Genc Mlloja
Përgjatë historisë së njerëzimit shumë tërmete vdekjeprurëse të përmasave apokaliptike kanë shkaktuar viktima të panumërta si dhe kanë rrafshuar komunitet të tëra në mbarë rruzullin tokësor. Tërmetet përjetësisht, si një nga forcat më shkatërrimtare të natyrës, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme dhimbjesh dhe vuajtjesh ndër popujt e vendeve që janë goditur si dhe në mbarë botën, duke i rikujtuar njerëzimit se kjo fatkeqësi natyrore si në të shkuarën mjerisht vazhdon të godas si në tragjedinë në Turqi e Siri më 6 shkurt 2023.
Nga tërmetet e tmerrshme të kaluara në Kinë dhe Indi, te cunami shkatërrues në Indonezi dhe Japoni, janë ndër ngjarjet e këtyre dekadave të fundit që kanë lënë një ndikim të papërshkrueshëm në popuj dhe shërbejnë si një kujtesë kthjelluese për të gjithë të ‘zemërimit’ të natyrës.
Foto:VCG
Tërmetet e njëpasnjëshme që goditën Turqinë dhe Sirinë me lëkundje të ndjera në të gjithë rajonin në Liban, Jordani, Izrael dhe Greqi, janë tragjedia njerëzore e ditëve tona të tashme, që ka pllakosur popujt e vendeve të goditura si dhe ka tronditur mbarë komunitetin njerëzor.
Jo për të sfumuar dhimbjen e njerëzve të goditur nga katastrofa e fundit por faktet mbi disa nga tërmetet më vdekjeprurëse në historinë e këtyre dekadave të fundit nuk harrohen kurrë nga kujtesa njerëzore dhe kur ndodhin katastrofa si kjo e fundit ora e kujtesës kthehet prapa aty ku ka ndaluar në kohë të ndryshme si pasojë e tërmeteve të tilla të llahtarshme.
Tërmeti i madh i Sichuanit në Kinë me një magnitudë 8.0 ishte një fatkeqësi që goditi këtë provincë më 12 maj 2008, duke shkaktuar shkatërrime biblike dhe humbje kolosale jetësh. Bilanci tejet tragjik: mbi 70,000 viktima dhe 375,000 të plagosur, ndërtesa të panumërta, duke përfshirë shkolla dhe spitale, u dëmtuan ose u shkatërruan plotësisht, duke lënë dhjetëra mijëra të pastrehë. Tërmeti shkaktoi gjithashtu rrëshqitje dheu dhe ndërpreu rrugët dhe rrjetet e komunikimit, gjë që paraqiste sfida të mëdha për përpjekjet e shpëtimit dhe të ndihmës.
Rindërtimi filloi menjëherë pas tërmetit dhe, brenda dy viteve, në një kohë rekord sipas analistëve, autoritetet kineze kishin rindërtuar dhe riparuar miliona shtëpi dhe mijëra shkolla dhe spitale. Infrastruktura bazë si rrugët dhe furnizimet me ujë u restauruan me shpejtësi të madhe.
Më 12 janar 2010 tërmeti katastrofik në Haiti me magnitudë 7.0 ballë shkaktoi një shkatërrim total në kryeqytetin Port-au-Prince dhe zonat përreth, duke shkaktuar mbi 220,000 të vdekur dhe 300,000 të plagosur sipas shifrave të qeverisë haitiane. Shumë ndërtesa, duke përfshirë shtëpi, shkolla dhe spitale, u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë, duke lënë qindra mijëra të pastrehë. Tërmeti shkaktoi gjithashtu panik dhe kaos të madh pasi njerëzit përpiqeshin të gjenin ushqim, ujë dhe kujdes mjekësor pas kësaj.
Foto:VCG
Një fatkeqësi e madhe natyrore goditi bregdetin e Sumatrës ne Indonezi më 26 dhjetor 2004, ku një tërmet me magnitudë 9.1 shkaktoi një cunam gjigand që goditi disa vende në rajonin e Oqeanit Indian. Me mbi 230,000 viktima në 14 vende, ai mbetet një nga cunamet më vdekjeprurës në historinë e regjistruar. Cunami shkaktoi shkatërrime kolosale përgjatë bregdetit, duke zhdukur fshatra të tëra dhe duke dëmtuar infrastrukturën jetike si rrugët, urat dhe rrjetet e komunikimit.
Një tjetër fatkeqësi natyrore e regjistruar në kategorinë e tërmeteve fatale ishte tërmeti me magnitudë 6.6 që goditi qytetin Bam në Iran më 26 dhjetor 2003. Tërmeti rezultoi në shkatërrime të shumta dhe humbje jetësh, me mbi 26,000 viktima dhe 30,000 të plagosur. Ai shkaktoi dëme të mëdha në qytet, duke shkatërruar ose dëmtuar rëndë shumë ndërtesa, duke përfshirë shtëpitë dhe strukturat historike.
Më 25 prill 2015 një tërmet katastrofik goditi Nepalin me magnitudë 7.8 ballë. Tërmeti shkaktoi shkatërrime të shumta dhe humbje jetësh, me mbi 9,000 viktima dhe 22,000 të plagosur në Nepal dhe mbi 200 fatalitete në Indi. Tërmeti Indi-Nepal i vitit 2015 mbetet një nga tërmetet më vdekjeprurëse në historinë e fundit dhe ndikimi i tij ndihet ende sot në Nepal.
6 shkurt 2023, tërmeti fatal në Turqi e Siri
Në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit 2023 tërmeti me magnitudë 7.8 nisi furinë katastrofike, duke kthyer në rrënoja qytete e zona të tëra të banuara në Turqinë jugore dhe Sirinë veriore. Por gjëja më e dhimbshme është numri i viktimave që ka kaluar 33,000 ndërsa përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë. Numri i vdekjeve në Turqi ka arritur në 29,605 (12 shkurt 2023), ndërsa më shumë se 4,500 njerëz kanë vdekur në Siri.
Foto:VCG
Ministri turk i Shëndetësisë Fahretin Koca tha se një foshnjë u shpëtua nga mbeturinat në provincën Hatay 150 orë pasi tërmetet goditën rajonin. Luftë në mes jetës e vdekjes… Dhe prandaj ekipet e shpëtimit nuk reshtin përpjekjet e tyre. I konsiderueshëm është edhe numri i të lënduarve dhe shifrat e larta kanë ezaruar çdo kapacitet, por thirrja e mbijetesës triumfon, e gjen nje shteg për ta sfiduar sadopak ‘armikun’ fantazmë që mbjell vdekje e shkatërrime. Prandaj çdo njeri i nxjerrë nga rrënojat është vepër e luftës për mbijetesë, ngadhënjim mbi vdekjen!
Tërmetet në Turqi në fillim të javës së kaluar renditen ndër tërmetet më të mëdha kontinentale në botë të regjistruara ndonjëherë, sipas një sizmologu kanadez. Duke folur për agjencinë e lajmeve Anadolu, Edwin Nissen, profesor i sizmologjisë në Universitetin e Viktorias në Kolumbinë Britanike, tha se lëkundjet e 6 shkurtit në Turqi dhe Siri janë ndër pesë ose 10 tërmetet më të fuqishme kontinentale të regjistruara ndonjëherë.
“Ajo që e ka bërë atë kaq të dëmshëm është kombinimi i përmasave dhe vendndodhjes së tij ku jeton popullsi e dendur në Turqi, e cila kufizohet me një pjesë me popullsi të dendur në Siri”, shpjegoi ai. Sipas tij, tërmetet më të mëdha ndodhin normalisht në oqeane, megjithatë Nissen vuri në dukje se këto tërmete ishin më pak të fuqishme se tërmetet kontinentale.
Në periudhën e pas tërmetit qeveria turke ka mobilizuar tërë strukturat e saj dhe mbarë populli është i mobilizuar të kontribuojë në një ringjallje të shpejtë.
Situata e Sirisë në terren pas tërmeteve vdekjeprurëse është katastrofike, pasi më shumë se 4 milionë njerëz tashmë përballen me situata komplekse humanitare në vendin e shkatërruar nga lufta. Shumë nga zonat më të goditura nga tërmeti në Siri kanë përjetuar zhvendosje masive dhe pasiguri ushqimore për më shumë se një dekadë. Pasi tërmetet dëmtuan të vetmin korridor të ndihmës humanitare, qasja e Sirisë në ndihmën ndërkombëtare mbetet e kufizuar.
Foto:VCG
Janë raportuar nevoja urgjente për logjistikë, ekipe të aftë shpëtimi dhe strehime të përkohshme. Gjysmëhëna e Kuqe Arabe Siriane tha se Siria ka nevojë për makineri të rënda, ambulanca dhe zjarrfikëse për të vazhduar operacionet e saj të shpëtimit dhe pastrimin e rrënojave. Vetëm 40 ambulanca janë në dispozicion për të përballuar katastrofën.
Autokolona e ndihmave të OKB-së ka arritur në Siri për herë të parë që kur tërmetet shkatërruese ndërprenë linjat e furnizimit më 6 shkurt. Përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë ndërsa shanset për të gjetur të mbijetuar po pakësohen me shpejtësi. Shumë ekspertë paralajmëruan se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet në mënyrë dramatike në Siri pasi shumë janë ende nën rrënoja në kushtet e rënda të dimrit. Për shkak të mungesës së pajisjeve, shumë ekipe shpëtimi u përpoqën të gërmonin rrënojat me duar. Shumë qytete janë ende në pritje të ekipeve të shpëtimit.
Ndërkohë raportohet se Algjeria, Afganistani, Kina, Egjipti, India, Iraku, Irani, Jordania, Libia, Omani, Katari, Rusia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Vatikani po dërgojnë ndihmë të shpejtë në Siri.
Duke shikuar përvojën e kaluar të përballjes me katastrofa të tilla gjë që përforcohet edhe më shumë në rastin e tanishëm në Turqi dhe Siri merr vlera të veçanta solidariteti i komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare me OKB-në në krye. E ky solidaritet i shprehur jo vetëm moralisht është shumë i rëndësishëm në aspektin e ndihmave humanitare, të ekipeve të shpëtimit, të personelit mjekësor sepse është e pamundur që nevojat të plotësohen me shpejtësi vetëm kur është fjala për jetë njerëzish.
E nuk është rastësi që koncepti i ndërtimit të një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit propozuar nga presidenti kinez Xi Jinping më 2013 merr vlera të spikatura në kohë të tilla tragjike sepse ne thelb të tij qëndron idea e ndërtimit të një bote të hapur dhe përfshirëse, me siguri të gjerë dhe begati të përbashkët.
Foto:VCG
Dhe ndihma nga Kina për Turqinë dhe Sirinë është në sintoni të plotë me konceptin e “ndërtimit të një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin” i paraqitur nga Presidenti Xi Jinping, i cili i dërgoi mesazhe ngushëllimi Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe presidentit sirian Bashar al-Assad, respektivisht, duke shprehur ngushëllime të thella për humbjen e njerëzve dhe ngushëllime të sinqerta për familjet e viktimave dhe të plagosurit. Presidenti Xi shprehu besimin e tij se popujt e Turqisë dhe Sirisë do ta kapërcejnë fatkeqësinë dhe do të rindërtojnë shtëpitë e tyre sa më shpejt.
E duke i kthyer fjalët ne vepra reagimi i Kinës ka qenë i shpejtë në ndihmë të Turqisë dhe Sirisë. Agjencia e Bashkëpunimit për Zhvillimin Ndërkombëtar e Kinës (CIDCA) njoftoi më 7 shkurt dhënien e ndihmës urgjente për Turqinë dhe Sirinë. Pjesa e parë e ndihmës urgjente për Turqinë, prej 5.9 milionë dollarë përfshin kontributin nëpërmjet ekipeve të shpëtimit e ekipeve mjekësore, si dhe furnizimin me materiale urgjentisht të nevojshme për punët e shpëtimit, tha Deng Boqing, zëvendësdrejtori i CIDCA-s.
Kina po bashkërendon gjithashtu dhënien e furnizimeve urgjente të nevojshme të ndihmës për Sirinë dhe po përshpejton programin e ndihmës ushqimore për këtë vend, shtoi ai. Nga ana tjetër Kina deklaroi se do të ofrojë 30 milionë juanë ndihmë urgjente për Sirinë dhe do të përshpejtojë furnizimin me ushqime. Shoqëria e Kryqit të Kuq e Kinës ka dërguar një ekip shpëtimi në Sirinë e goditur nga tërmeti.
Një njoftim tjetër bën të ditur se më 12 shkurt Kina dërgoi 53 ton tenda në Turqi, të cilat u nisën nga Shangai me aeroplanë të mëdhenj mallrash. Grupi i parë i furnizimeve nga qeveria e Kinës, (40,000 batanije), mbërriti në Stamboll më 11 shkurt. Ndërkohë Kina po planifikon të dërgojë pajisje mjekësore, duke përfshirë aparatura elektrokardiogrami, instrumente diagnostikues me ultratinguj dhe automjete mjekësore dhe shtretër spitalor në të ardhmen e afërt.
Ndërkohë ekipet kineze të shpëtimit vazhdojnë operacionet në provincën jugore Hatai të Turqisë, që ka pasur numrin më të madh të jetëve të humbura nga tërmetet e fundit.. Një ekip shpëtimi kinez prej 82 anëtarësh filloi punën më 7 shkurt. Edhe pjesëtarët e Ekipit të Shpëtimit “Ramunion” po kontribuojnë në operacionet e shpëtimit në Iskenderun në Hatai krahas ekipeve turke si dhe të shumë vendeve të tjera, përfshi edhe Shqipërinë, e cila ka dërguar në total një ekip me 73 anëtarë të forcave të kërkim shpëtimit, mjekë, por edhe pjesëtarë të Forcave të Armatosura për t’i ardhur në ndihmë Turqisë, në përpjekjet e saj për të shpëtuar sa më shumë njerëz të gjallë nën rrënoja. Pjesëtarët e grupit shqiptar, në koordinim të plotë me autoritetet vendase dhe ekipet aleate nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile kanë ndihmuar në nxjerrjen e 3 trupave të pajetë, ndërsa është shpëtuar një fëmijë 5 vjeç, i cili ishte në gjendje të mirë shëndetësore pavarësisht orëve të gjata nën rrënoja.
Foto:VCG
E nëse i kthehemi kronologjisë së mësipërme të tërmeteve katastrofike në vende të ndryshme të botës gjatë dy dekadave të fundit ata kanë goditur vendet pa dallim sistemesh politike, por duhet vënë në dukje se në rrezik është vënë jeta e njeriut ne Europë apo Azi, Afrike apo Amerikë Latine. Pra, veçanërisht në tragjedi të tilla të shkaktuara nga tërmetet apo fatkeqësi të tjera natyrore vdekjeprurëse të llojeve të ndryshme sikurse mund të përmendet edhe pandemia kovidiane popujt i bashkon një fat i përbashkët – mbijetesa, ringjallja. E kjo përballje e jetës me vdekjen po bëhet më imperative kur bota ndodhet në kushtet e një krize të përgjithshme ekonomike e sociale, e mbushur me konflikte, të cilat i bëjnë me komplekse ndërhyrjet e disa fuqive të mëdha perëndimore.
Sot të jesh kundër nismave që bashkojnë popujt, që i zgjasin dorën e ndihmës njëri-tjetrit në fatkeqësi si në rastin e tërmetit të fundit në Turqi e Siri është anti-njerëzore, shkon kundër aspiratave të popujve për të jetuar në paqe e siguri, mirëkuptim dhe solidaritet.
Edhe Shqipëria në pjesën veriperëndimore të saj u godit nga një tërmet vdekjeprurës më 26 nëntor të vitit 2019 ku humbën jetën 51 njerëz dhe mbi 3.000 vetë u plagosën. Ndërsa dëmet materiale ishin të mëdha pasi nga shkalla e magnitudës ky ishte tërmeti më i fortë që ka goditur Shqipërinë në më shumë se 40 vjet. Asnjë shqiptar nuk e harron se solidariteti i shprehur më ndihma të menjëhershme humanitare nga shumë vende të kontinenteve të ndryshme lehtësuan përballimin e tij me sa më pak dhimbje.
Me një fjalë koncepti i ‘fateve të përbashkëta’ është pa ekuivok ura lidhëse midis popujve, që i bashkon ata veçanërisht në raste të fatkeqësive të tilla katastrofike që ka goditur Turqinë dhe Sirinë, duke kapërcyer ndryshime të sistemeve politike apo sociale, si dhe në shumë raste duke sfiduar qarqe të caktuara politike izocionaliste perëndimore. Nganjëdhimi mbi një armik të përbashkët si tërmetet apo fatkeqësi të tjera natyrore bëhet më i lehtë në solidaritet, bashkim e bashkërendim të përpjekjeve humanitare të komunitetit njerëzor./CRI