IPR Marketing dhe RTV Ora publikon sondazhin e parë për këtë vit. Sondazhi është në nivel kombëtar dhe intervistat janë zhvilluar javën e kaluar, janë përpunuar dje dhe sot eshte marrë rezultati përfundimtar. Kampioni i përdorur janë rreth 2000 zgjedhës dhe përfaqësojnë gjithë popullatën rezidente në Shqipëri. Nga Tirana janë 31.3% të intervistuarve.
Në sondazh 62 % e shqiptarëve nëse do u jepej mundësia do të largoheshin nga Shqipëria ku problemet kryesore janë papunësia, korrupsioni dhe varfëria. 34.7% e gjykojnë negativisht veprimtarinë e qeverisë Rama, kundrejt 29.5% që e vlerësojnë pozitivisht, por kur flitet për dy liderët e opozitës, Lulzim Basha (PD) dhe Monika Kryemadhi (LSI) 49% dhe 57% e të anketurve vlerësojnë negativisht punën e tyre.
51% Jo zgjedhje te parakohshme
Pyetja: Opozita ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë që e konsideron të paligjshme, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Duke menduar për të mirën e Shqipërisë, a jeni në favor apo kundër zgjedhjeve të parakohshme?
Nisur nga situata politike në vend, ku opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, 51.9% e shqiptarëve janë shprehur kundër këtij qëndrimi. Në favor të zgjedhjeve të parakohshme janë shprehur 28.9% e qytetarëve shqiptarë. Ndërsa 19.2 janë shprehur se nuk e dinë.