Sot janë bërë 20 vjet nga përfundimi i bombardimeve të NATO-s kundër regjimit të Millosheviqit.
Në 20-vjetorin e përfundimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se këto bombardime ishin të nevojshme dhe të ligjshme.
Sipas Stoltenberg, edhe historia ka treguar se bombardimet kundër Serbisë në vitin 1999 ishin të domosdoshme dhe të ligjshme, sepse siç u shpreh ai, ndaluan dhunën dhe mundësuan kthimin e refugjatëve në atdhe.
Stoltenberg po ashtu ka thënë se në atë kohë, ishte KFOR-i i cili ndihmoi për krijimin e një ambienti të sigurt në Kosovë për të gjithë, duke përfshirë komunitetin serb dhe të gjitha komunitetet e tjera që jetonin në Kosovë.
“Unë e di se NATO-ja ende po shkakton polemika në Serbi. Shumë prej tyre janë ende të sëmurë nga fushata ajrore në vitin 1999. Është edhe më e vështirë për ata që kanë humbur të dashurit e tyre. Çdo jetë e humbur e pafajshme është një tragjedi dhe ne kemi shumë keqardhje për këtë”, është shprehur Stoltenberg në një intervistë dhënë për “Politika”-n.
Stoltenberg në këtë intervistë edhe një herë e ripërsëriti atë që kishte thënë në Beograd në tetor të vitit të tij, që fushata bombarduese kundër Serbisë nuk ishte asnjë herë e drejtuar kundër popullit serb, pasi që sipas tij, NATO-ja, kishte për qëllim ndaljen e veprimeve të Millosheviqit.
“Përkundrazi, qëllimi ishte mbrojtja e civilëve në rajonin e gjerë duke ndaluar veprimet e regjimit të Millosheviqit, të cilin bashkësia ndërkombëtare e dënoi. Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë të kaluarën, por ne duhet të mësojmë prej saj dhe ta lëmë pas”, theksoi Stoltenberg.
Ai shtoi se kjo është ajo që NATO-ja dhe Serbia po bëjnë përmes partneritetit, i cili është i dobishëm për NATO-n, Serbinë dhe rajonin më të gjerë.
Stoltenberg theksoi se NATO-ja e vlerëson partneritetin që ka zhvilluar me Serbinë dhe shpreson për një të ardhme më të mirë.
“Ne e respektojmë plotësisht politikën e neutralitetit të Serbisë, siç demonstrojnë Austria, Suedia dhe Finlanda, neutraliteti dhe partneriteti me NATO-n nuk janë reciprokisht ekskluzive. Partneriteti ynë është i mirë për Serbinë, e kjo është e mirë për Ballkanin Perëndimor dhe e mirë për NATO”, theksoi Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut ka vënë në dukje se bota po përballemi me situatën më të paparashikuar të sigurisë në botë gjatë viteve të fundit, por që siç theksoi ai, NATO-ja është një forcë pozitive në krijimin e një rendi të qëndrueshëm ndërkombëtar.