçse kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhëna që lidhen me personin e tij. 2. Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj”.
Po ashtu, ndërthurja e të dhënave personale të ndryshme në databazë sjell si pasojë edhe cenimin e nenit 45 të Kushtetutës që në pikën 4 të tij parashikon se “Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. Ndërthurja e këtyre të dhënave sjell si pasojë edhe cenimin e një sërë të drejtave të tjera të sanksionuara në KEDNJ dhe protokollet e saj shtesë, si e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare apo e drejta për zgjedhje të lira që sjellin si pasojë edhe mosgarantimin e ndalimit të përgjithshëm të diskriminimit.
Të gjitha këto shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut vijnë si pasojë e mosrespektimit të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili “të dhënat personale” i përkufizon si “çdo informacion në lidhje me një person fizik, të identifikuar ose të identifikueshëm, direkt ose indirekt, në veçanti duke iu referuar një numri identifikimi ose një a më shumë faktorëve të veçantë për identitetin e tij fizik, fiziologjik, mendor, ekonomik, kulturor apo social”.
Duket qartë që numri personal dhe numri i telefonit janë të dhëna që identifikojnë një person fizik ndërkohë që vendi i punës është një nga faktorët e veçantë që referon për identitetin ekonomik dhe social të personit fizik. Janë pikërisht të gjitha këto të dhëna që konsiderohen personale dhe përpunimi i tyre rregullohet me ligj në mënyrë që mos të cenohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Përdorimi i tyre nga një parti politike për qëllime zgjedhore, pa marrë pëlqimin e çdo individi të dhënat e të cilit janë pjesë e databazës, është shkelje e ligjit. Kjo që ka ndodhur me të dhënat e gati të paktën 30 për qind të popullsisë së Shqipërisë, është me të vërtetë shumë e rrezikshme, pasi tashmë kushdo ka akses në të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë dhe për më tepër të gjitha këto të dhëna, në mënyrë të paligjshme, mund të përdoren për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve në zgjedhjet e ardhshme.
Për mendimin tim, ky fenomen mund të konsiderohet si hapja e Kutisë së Pandorës për zgjedhjet e ardhshme.