I ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ambasadori Luigi Soreca i dorëzoi këtë të enjte zv/kryeministres Belinda Balluku, dhe Presidentit Begaj Raportin e Progresit për vitin 2023 të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Presidenti Begaj vlerësoi konkluzionet e balancuara dhe inkurajuese të Raportit të Komisionit 2023 për Shqipërinë dhe Planin e Ri të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.
Kreu i Shtetit vlerësoi, gjithashtu, njohjen nga Komisioni Evropian të ecurisë së proceseve të reformave në Shqipëri, në veçanti reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Presidenti Begaj rikonfirmoi mbështetjen e tij të palëkundur për institucionet shqiptare në përmbushjen e prioriteteve.
Begaj u shpreh se, “Shqipëria është, gjithashtu, e angazhuar për krijimin e një ekonomie funksionale, e cila mund të ndihmojë përmirësimin e integrimit të plotë të vendit tonë në tregun e vetëm të BE-së. Ne i vlerësojmë thellësisht përpjekjet e Komisionit Evropian për ta përshpejtuar integrimin ekonomik përmes Planit të Ri të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”.
“Në cilësinë time si President i Shqipërisë dëshiroj të siguroj të gjithë qytetarët tanë dhe partnerët ndërkombëtarë se do të vazhdoj të jem i angazhuar për avancimin e procesit të integrimit europian, i cili mbetet objektivi ynë kryesor kombëtar”, theksoi Presidenti Begaj
Zv/kryeministrja tha se Shqipëria vlerësohet politikisht dhe pozitivisht për përgatitje shumë të mirë aktive dhe profesionale në procesin e screening. Sipas saj, në raport është vlerësuar zbatimi i reformës në drejtësi.
“Me kënaqësi të madhe konstatojmë se ky raport është më pozitivi i hartuar ndonjëherë për vendin tonë dhe që përfaqëson në mënyrë të drejtpërdrejtë ecurinë shumë të mirë të reformave të thella që ne kemi ndërmarrë dhe rezultatet e tyre konkrete në forcimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit. Ky raport është një vlerësim real, i drejtë dhe krejtësisht i pavarur i asaj që Shqipëria ka arritur përmes reformave ligjore, institucionale dhe ekonomike, efektet e të cilave janë në sytë e qytetarëve tanë, por që marrin një rëndësi edhe më të madhe kur certifikohen nga BE që së bashku me SHBA, janë partnerët tanë kryesorë strategjikë”, u shpreh Balluku.
Ambasadori Soreca theksoi në fjalën e tij që objektivi i progres-raportit është që të ndihmohen partnerët, në këtë rast Shqipëria, që të përshpejtohet procesi i zgjerimit.
“Objektivi ynë është që të hapim grup-kapitujt thelbësorë nga fundi i këtij viti. Ne kemi hyrë në pikën kulmore të procesit të negociatave”, tha Soreca.
Raporti jep një vlerësim të drejtë të gjendjes që ndodhet vendi dhe hapat që ndodhet Shqipëria sipas Soreca-s.
“Përgjithësisht raporti shënon që autoritetet shqiptare kanë vazhduar që të shprehin në mënyrë të përhershme angazhimin politik për objektivin strategjik të integrimit në BE. Komisioni e njeh që Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në reformat, në grup-kapitujt thelbësorë, duke përfshirë këtu reformën në drejtësi. Shqipëria ka mbajtur përputhshmërinë me politikat e huaja dhe të sigurisë dhe kjo ka rëndësi të veçantë në kontekstin gjeopolitik aktual. Shqipëria mbetet një sinjal i fortë i zgjedhjes strategjike të anëtarësimit në BE dhe rolit të saj si një partner i besueshëm i komunitetit të BE-së”, tha Soreca.
Një pjesë kryesore në raport sipas ambasadorit ka reforma në drejtësi. Këtu u ndal tek funksionimi i gjyqësorit.
Ai theksoi edhe se SPAK ka arritur rezultate konkrete në hetimin e një sërë çështjesh të nivelit të lartë, por thekson se duhet të vazhdojnë në trajtimin dhe luftimin e pandëshkueshmërisë. Sipas raportit lufta kundër korrupsionit konsiderohet ende një fushë që sjell shqetësime serioze dhe ka nevojë të bëhet më shumë.
“Funksionimi i gjyqësorit vijon të zërë një pjesë të madhe të raportit vjetor. Komisioni shënon që zbatimi i reformës në drejtësi ka vijuar duke rezultuar në progres të mirë. Sa i përket zhvillimeve pozitive do të më lejoni që të theksoj avancimin e procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët dhe përfundimin e emërimeve në Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Në të njëjtën kohë nevojiten përpjekje të mëtejshme për të rritur efikasitetin e sistemit të drejtësisë, duke trajtuar kohëzgjatjen e madhe të procedimeve, punën e madhe të rritur dhe çështjet e prapambetura veçanërisht në gjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit. Sa i përket luftës kundër korrupsionit kjo konsiderohet ende një fushë që sjell shqetësime serioze ku ka nevojë të bëhet më shumë.
Në të njëjtën kohë SPAK ka arritur rezultate konkrete në hetimin e një sërë çështjeve të nivelit të lartë duke përfshirë lëshimin e disa mandat arresteve dhe mbërritjen e disa dënimeve të rëndësishme. Gjithashtu me vlerë të vazhdohet në trajtimin dhe luftimin e kulturës së pandëshkueshmërisë. Autoritetet e drejtësisë do të kenë BE në krahun e tyre. Do të jetë thelbësore të përdoren më shumë instrumenti kryesor i financimeve financiare në trajtimin e krimeve kryesore. “Ndjekja e parave” duhet të jetë objektivi kryesor. Sa i përket luftës ndaj krimit të organizuar, bashkëpunimi i mirë me shtetet anëtare, Europol dhe Eurojust ka vijuar. Ka pasur progres në konfiskimin dhe sekuestrimin e aseteve në lidhje me krimin e organizuar dhe kjo duhet të vijojë”, u shpreh ai.
Sa i përket zgjedhjeve, Soreca kërkoi që të trajtohen rekomandimet e ODIHR, ndërsa u shpreh se “Polarizimi ka vijuar që të ndikojë seriozisht në veprimtarinë e parlamentit”.
“Zgjedhjet kanë qenë të miradministruara, konkurruese dhe me pjesëmarrje e aktorëve kryesorë politikë. Gjithashtu ngre disa shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, pretendimeve për presion dhe punonjësit e sektorit publik, votuesve dhe pretendimeve për blerje votash. Mesazhi kryesor këtu është që një dialog politik, konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nevojitet për të pasur progres në reformë elektorale duke trajtuar rekomandimet e OSBE-ODIHR”, tha ai.
/Argumentum.al