Sot, shënohen 619 vjet nga lindja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës.
Skënderbeu, lindur më 6 maj të vitit 1405 në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit, konsiderohet si një nga figurat më të shquar në historinë e shqiptarëve dhe si themelues i shtetit mesjetar-shqiptarë.
Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborret e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet. Si një burrë i madh shteti, Skënderbeu udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit shqiptar kundër pushtuesit osman, si dhe punoi për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar.
Me Kuvendin e Lezhës Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbër të organizuar.
Për 25 vjet me radhë, Skënderbeu mbrojti lirinë e popullit dhe të vendit të vet dhe lufta e tij pengoi përhapjen osmane drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe të Papatit të Romës.
Emri i Skënderbeut ka qenë burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin e hapur, rrugën e përparimit. Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë, të harmonisë e të demokracisë.
Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre.
Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare