Në Ditën Botërore të Veterinarisë, Shqipëria ka shënuar progres në fushën e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore.
Falë reformës në sektorin veterinar, ku me një vendim të qeverisë, shërbimi veterinar u dimensionua si një Autoritet Kombëtar, sot në të gjithë vendin kryhet në mënyrë rigoroze kontrolli i shëndetit të kafshëve dhe garantohet cilësia e produkteve me origjinë shtazore.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në takimin që zhvilloi me veterinerë dhe specialistë të linjës tha se, “sot 600 veterinerë janë pjesë e strukturës së Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë, që kryejnë falas identifikimin e kafshëve, kontrollin e shëndetit të tyre nëpërmjet kontrolleve zyrtare, gjurmimeve për Tuberkuloz e Brucelozë, gjurmimeve në kuadër të Planit Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve, kontrollin e përdorimit dhe tregtimit të substancave mjekësore në kafshë, Kontrollin e lëvizjes dhe tregtimit të kafshëve, inspektimin para dhe pas therjes së kafshëve, në të gjithë territorin e vendit, për të gjithë blegtorët, për rritjen e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve”.
Sipas ministres, sot në çdo bashki ka veterinerë që i përgjigjen çdo nevoje që kanë fermerët në fermat e tyre blegtorale.
“Në Skemën Kombëtare 2023, kemi mundësuar që të gjitha aplikimet e blegtorëve të përfshihen në vijën e financimit”, bëri të ditur ministrja.
Krifca theksoi se, sot 92% e fermave blegtorale vizitohen të paktën 1 herë në vit nga veterineri i terrenit.
“Kemi forcuar fuqinë tonë parandaluese me më shumë se 80 mijë vaksina kundër plasjes dhe më shumë se 181 mijë vaksina kundër brucelozës. Ne ruajmë zinxhirin e sigurisë ushqimore me më shumë se 70 veterinerë të punësuar pranë AKU për të mundësuar një zinxhir të sigurt të produkteve blegtorale nga ferma tek pjata e konsumatorit dhe specialistët tanë janë në terren në 75 thertore dhe 6 tregje blegtorale”, informoi Krifca.
Ministrja tha se, sot është rritur me 32% numri i krerëve të therura në thertore të certifikuara. Ndërsa është forcuar rolin e ISUV si laborator i referencës dhe busull e sektorit me më shumë se sa 1.8 milion euro investime, dhe rritje me 30% të pagës së tyre.
“Asnjëherë më parë, gjatë 30 viteve të fundit territori i Shqipërisë nuk ka pasur një skanim të tillë të territorit si ky që kemi instaluar dhe që po jep frytet e tij. Ky zhvillim në sektorin e veterinarisë është projektim i drejtë i së ardhmes dhe integrimit në Bashkimin Evropian”, deklaroi ministrja në fjalën e saj.