Sot mbushen 9 vite nga 21 janari i kobshëm i 2011-ës kur u vranë me duar në xhepa te bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues.
Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika mbetën të ekzekutuar nga shteti por ndonëse ka pafund pamje foto, video, audio që provojnë vrasjen shtetërore, ende sot nuk ka njeri pas hekurave.
Edhe pse po mbushet dekada nga data tragjike, familjarët e viktimave vijojnë të kërkojnë drejtësi dhe ndëshkim për përgjegjësit.
Ana Veizi, vajza e Ziverit, njërit prej viktimave të asaj dite, thotë për A2 se e ka pasur shumë të vështirë gjithë këto vite, pa babanë, njeriun e zemrës. “Dhimbja nuk mund të përshkruhet me fjalë”, thotë ajo në një prononcim për A2.
Megjithëse pranon se drejtësia nuk është vënë në vend, Ana është besimplotë se institucionet e reja do t’ia arrijnë. “Kjo është një ngjarje shumë më e rendë dhe e ndërlikuar se sa jepet, kështu që kjo është arsyeja pse drejtësia ende nuk jepet”, thotë ajo. “Megjithatë unë kam ende besim te drejtësia, te reformat e reja, te SPAK. Besoj se ndoshta do të përshpejtohet drejtësia. Gjithmonë do të vazhdoj të besoj te drejtësia, nuk i kam humbur asnjëherë shpresat dhe ndoshta kjo më jep forcë”.
Me qeverinë Rama Ana thotë se ka marrëdhënie shumë të mira. “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta edhe për probleme të tjera personale që mund të kemi përveç vënies së drejtësisë. Na kanë qëndruar afër dhe ndihemi shumë mirë nga kjo pjesë, shumë të plotësuar”, thotë ajo.