Nga sot hyjnë në fuqi rregullat e reja antiCOVID-19 për të hyrë në Shqipëri
Sipas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, duke filluar nga sot, data 6 shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
1.Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
2.Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
3.Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.
Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit në vlerësim të përgjegjshmërisë qytetare për mbrojtjen e shëndetit publik ka vendosur rekomandimin e vendosjes së vaksinimit të detyruar për grupet më të riskuara nga marrja dhe sidomos nga shpërndarja e infeksionit, duke filluar me stafet mjekësore, me arsimtarët dhe me studentët.