Sot 24 vjet më parë, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës.
Sulmet filluan në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, mundësoi edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s. Sot, 24 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it janë në numër më të vogël. Ata janë të vendosur në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.
Kryeministri Edi Rama për mes një postimi në rrjetin social Twitter ka reaguar në lidhje me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.
Rama thekson se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve dhe pa miq të mirë sot nuk do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë.
Ndër të tjera duke sjellë ndërmend tensionet në veri të ndodhura së fundmi, kreu i qeverisë shkruan se sot më shumë se kurrë është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët.
“Si sot e gati çerek shekulli më parë, hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve, se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Zoti i bekoftë aleatët tanë!
Prandaj bash sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët! Kosova duhet të dalë patjetër prej qorrsokakut me dialog jo me policë,me ide konkrete jo me propagandë, me miq të mirë jo me keqtrajtim të miqve!”, shkruan Rama.
Presidenti Bajram Begaj përcolli sot mesazh urimi në 24-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
“Gëzuar Ditën e Çlirimit Kosovë! Nderim përjetë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Mirënjohje partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe NATO!”, shkruan Begaj në rrjetet sociale.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga SHBA kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare.
Kryetari i “Partisë së Lirisë”, Ilir Meta uroi sot Kosovën për 24-vjetorin e lirisë, ndërsa kujtoi hyrjen e trupave të NATO-s në 12 qershor 1999.
“Sot në Ditën e Çlirimit çdo shqiptar ndihet krenar dhe i gëzohet arritjeve të Republikës së Kosovës, zhvillimit të pandalshëm dhe avancimit solid në proceset integruese europiane dhe euroatlantike”, tha ai.
Meta u shpreh se Kosova është faktor kyç i provuar për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
“Model frymëzues i ndërtimit të shtetit ligjor! Edhe pse shteti më i ri i rajonit, Kosova është bërë një shembull për zgjedhjet e lira, demokracinë funksionale, mirëqeverisjen dhe llogaridhënien! Mirënjohje dhe thellësisht falënderues për NATO-n dhe vendet demokratike mike, që i dhanë fund gjenocidit dhe kurorëzuan aspiratën shekullore për liri”, tha Meta.
/Argumentum.al