Nga Marjana Doda
Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ka filluar tashmë zyrtarisht. Por, përtej takimeve publike, premtimeve politike dhe debateve televizive, shpeshherë propaganda politike hyn edhe aty ku nuk ka asnjë vend, në ambientet e punës.
Në Shqipërinë e vitit 2025, ku politika pretendon se po na çon drejt Bashkimit Europian, realiteti tregon një fytyrë të shëmtuar, atë të shfrytëzimit të punëtorëve si vegla propagande.
Këtu nuk bëhet fjalë për administratën shtetërore, e cila, edhe pse sipas ligjit nuk duhet të përfshihet në aktivitete politike, për fat të keq është përdorur shpesh nga të gjitha qeveritë, si të majta, ashtu edhe të djathta, gjatë tri dekadave të tranzicionit. Raste të tilla i kemi parë me dhjetëra, dhe ndonëse të dënueshme, janë bërë pothuajse pjesë e kulturës së keqe politike në Shqipëri.
Por ky rast është ndryshe dhe akoma më i rëndë, sepse kemi të bëjmë me punëtorë të sektorit privat.
Një rast i tillë i paprecedent ka ndodhur sot, ku biznesmeni i njohur Gjergj Luca i lidhur prej vitesh me pushtetin, ka mbledhur punonjësit e tij në ambientet e kompanisë, i ka rreshtuar përpara flamujve të Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke mbajtur një fjalim të gjatë, propagandistik, në mbështetje të Partisë Socialiste. Me flamujt në duar, me fytyra të lodhura, me sy që nuk fshehin frikën e humbjes së vendit të punës, punonjësit – shumica gra – qëndronin aty, si dekor i gjallë për një shfaqje politike, që nuk kishte asgjë njerëzore, asgjë demokratike.
( https://www.facebook.com/share/v/15Nxx6QEni )-video e mesazhit të Gjergj Lucës në praninë e punonjësve të tij.
Pikërisht në këtë sfond biznesmeni Gjergj Luca, mban këtë fjalim plot pathos, duke lavdëruar partinë socialiste dhe duke kritikuar kundërshtarët politikë, konkretisht partinë demokratike, të cilën ai e akuzon për veprime që kanë dëmtuar interesat e biznesit të tij.
Nuk do doja të hyj më në thellesi nëse z. Gjergj Luca ka të drejtë në akuzat që i drejton qeverise së mëparshme, apo nëse institucionet gjatë kohës së qeverisjes Berisha kanë vepruar thjesht sipas detyrës që u ngarkon ligji. Ajo që më shqetëson vërtet, dhe që nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë, është mënyra se si punonjësit e kompanive të tij po keqpërdoren për interesat e tij personale e politike.
Në asnjë kod pune, në asnjë normë morale apo ligjore, nuk është e lejuar që punëtorët të përdoren si “publik i detyruar” në fushata politike. Ky është një abuzim me pozitën e punëdhënësit dhe një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe punëtorit.
Kjo nuk është thjesht fushatë. Kjo është një formë e pastër presioni psikologjik dhe politik. Një shkelje e drejtpërdrejtë e Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, i cili ndalon përdorimin e autoritetit të punëdhënësit për qëllime politike dhe ndalon çdo formë diskriminimi apo presioni në vendin e punës për bindjet politike të punonjësit.
Çdo kod etik, çdo ligj që rregullon marrëdhënien punëdhënës-punëmarrës, e ndalon në mënyrë kategorike këtë formë manipulimi dhe shfrytëzimi. Kur një punëtor detyrohet të dëgjojë fjalimet e pronarit të tij që lavdëron një parti politike, duke i diktuar kahjen e votës ndërsa përballë ka frikën se nëse nuk merr pjesë, mund të humbasë vendin e punës, kjo nuk është liri, kjo është skllavëri moderne. Dhe është turp që ndodh në dritë të diellit, përpara kamerave, pa asnjë ndëshkim.
Të gjithë ata që heshtin sot përballë këtij abuzimi – institucionet e punës, Inspektorati Shtetëror i Punës, Avokati i Popullit, partitë politike, sindikatat – bëhen bashkëfajtorë në këtë farsë të neveritshme.
Punëtorët nuk janë dekor për fushata. Nuk janë numra për t’u shfrytëzuar. Ata janë njerëz, qytetarë me dinjitet, me të drejta që nuk shiten e nuk shkelmohen për interesa politike.
Ndaj, sot më shumë se kurrë, është e rëndësishme që institucionet e punës, sindikatat, organizatat e të drejtave të njeriut dhe vetë qytetarët të reagojnë. Të mos lejojmë që politika të kthehet në një mjet presioni dhe frike për ata që janë më të pambrojturit, punëtorët.
Demokracia nuk ndërtohet mbi frikën dhe shfrytëzimin, por mbi lirinë dhe dinjitetin e çdo qytetari.
Çfarë thotë ligji?
Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë është i qartë: Marrëdhënia e punës nuk mund të përdoret për qëllime politike. Neni 32 i Kodit përcakton se “Punëmarrësi ka të drejtë të mos diskriminohet për shkak të bindjeve të tij politike”. Ndërkohë, Neni 7 i të njëjtit Kod ndalon në mënyrë të prerë çdo formë detyrimi apo presioni në vendin e punës që cënon dinjitetin dhe lirinë personale të punonjësit.
Më tej, Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 10 garanton ndarjen e politikës nga besimet personale, përfshirë këtu edhe bindjet politike, ndërsa Neni 17 ndalon kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, përveç në raste të parashikuara nga ligji – dhe kurrsesi jo për interesa fushatash.
Ajo që ndodhi në këtë kompani është një shkelje ligji, që kërkon reagim institucional të menjëhershëm nga çdo organ ligjzbatues.
Nëse shoqëria shqiptare nuk reagon sot ndaj kësaj ngjarjeje, atëherë nuk do të kemi të drejtë të ankohemi nesër kur punëtorët të shndërrohen në votues të detyruar, kur institucionet të jenë vegla të pushtetit dhe kur demokracia të jetë vetëm një fasadë pa përmbajtje.
Sepse nuk ka demokraci atje ku punëtori nuk ka zë. Nuk ka shtet ligjor kur pronari vendos kush duhet votuar. Nuk ka drejtësi kur frika e bukës së gojës bëhet armë elektorale.
Ndaj e ritheksoj edhe njëherë që Inspektorati i Punës duhet të nisë menjëherë një hetim për këtë ngjarje. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi duhet të ndërhyjë për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve. Organizatat për të drejtat e punonjësve dhe shoqëria civile duhet ta denoncojnë këtë rast publikisht dhe fuqishëm. Mediat duhet të flasin e ta raportojnë këtë ngjarje — pa frikë dhe pa autocensurë.
Sepse nëse lejojmë që një punëtor të shndërrohet në instrument propagande, nëse lejojmë që liria e tij të shkelet për një fjalim fushate, atëherë kemi humbur jo vetëm të drejtën për të zgjedhur – por kemi humbur të drejtën për të qenë njerëz të lirë.
Në fund të ditës, kjo është çështje e dinjitetit njerëzor.
p.s Unë jam e majtë në bindjet e mia politike. Por mbi çdo bindje, për mua prevalojnë të drejtat e njeriut, dinjiteti dhe liria e individit. Askush, nuk ka të drejtë të përdorë frikën dhe varësinë ekonomike për të kontrolluar votën apo mendimin e askujt.
© 2025 Argumentum