Projekti për gazifikimin e qytetit të Korçës ka hyrë në fazën e realizimit, me nënshkrimin e marrëveshjes mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Azerbajxhanit që pritet të ndodhë në fillim të prillit, njofton Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo.
Ai theksoi se dy studime fizibiliteti janë përfunduar nga kompania shtetërore e gazit të Azerbajxhanit (SOCAR) dhe pritet që puna të nisë në prill për zbatimin konkret të projektit. Përfaqësuesit e SOCAR-it, së bashku me ambasadorin e Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Hüseynov, janë takuar me kryebashkiakun për të diskutuar detajet e projektit, ndërsa një prezantim për grupet e interesit dhe publikun e gjerë do të bëhet më 5 mars.
“Po ecën me hapa të shpejtë puna për konkretizimin e një prej projekteve më madhore të Bashkisë Korçë”, shkroi Filo në rrjetet sociale.
Kryebashkiaku i Korçës priti sot në një takim pune ambasadorin e Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Hüseynov, si dhe përfaqësuesin e kompanisë shtetërore të gazit Socar. Në datën 5 mars një delegacion në nivel të lartë menaxherial i kompanisë Socar do të jetë në Korçë, ku do të bëjë një prezantim të projektit për grupet e interesit dhe publikun e gjerë. I gjithë projekti pritet të ketë një prezantim publik në fillim të muajit mars, ndërsa kompania Sokar do të zbatojë në Korçë edhe një projekt social, i cili ende nuk është saktësuar.
![](https://www.argumentum.al/wp-content/uploads/2025/02/mr.Anar_-1024x683.jpg)
Projekti i gazifikimit të Korçës është mjaft i rëndësishëm, si për qytetarët të cilët do të kenë një alternativë shumë të mirë për ngrohjen por edhe për bizneset të cilat do të kenë mundësinë të mbulojnë kostot e proceseve teknologjike që përdorin ngrohjen me një kosto shumë më të ulët se aktualisht.
Për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të Korçës, kryeministri Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nënshkruan në Baku, një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgazit dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan. Ministrja Balluku është shprehur se, “ajo që synohet është që të mbulojmë një rrjet të tërë shpërndarjeje gjatë gjithë qytetit të Korçës, por nga ana tjetër kryesisht edhe në bizneset të cilat operojnë në këtë qytet”.
/Argumentum.al