19 vite më parë, pikërisht më 13 gusht në Ohër do të nenshkruhej marrëveshja e parë mes shqiptarëve dhe maqedonasve duke i dhënë fund konfliktit të armatosur. Marrëveshja kornizë synonte zhvillimin e qetë dhe harmonik të shoqërisë maqedonase duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar ndërmjet faktorëve politikë maqedonas dhe shqiptarë, i dha fund konfliktit të armatosur pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar. Ky dokument në thelb kishte ndërprerjen e armiqësive, zhvillimin e pushtetit të decentralizuar, mosdiskriminimin, përfaqësimin e drejtë, të drejta për arsim të lartë për shqiptarët, përdorimin zyrtar të gjuhëve për etnitet e përfaqësuara mbi 20 për qind, shprehjen e identitetit etj
Kjo kontratë në mes dy popujve u nënshkrua nga kryetari i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm, Lubço Georgievski, liderët e LSDM-së Branko Cërvenkovski, të PPD-së, Imer Imeri dhe ai i PDSH-së, Arbën Xhaferi.
Kjo garantohej përmes përmbajtjes së saj, ku decentralizimi ishte ndër pikat kryesore, pasi siguronte qeverisjen e tyre nga bashkësia më e madhe e popullatës që e përbën.
“Marrëveshja e Ohrit detyron autoritetet e qeverisjes qendrore të garantojnë përfaqësimin e drejtë dhe mos diskriminimin.” E reflektuar në ligj kjo pikë e marrëveshjes kërkonte që në punësimet në administratën publike të sigurohej përfaqësimi i drejtë i bashkësive në të gjitha organet qendrore dhe lokale publike dhe në të gjitha nivelet e punësimit në këto organe.
Përfaqësimi në Gjykatën Kushtetuese kërkohet të bëhet mbi proporcionin e përfaqësimit në Kuvend sipas etnive. Shqiptarët që përbëjnë mbi 30 % të popullsisë maqedonase përmes Marrëveshjes së Ohrit iu garantohej e drejta e përdorimit si gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase edhe ajo shqip. Simbolet kombëtare gjithashtu.
Parimet themelore te Marrëveshjes së Ohrit:
1. Ndërrimi i pushteteve vetëm përmes zgjedhjeve te lira dhe demokratike.
2. Garantohet sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë.
3. Konfirmohet karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase.
4. Ndërtim i shtetit demokratik.
5. Zhvillimi i pushtetit vendor.
Përmbajtja e Marrëveshjes së Ohrit:
1. Ndërprerja e armiqësive
2. Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar
3. Mos diskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë
4. Përfaqësim në gjyqësor në proporcion me popullsinë
5. Gjuhë zyrtare është edhe gjuha amtare kur popullata është mbi 20%
6. Shprehja e identitetit (përdorimi i simboleve të bashkësisë në zonat ku ata përbëjnë shumicën).
Dokumenti kornizë i Ohrit, që u nënshkruar më 13 gusht të vitit 2001, duhej të zbatohej brenda katër vjetësh. Ky dokument, në bazë kishte avancimin e të drejtave të shqiptarëve, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe si dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia e Veriut ka avancuar në masë të theksuar kërkesat e shqiptarëve, por njëkohësisht janë evidentuar edhe ngecje në zbatimin në praktik të normave ligjore që burojnë nga ky dokument.