Një investigim i emisonit “Fiks Fare” ka vërtetuar akuzat e pales maqedonase e cila herë pas here ka theksuar se Bullgaria nëpërmjet dhënies së pasaportave bullgare për qytetarët shqiptarë dhe ata të minoritetit maqedonas në vendin tonë po tentojnë të “bullgarizojnë” disa fshatra në verilindje të Shqipërisë.
Emisoni “Fiks Fare” vërtetoi mbrëmjen e 20 Dhjetorit me zë e figurë se sa e lehtë është të blesh një vërtetim të origjinës bullgare në Ostren të Bulqizës, nuk ka rëndësi se çfarë origjine ke. Kundrejt 100 mijë lekëve Fiksi bleu dy të tilla të firmosura dhe vulosura nga administratori i Ostrenit, Luan Mjeshtri. Vërtetimet u morën duke dorëzuar fotokopje certifikatash, të një banori të Patosit, me gjyshër nga Njësia Administrative Trebisht dhe të dytin për një banorë të Stërblevës, me gjyshër po nga Stërbleva e Librazhdit. Origjina e dy familjeve nuk kishte asnjë lidhje me Njësinë Administrative Ostren. Këto vërtetime jepen kundrejt shumave 90 apo 100 mijë lekë dhe përdoren për t’u pajisur me pasaportë Bullgare.
Në një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë në Dibër, thuhet se ky rast ka qenë nën hetimin e strukturave të policisë. “Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohej se punonjës të njësisë administrative Ostren dhe të bashkisë Bulqizë falsifikonin dokumente me qëllim pajisjen e qytetarëve me vërtetime, në kundërshtim me ligjin“.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Kryetarja e bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, nuk ka bërë asnjë reagim publik lidhur me ngjarjen e arrestimeve të tre zyrtarëve të bashkisë, përfshirë edhe vëllain e saj, Luan Mjeshtri.
Luan Mjeshtri me detyrë administrator i njësisë Administrative Ostren njëkohësisht vëllai i kryetares së bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, është një prej të arrestuarve për shpërdorim detyre si pjesë e grupit që shiste vërtetime false të origjinës bullgare në Ostren të Bulqizës. Vërtetimi shitej kundrejt 100 mijë lekëve (të vjetra).
Srukturat hetimore në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se disa shtetas, punonjës të njësisë administrative Ostren dhe të bashkisë Bulqizë, dyshohej se falsifikonin dokumente, me qëllim pajisjen e qytetarëve, me vërtetime, në kundërshtim me ligjin, më datë 12.10.2023 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Si rezultat i hetimeve disajavore, të kryera me metoda proaktive, strukturat hetimore të DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Dibrës, në orët e para të mëngjesit të sotëm, finalizuan operacionin policor të koduar “Pasaporta”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i udhrave për ndalimin e shtetasve:
-L. M., 62 vjeç, banues në Ostren, me detyrë administrator i njësisë administrative Ostren;
-A. L., 33 vjeç, banues në Ostren, me detyrë specialist i Shërbimit Social, në njësinë administrative Ostren;
-F. B., 61 vjeç, banues në Trebisht, me detyrë sekretar i Këshillit Bashkiak, në bashkinë Bulqizë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke falsifikuar dokumente të Gjendjes Civile, për të pajisur qytetarë të ndryshëm, me vërtetime se banonin në njësinë administrative Ostren, me qëllim regjistrimin në shoqatën “Golloborda” dhe përfitimin e pasaportave bullgare.
Pas publikimit të këtij investigimi, Këshilli Bashkiak mori vendim për shkarkimin e sekretarit të Këshillit Bashkiak të Bulqizës Fitim Balla, i cili akuzohet për shpërdorim detyre si dhe për administratorin e njësisë Ostren, Luan Mjeshtri, i cili eshte dhe vëllai i kryebashkiakes Festime Mjeshtri.
Gjatë debatit më Këshillin Bashkiak, anëtari i Këshillit të djathtë Shaqir Manjani ka propozuar që kryebashkiakja Festime Mjeshtri të japë dorëheqjen, pasi në këtë aferë korruptive është vëllai i saj, i cili ushtronte detyrën si administrator në njësinë administrative Ostren.
Ky investigim i kalon kufijtë e një njësie administrative si ajo e Ostrenit, pasi bëhet fjalë për një politike të një shteti si Bullgaria e cila duket se ka ndërtuar një minoritet fals me pasaporta dhe origjinë të blerë.
Kujtojmë se në shtator të këtij viti, Ostreni u vizitua nga zv.presidenten e Bullgarisë, Iliana Iotova e cila erdhi vetëm disa ditë para fillimit te regjistrimit të popullsisë në Shqipëri
Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Iotova ka vizituar edhe fshatin Ostren i Madh në Bashkinë e Bulqizës të Qarkut Dibër, ku është takuar edhe me kryebashkiaken e Bulqizës, Festime Mjeshtri, e cila është dhe e motra e një prej të arrestuarve në këtë skandal të oriigjinës false bullgare.
Ndaj me të drejtë lind dyshimi, nëse ky krim është individual apo shtetëror, me bekimin e vetë qeverisë bullgare?
Pikërisht pas këtij investigimi nga Fiks Fare, e cila u vijua gjithashtu me një operacion policor ku në qendër është kjo shit-blerje të një origjine false bullgare, mbetet emergjente reagimi i Ministrive të Jashtme të Shqipërisë, Bullgarisë por dhe Maqedonisë së Veriut për të bllokuar njëherë e mirë këtë politike të një vendi europian që shfrytëzon zona të varfëra si Ostreni për interesat e tyre politike.
/Argumentum.al