3 vite më parë në 9 mars të vitit 2020, u identifikuan dy rastet e para me COVID-19 në Shqipëri.
Ishte ora 01.00 e mëngjesit të 9 marsit kur ministria e Shëndetësisë konfirmoi se në Shqipëri janë shënuar rastet e para me koronavirus në vend, një frikë që prej dy muajsh e kishin të gjithë për shkak të pamjeve që vinin nga Kina e bota mbarë.
Pamjet e para vijnë nga lokali i babë e bir që u cilësuar si pacienti zero gjatë dezinfektimit, pas dy ditë festimesh në vend të 7 dhe 8 marsit.
Vetëm 2 ditë më vonë, Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli nivelin e pandemisë.
Infektivi mori hijen e rëndë, i pari spital karantinë për rastet e vështira, e pas tij u hap Sanatoriumi dhe të tjera struktura Covid. Me rihapjen e vendit në qershor dhe muaj më vonë, Sars COV-2 zgjeronte hartën e infektimeve, vdekjet po shtoheshin madje edhe brenda radhëve të mjekëve, më të ekspozuarit ndaj virusit.
Në bilancin e këtyre 3 viteve, Shqipëria numëron 333,608 të infektuar dhe 3,600 jetë të humbura mes të cilave 58 ishin mjek dhe staf mjekësor në shërbim.
Në janar të vitit 2021 Shqipëria nisi aplikimin e vaksinave anticovid, fillimisht tek bluzat e bardha dhe më tej u shtri në të gjithë popullatën mbi 16 vjeç.