Sot pritet të konstituohet Këshillit Bashkiak i Kavajës dhe të betohet kryebashkiaku i ri i PS, Redjan Krali.
Ndërkohë mbështetësit e ish-kryebashkiakut të PD, Isa Sakja po mbajnë protestë.
Sakja është shprehur se nuk do e lirojë zyrën.
“Nuk e liroj zyrën është një ditë normale pune. Në 30 qershor votuan vetëm 5 % e qytetarëve,”-tha ai.
Ndryshe nga situata e krijuar dje në Bashkinë e Devollit, para bashkisë së Kavajës nuk ka forca policie.
Krali u shpall fitues si kryebashkiak i Kavajës, në zgjedhjet e 30 qershorit dhe pritet të marrë zyrën.
Kryebashkiakët demokrat kanë paralajmëruar se nuk do ti lirojnë zyrat e tyre për tu vendosur kryebashiakët e rinj socialistë.
Këshillat Bashkiakë që do konstituohen sot:
-Në orën 10:00 do të konstituohet i Këshillit Bashkiak Tepelenë.
-Në orën 12:00 do të konstituohet Këshilli Bashkiak Memaliaj
-Në orën 18:00 do të konstituohet Këshilli Bashkiak Libohovë. Të pranishëm do të jenë edhe deputetët e qarkut Bledi Çuçi, Mirela Kumbaro dhe Artemis Malo.
Në Tepelenë vijon punën për mandatin e tretë Tërmet Peçi, në Libohovë për mandatin e dytë Luiza Mandi, ndërsa në Memaliaj kryetari i ri Gjolek Guci.
Çfarë ndodhi dje në Devoll?
Ndërkohë mbërritja e kryebashkiakut socialist në Bashkinë e Devollit mëngjesin e së hënës (29 korrik), Eduard Duro, që doli nga zgjedhjet e 30 qershorit u prit me protesta nga PD.
Eduard Duro, mbërriti në bashki rreth orës 06:30 minuta dhe me kërkesë të tij, forca të shumta policie përfshirë edhe FNSH blinduan ndërtesën.
Rreth një orë më vonë, para bashkisë mbërriti demokrati Bledjon Nallbati i shoqëruar nga qytetarë.
Demokrati Nallbati flet për uzurpim të zyrës të bashkisë, ndërsa socialisti Duro, pret që punonjësit e Bashkisë të rikthehen në detyrë dhe të distancohen nga veprimet e ish drejtuesit.
/Ora News.tv/