Kuvendi zhvillon sot seancën plenare që pritej të nisë me interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, por kryeministri Rama nuk eshte paraqitur ne salle duke ia deleguar këtë interpelance Ministres Spiropali.
Kjo shkaktoi reagime të ashpra nga radhët e deputeteve demokrat, të cilët kërkojnë Ramën dhe jo ministren.
“Kam kërkuar interpelancë me kryeministrin për takimet e tij private dhe jo me hijen e tij. Nuk e kam thirrur si të pandehur, por si kryeministër. Nuk mund të fshihet pas Elisës, Agron Nezës dhe McGonigal. Duhet të vijë të japë llogari se si me veprime kriminale ka korruptuar zyrtarë të lartë në FBI. Sipas rregullore interpelanca urgjente është pika e parë. Pezullo seancë plenare. Ushtro autoritetin tënd.(i thotë Nikollës).
Mos u sill si kukull e Edi Ramaës, Silluni si kryetare e Parlamentit. Thirr Kryeministrin në seancë. Më lër të mbaroj. Si avokate ta marri Elisën, nuk ndërhyj. Por si kryeministër të vijë këtu dhe të japë llogari. Nuk pranoj të bëj interpelancë me hijen e kryeministrit. Se di që ajo të ketë qenë në këto takime, por ka qenë Kryeministri dhe Duçka dhe Neza. Nëse i ka folur Rama në vesh dhe Elisa të vijë të bëjë këtu si altoparlant” -tha Bardhi.
Spiropali i ktheu përgjigje Bardhit, duke thënë se nuk po i lejojnë të japin shpjegim për zyrtarin e FBI ndonëse kanë dy javë që e kërkojnë këtë.
“Nuk e kuptoj pse keni kaq frikë. Bardhi a kërkoni sqarime mbi çështjen që të zbardhet e plotë. Qetësohuni se kemi durimin t’iu durojmë. Po iu them nguti juaj i dëshpëruar për të nxjerrë konkluzione është më së paku qesharak,. Si grata si non grata keni dy javë që gërricni nervat e miletit shqiptar. S’na lejoni të japim shpjegime njëherë e mirë për këtë çështje. E kuptoj dëshpërimin tuja se edhe i mbyturi po u kap pas flokëve të tij e kalon ndonjë kanal po ju doni të kaloni oqeanin dhe kjo është e pamundur”, tha Spiropali.
Kuvendi rrëzoi kërkesën e opozitës për ndryshimin e rendit të ditës ku u kërkua mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama për çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së, McGonigal.
Në fjalën e tij në Kuvend, deputeti i PD-së Luçiano Boçi ka dhënë argumentet pro kërkesës së opozitës për mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama.
Ai tha se janë vendosur nën hetim Kryeministri Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në përpjekjen e tyre të financimit me para në dorë dhe të financimit me interesa milionëshe për të ekzekutuar, për të eliminuar opozitën e vendit.
“Dora kryesore që godet opozitën sot është vetë kryeministri i investuar në çdo qelizë të korruptimit të shoqërisë shqiptare. Ka korruptuar ekonominë, mediet, parlamentin dhe kaloi oqeanin, donte të korruptonte SHBA vetëm e vetëm që të realizojë ëndrrën e tij, eliminimin e opozitës me qëllim që të sundojë me një regjim putunist”, tha ai.
Pas mendimit kundër nga kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, Kuvendi hodhi në votim kërkesën e opozitës për ndryshim të rendit të ditës, ku kërkohej që pjesë të saj të jetë dhe mocioni me debat.
“Me 39 pro, 66 kundër, bie kërkesa, vijohet me rendin e ditës”, tha kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Rama reagon në Twitter
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me mungesën e tij në seancën plenare të kësaj të enjteje dhe delegiomin e interpelancës së thirrur me të, për çështjen McGonigal, ndaj ministres Elisa Spiropali.
Duke iu referuar akuzave të opozitës në parlament, Rama shkruan përmes një postimi në Twitter se kjo është një tallje e shpifur e politikës.
Ai nënvizon në reagimin e tij se në SHBA nuk ka asnjë akuzë apo pretendim ndaj se është i përfshirë në korruptimin e ish-zyrtarit të FBI-së, siç pretendon opozita.
“Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë.
Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike,mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim.
Një abuzim total me lirinë e fjalës,me të vërtetën,me publikun,në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu!”, shkruan rama në Twitter.
/Argumentum.al