Shqipëria shënon 14 vjetorin e anëtarësimit në NATO. Ajo u anëtarësua zyrtarisht në aleancë më 1 prill 2009.
Më 4 Prill 2009 Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl, ndërsa më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Presidenti Bajram Begaj, lidhur me këtë ditë të rëndësishme në historinë e vendit, shkruan se Shqipëria është krenare që kontribuon për paqen dhe sigurinë.
“14 vjet Shqipëria në NATO! Krenarë që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë! Krenarë që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë”, shkruan presidenti Begaj.
Shqipëria ka ofruar kontributin e saj në operacionet ndërkombëtare të paqes të drejtuara nga NATO, por edhe nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Ajo është bërë pjesë e dhjetëra operacioneve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Irak dhe Afganistan, ndërsa gjatë 12 viteve si pjesë e Aleancës, Ushtria e Shqipërisë është përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi, që nga personeli dhe deri te pajisjet dhe mjetet ushtarake.
Edhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka reaguar për 14 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Përmes një mesazhi në Twitter, ambasada e SHBA vlerëson partneritetin me Shqipërinë, duke e konsideruar atë si një anëtare vendimtare të Aleancës, e cila ka treguar përkushtim në promovimin e paqes dhe sigurisë.
“Sot bëhen 14 vjet nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO më 1 prill 2009. Shqipëria ka qenë që atëherë një kontribuues aktiv në përpjekjet e mbrojtjes kolektive dhe stabilitetin rajonal. Si një anëtare vendimtare e NATO-s, Shqipëria ka treguar përkushtimin e saj për të promovuar paqen dhe sigurinë dhe ka luajtur një rol jetik në mbështetjen e misioneve dhe operacioneve të drejtuara nga NATO. Si një aleat dhe partner krenar, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë të fortë me Shqipërinë dhe mezi pret të vazhdojë të punojë së bashku drejt synimeve tona të përbashkëta për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë”, shkruan ambasada e SHBA.
Historiku i marrëdhënieve NATO-Shqipëri
Qershor 1992, Shqipëria aplikon dhe pranohet zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC).
Dhjetor 1992, shënohet vizita e parë zyrtare nga Presidenti i Shqipërisë, Z. Sali Berisha, në selinë e NATO-s ku takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Z. Manfred Verner.
19 Mars 1993, për herë të parë, viziton Shqipërinë Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Manfred Verner.
Maj 1993, Shqipëria pranohet anëtare e Asamblesë së Atlantikut të Veriut.
Janar 1994, NATO lëshoi dokumentin ftesë të Partneritetit për Paqe, duke e përcaktuar atë si një program të drejtpërdrejtë dhe një mekanizëm praktik për të transformuar marrëdhëniet ndërmjet NATO dhe shteteve jo anëtare, kryesisht të ‘Bllokut Lindor”, që nuk përfshiheshin nën “ombrellën e sigurisë” sipas artikullit 5 të saj.
23 Shkurt 1994, Presidenti Dr. Sali Berisha nënshkroi Dokumentin Kuadër të PfP duke e bërë Shqipërinë zyrtarisht anëtare të kësaj iniciative (PfP).
20 Prill 1994, Parlamenti shqiptar ratifikoi dokumentin themelor të PfP.
3 Qershor 1994, u krijua Shoqata e Atlantikut të Veriut në Shqipëri në të cilën morën pjesë rreth 80 intelektualë të fushave të ndryshme.
22 Shtator 1994, Shqipëria paraqiti në NATO dokumentin e prezantimit të Shqipërisë në PfP, ku deklaroi kapacitetet dhe kuadrin e bashkëpunimit si vend partner.
25 Janar 1995, u miratua programi i parë individual i partneritetit (IPP) të Shqipërisë me NATO.
9 Qershor 1995, Shqipëria u përfshi zyrtarisht në procesin e planifikimit dhe rishikimit të partneritetit për paqe (PARP), proces i cili krijon kushte për të përfituar dhe aplikuar eksperiencën e NATO në fushën e planifikimit të mbrojtjes. Duke marrë pjesë në ciklet e PARP, Shqipëria nisi shkëmbimin me NATO, të informacionit dhe marrjen më në detaje të ekspertizës për çështje të një spektri të gjerë, që përfshijnë politikën e mbrojtjes, zhvillimet për kontrollin demokratik të Forcave të Armatosura, mbi forcat që Shqipëria ofron në dispozicion të NATO/PfP dhe planet përkatëse financiare.
Viti 1996, NATO ndërmori për herë të parë, një proces ambicioz studimi rreth mundësisë së zgjerimit të Aleancës, nëpërmjet 5 parimeve për zgjerim (NATO).
7 Korrik dhe 11 Tetor 1996, në selinë e NATO, zhvillohen dy sesione të dialogut individual NATO-Shqipëri.
30 Maj 1997, në Sintra të Portugalisë, Shqipëria mori pjesë në takimin e parë të organizmit të ri që zëvendësoi NACC, dhe që u quajt Këshilli i Partneritetit Euroatlantik (EAPC).
Me një rëndësi të veçantë ishte vullneti i shprehur nga pala shqiptare në këtë takim, që NATO të kontribuonte në procesin delikat të rindërtimit të ushtrisë shqiptare sipas standardeve e koncepteve moderne bashkëkohore.
Mars 1998, Aleanca shndërrohet në një nga pikat kryesore të fokusimit dhe koordinimit të përpjekjeve politike-ushtarake të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës kosovare duke përfshirë edhe opsionin e përdorimit të forcës.
Mars 1998, pala shqiptare u paraqiti vendeve të NATO shqetësimet dhe qëndrimet e saj pas përkeqësimit të situatës në Kosovë.
Qershor 1998, duke iu përgjigjur zhvillimeve dramatike në Kosovë, Ministrat e Mbrojtjes të NATO vendosën adoptimin e një sërë masave konkrete ku veçohen, mbajtja e një stërvitje të përbashkët ajrore të NATO mbi Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe hapjen e zyrës së NATO/PfP në Tiranë. Fushata ajrore e NATO kundër Serbisë, për të ndërprerë fushatën kriminale të spastrimit etnik të ndërmarrë nga regjimi i Millosheviçit, përbën një pikë kulminante në historikun e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Aleancës.
Viti 1999, gjatë krizës së Kosovës, Shqipëria ofroi lehtësirat e saj aeroportuale në ndihmë të operacionit të NATO në Kosovë dhe mund të thuhet pa mëdyshje se Shqipëria, de facto, reagonte e vepronte sikur te ishte një vend anëtar i NATO.
31 Gusht 1999, NATO krijon KOMMZ (W) (Durrës) për mbështetjen e mëtejshme të misionit të saj në Kosovë. Shtabi i saj u integrua në strukturën e KFOR dhe përbënte forcën e parë operacionale të NATO të dislokuar në Shqipëri.
Pas Samitit të Washingtonit 23-24 prill 1999, Shqipëria së bashku me 8 vende të tjera (me vonë dhe Kroacia) u pranua si vend aspirant për anëtarësim në NATO.
Nëntor 1999, Shqipëria paraqiti për herë të parë Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP).
Gusht 2002, Shqipëria dërgon misionin e parë në Afganistan, misioni ISAF, 23 veta nga regjimenti komando.
2003, Shqipëria dërgon misionin e vet të parë në Irak, një kompani komando.
Viti 2003, në Samitin e Stambollit, çështja kryesore ishte përmirësimi në bashkëpunimin e strukturave NATO/EAPC/PfP, që u përpunua tërësisht në raportin e rishikimit të gjithanshëm. Kryetarët e shteteve dhe qeverive e përshëndetën Shqipërinë për progresin e ndjeshëm në reforma, rolin e saj konstruktiv në nxitjen e stabilitetit rajonal dhe mbështetjen për Aleancën.
Maj 2003, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia së bashku me SHBA nënshkruajnë “Kartën e Adriatik 3 – SHBA” (u konsiderua si një nismë që do të përgatiste hyrjen e të tre vendeve në NATO, sipas shembullit të “Grupit të Vilnusit”)
Gjatë viteve 2004 – 2008, Shqipëria ka vazhduar procesin e konsultimeve me NATO gjatë takimeve të përvitshme që janë zhvilluar në kuadër të MAP, PARP dhe Ministerialit të NATO/EACP etj. Shqipëria ishte e angazhuar në përmbushjen e 43 objektivave të partneritetit, që përcaktonin masat për të aftësuar më tepër Forcat tona të Armatosura për të operuar së bashku me forcat e Aleancës.
FASH kanë dhënë një kontribut domethënës në operacionet e mbështetjes së paqes të drejtuara nga NATO, por edhe BE e OKB. Janë pikërisht këto kontribute që ndikuan që Shqipëria të shihej si një vend që prodhonte siguri, në vend që të konsumonte atë.
FASH krahas pjesëmarrjes në misione luftarake kanë realizuar edhe një numër aktivitetesh të tjera të përbashkëta me NATO të natyrës stërvitje, konferenca, etj.
Marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO (në Samitin e Bukureshtit 2 prill 2008) dhe anëtarësimi me të drejta të plota në Samitin e Strasburg&Kehl, 2 prill 2009, finalizoi ato përpjekje dhe atë aspiratë mbarëshqiptare për anëtarësim në NATO.
/Argumentum.al